Drafti i qeverisë për Kodin e Procedurës Penale “rrezikon sterilizimin e SPAK”

Qeveria shqiptare prezantoi të mërkurën në Tiranë një projektligj prej 106 nenesh që rishikon rreth një të pestën e Kodit të Procedurës Penale, një lëvizje që zuri në befasi sistemin e drejtësisë dhe ndezi një debat të ri mbi fatin e luftës kundër korrupsionit.
Duke folur në konferencën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë, lryeministri Edi Rama e promovoi draftin si “Paketa e Garancive Procedurale”. Rama tha se dhjetë vjet pasi politika i dorëzoi gjyqësorit “shpatën e ndëshkimit”, nevojitet të korrigjohen “edhe dështime e deformime që nuk mund të fshihen pas rezultateve”.
“Nëse deri tani, e kemi forcuar kryesisht krahun e peshores ku rëndon fuqia e shtetit ndaj njeriut, në këtë paketë i japim peshën që meriton, krahut ku qëndron fuqia e të drejtës së njeriut përballë shtetit,” deklaroi Rama, duke shtuar se në Shqipëri “peshorja e drejtësisë anon shumë dukshëm nga pesha represive e shtetit”.
Qeveria e paraqiti nismën si një produkt të hartuar nga 19 akademikë dhe magjistratë nga Italia, Franca dhe Holanda, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës. Por drafti i kapi në befasi prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë.
“Gjithçka është bërë sekrete, ndaj dhe sot nuk isha në atë takim. Sepse u kërkova një kopje dhe nuk ma nisën,” tha për BIRN Engert Pëllumbi, gjyqtar i Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Një prokuror i Prokurorisë së Posaçme i tha gjithashtu BIRN në kushtet e anonimatit se magjistratët e SPAK nuk kishin pasur akses në draft përpara se mërkurës. Duke theksuar se i duhej ende kohë për t’u njohur me të gjitha propozimet, ai e cilësoi paketën si “një përpjekje për të sterilizuar institucionin”.
Edhe më i ashpër ishte një ish-prokuror me përvojë të gjatë, i cili e quajti draftin “masakër” me gabime të rënda, detajet e të cilit mbeteshin të paqarta.
“Duket ose si porosi nga avokatë, ose si porosi e hallexhinjve që presin të përballen me dyert e drejtësisë,” tha ai për BIRN, duke shtuar se ndryshimet “nuk kanë shqetësimin e shumicës dërrmuese dhe nuk zgjidhin problemet e njerëzve normalë”.
Një analizë e projektligjit dhe e relacionit tregon se nisma kodifikon disa garanci të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, direktivave të BE-së dhe Gjykatës Kushtetuese për paraburgimin dhe barazinë e armëve. Megjithatë, drafti fut filtra që vështirësojnë këqyrjen e celularëve, shkurtojnë përgjimet, detyrojnë njoftimin e funksionarëve publikë pesë ditë para masave të sigurimit, kufizojnë gjyqtarët paraprakë dhe vendosin autorizim paraprak gjyqësor mbi raportimin mediatik.
Përfaqësues të opozitës e kundërshtuan draftin dhe akuzuan Ramën se po përdorte Këshillin e Evropës si mburojë për të bllokuar hetimet e SPAK-ut.
“Deri tani Edi Rama ka bërë ligje me porosi për të tjerët. Sot, po qep një ligj sipas masës së vet,” deklaroi kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi.
Ndryshimet për paraburgimin
Gjatë prezantimit të projektligjit, kryeministri Edi Rama iu referua raportit SPACE të Këshillit të Evropës, sipas të cilit 62% e të burgosurve në Shqipëri janë të paraburgosur, kundrejt mesatares evropiane prej 26% dhe Rusisë me 30%.
“Në vitin 2026 duhet të nisim t’i japim fund edhe kulturës së paraburgimit si përgjigje automatike; të hetimit pa afat, si ushtrim force arbitrare mbi individin,” deklaroi kryeministri, sipas së cilit “një drejtësi që thotë: ‘më mirë një fajtor jashtë sesa një i pafajshëm brenda’, nuk është më e dobët, po më e fortë”.
Mbështetur në raportet e Këshillit të Evropës dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, projektligji vendos detyrimin që masat shtrënguese jepen si rregull vetëm për vepra me dënim maksimal mbi 3 vjet burgim, ndërsa “arresti në burg” ndalohet kur maksimumi i dënimit është nën 5 vjet ose kur parashikohet dënim deri në 3 vjet.
Neni 228 kërkon “prova konkrete dhe të verifikueshme” dhe ndalon përdorimin e heshtjes si provë rrezikshmërie për caktimin e masës së sigurisë. Ndryshimet po ashtu parashikojnë pavlefshmëri dhe përgjegjësi disiplinore për gjyqtarin që nuk bën arsyetim të pavarur nga kërkesa e prokurorit. Paketa krijon gjithashtu “hetimet e mbrojtjes”, ku avokati mbledh prova me vlerë të barabartë me prokurorin, bën të detyrueshëm regjistrimin audioviziv të pyetjeve.
Opozita e quajti këtë shqetësim hipokrizi, duke kujtuar se qeveria që nga viti 2013 përdori burgun për çdo problem social, përfshirë aksionet për energjinë ku u arrestuan mbi një mijë vetë. “Edi Rama u kujtua se kishte shkaktuar këtë problem në shkurt 2025, pas arrestimit të Erion Veliajt,” u shpreh Bardhi.
Ndërkohë, neni 105 i dispozitave kalimtare detyron gjykatat të verifikojnë kryesisht brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit të gjitha masat e sigurimit aktive, dhe brenda 3 ditëve “arrestin në burg” kur kjo nuk lejohet më sipas ligjit të ri.
Zyrtarët e dyshuar për korrupsion
“Policia dhe prokuroria mund ta sekuestrojnë pajisjen, nuk diskutohet, por për ta hapur, kopjuar ose përpunuar përmbajtjen e telefonit duhet autorizim paraprak i gjykatës,” tha Rama.
Sipas draftit, gjykata cakton paraprakisht kategoritë e të dhënave, aplikacionin elektronik ku do të kërkohet, periudhën kohore dhe fjalët kyçe që do të kërkohen. Nëse gjatë këqyrjes dalin të dhëna përtej këtyre fjalëve kyçe apo kufizimeve në urdhrin e gjykatës, prokurori detyrohet të kërkojë autorizim të ri, ndërsa në fund zhvillohet një kontroll i dytë gjyqësor me palët dhe çdo provë në tejkalim të autorizimit shpallet e papërdorshme.
Në fjalimin e tij, Rama garantoi se “për korrupsionin, krimin e organizuar, terrorizmin, trafiqet, krimet me armë ose dhunë të rëndë dhe çështjet e Gjykatës së Posaçme, ruhen regjime të posaçme”. Por teksti i projektligjit tregon se në tri dispozita kyçe, nga lehtësimet përjashtohet vetëm krimi i organizuar, duke lënë jashtë përjashtimit korrupsionin.
Ndërkohë edhe masat e sigurisë ndaj zyrtarëve të lartë, përfshi ato të pezullimit nga detyra nuk mund të merren, pa e njoftuar personin të paktën 5 ditë përpara me akuzën dhe pa e marrë në pyetje.
Për hetime me afat të përcaktuar, nenet 65 dhe 66 të draftit i japin të drejtë të dyshuarit t’i kërkojë gjyqtarit “retrodatimin”, pra caktimin e një date të mëparshme kur duhej regjistruar si i dyshuar, çka sjell llogaritjen prapavepruese të afateve të hetimit dhe papërdorshmërinë e provave të marra para regjistrimit.
Gjithashtu drafti parashikon se nëse gjykata nuk vendos brenda 48 orëve mbi kërkesën e të dyshuarit për akses në akte, provat i jepen automatikisht atij duke caktuar përgjegjësi disiplinore për prokurorin.
Drafti po ashtu parashikon kufizime për median. Neni 10 ndalon publikimin e vendimeve për masat e sigurimit, të përgjimeve të pacituara në vendim, të pamjeve të personave në pranga dhe të akteve hetimore deri në fillimin e gjykimit të themelit, përjashton ankimin te Komisioneri për Informimin për këto akte. Në pikën 14 kërkon autorizim paraprak gjyqësor edhe për dokumentet që gazetarët i kanë tashmë në dorë. “Në rastin e të tretëve dhe veçanërisht gazetarëve, mediave, që zotërojnë tashmë të dhëna që bien në regjimin e këtij neni, ata mund t’i kërkojnë gjykatës kompetente të shkallës së parë autorizimin për publikimin e të dhënave… Në çdo rast, publikimi nuk mund të kryhet pa autorizimin gjyqësor”, thuhet në draft.
Një ish-prokuror i tha BIRN se parashikimet për masa disiplinore dhe kërkesat e rritura ndaj prokurorëve dukej qartë që synonin ndër të tjera të trembnin dhe pengonin përpjekjet për të hetuar korrupsionin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.