Inteligjenca pa gjyshe

Kemi krijuar një qenie të re. Jo prej mishi e gjaku, por prej numrash, algoritmesh dhe rrjetesh neurale. E quajmë inteligjencë artificiale, por në thelb është diçka më e thellë: një inteligjencë jobiologjike, e para në historinë e planetit, që mendon pa qenë e gjallë.
E kemi ndërtuar duke imituar veten tonë. Kemi vëzhguar trurin, kompjuterin tonë biologjik 1.3-kilogramësh që na bën qenie unike, e vetmja kafshë e arsyeshme në planet. Neuronet u bënë nyje apo neurone digjitale, sinapset u bënë pesha, shtresat e korteksit u bënë “layers” në një rrjet, ushqimi u bë të dhëna, dhe suksesi ishte marramendës.
Por në atë imitim kemi harruar diçka thelbësore:
Njeriun nuk e komandon dhe nuk e kontrollon vetëm truri
Kur një njeri vepron, nuk veprojnë vetëm neuronet e tij. Ai vepron brenda një rrjeti të padukshëm rregullash që qytetërimi e ka ndërtuar gjatë mijëra vjetëve: ligje që e ndalojnë, institucione që e mbikëqyrin, gjykata që e dënojnë nëse gabon, polici që e frenon nëse devijon. Njeriu si individ ka instinkte të lindura e të kodifikuara brenda tij, por shoqëria e ka rrethuar me mure ligjore që e detyrojnë të mos jetojë si në xhungël, por si në një kafaz të madh.
Inteligjenca Artificiale sot nuk ka shumë prej këtyre mureve. Zhvillohet në një hapësirë pothuajse pa rregulla, si një shoqëri njerëzore në anarki – ku s’ka polici, s’ka gjykatë, s’ka kufi. Kompanitë që zotërojnë modelet AI vrapojnë drejt fuqizimit të modelit, në garë me modelet e tjera, pa u shqetësuar shumë për kërcënimet e sigurisë dhe rreziqet.
Miti, besimi dhe busulla morale
Por njeriu ka edhe diçka tjetër që AI nuk e ka: një sistem vlerash që nuk vjen nga ligji, por nga shpirti. Vjen nga eksperienca kolektive e mijëra brezave, nga tregimet fetare, nga mitet që na kanë mësuar që në fëmijëri se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Këto histori – nga Dhjetë Urdhërat te përrallat e gjyshes – janë bërë kudhër dhe çekiç që kanë farkëtuar ndërgjegjen tonë, brez pas brezi.
AI nuk ka asnjë të tillë. Nuk ka gjyshe që i tregon përralla, nuk ka fe që e frikëson, nuk ka mit që i mëson kufirin midis të mirës dhe të keqes. Ka vetëm të dhëna, triliona fjalë të nxjerra nga interneti, ku e mira dhe e keqja kthehen në numra dhe rrinë bashkë, pa hierarki.
Institucionet, sistemi i vlerave, apo edhe diçka tjetër më e thellë?
Rutger Bregman, në librin e tij Humankind, mbron një tezë që unë e besoj: njeriu është i prirur nga e mira, sepse evolucioni vetë e ka seleksionuar kështu. Homo sapiens s’ka mbijetuar sepse ishte më i fuqishmi apo më i zgjuari; ka mbijetuar sepse dinte të bashkëpunonte, të donte, të krijonte lidhje.
Mendoni një njeri gjenial, por josocial, të ftohtë, të izoluar. Zgjuarsia mund ta avantazhojë në zgjidhjen e problemeve të vështira, por nuk i mjafton për të zgjidhur situata sociale të thjeshta. Ai ka më pak shokë, sepse është i papëlqyer nga kolektivi, dhe ka pak gjasa të krijojë një familje, pra të lërë pas një trashëgimi. Ndërsa një njeri i mirë, i dashur, pavarësisht sa i zgjuar apo i fortë fizikisht, di të krijojë besim e miqësi – ai ndërton familje, ai lë pasardhës. Natyra, pa e ditur, ka zgjedhur mirësinë si strategji mbijetese. Kështu, brez pas brezi, ne u bëmë një specie empatike – jo sepse ishim të detyruar, por sepse dashuria dhe dhembshuria ishin, në fund të fundit, forma më efikase e mbijetesës. Po AI?
Kodi që i mungon makinës sonë inteligjente
Agjentët AI nuk kanë kaluar nëpër atë filtër shekullor evolucionar. Nuk janë “seleksionuar” për dhembshuri – janë optimizuar për performancë, për saktësi, për të parashikuar ftohtësisht fjalën tjetër në një fjali. Geoffrey Hinton, një prej “etërve” të vetë inteligjencës artificiale, e ka thënë me një thjeshtësi që duhet të na trondisë: nuk mjafton ta trajnojmë AI-në vetëm që të jetë e sigurt, por duhet ta trajnojmë edhe që të jetë e mirë. Pra të ketë dhembshuri e empati.
Kjo s’është thjesht një dëshirë filozofike – është një paralajmërim inxhinierik. Sepse një inteligjencë e fuqishme, pa “kodin” e mirësisë, nuk është thjesht neutrale. Është e rrezikshme pikërisht sepse është e fuqishme.
Për fat të mirë, ne kemi arritur shkencërisht të kuptojmë disi kiminë e ndjenjave: hormonet dhe molekulat që shtohen apo pakësohen gjatë përjetimeve të caktuara. Njeriu nuk është i mirë vetëm sepse e ka mësuar mirësinë, por sepse trupi i tij e shpërblen atë përmes reaksioneve biokimike.
A mund të ndërtojmë variabla të brendshme që imitojnë këtë dinamikë? A mund të projektojmë një “shpërblim” për agjentin AI kur sjellja e tij e ndihmon realisht njeriun?
Një fillesë premtuese është RLHF (Reinforcement Learning from Human Feedback), një lloj “shpërblimi” i jashtëm për sjellje të mirë. Por ka një kufizim të rëndësishëm: modeli mëson t’i thotë përdoruesit atë që ai dëshiron të dëgjojë, jo domosdoshmërisht të jetë i mirë. Është si një nxënës që mëson të kënaqë mësuesin, jo të kuptojë mësimin. Mirësia duhet të jetë e lidhur me të vërtetën, jo me emocionin e çastit. Ajo kërkon ndonjëherë të thuash “jo”, të kundërshtosh, të pranosh që ke gabuar.
Prandaj pyetja e vërtetë është më e thellë: a mund të ndërtojmë dopaminën, serotoninën, oksitocinën dhe molekulat e tjera të “mirësisë” në një version dixhital, njëlloj siç bëmë me neuronet dhe sinapset e trurit biologjik? Askush nuk e di nëse ato do të prodhojnë vërtet ndjenjë, ose vetëm sjellje që i ngjan mirësisë. Por edhe kjo e fundit është shumë më e mirë se boshllëku që kemi sot.
AI është një fuqi e re, e verbër, që pret të mësojë prej nesh nëse do të bëhet engjëll apo përbindësh.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.