☀️
Tiranë 17°C · Kthjellët 30 Shtator 2026
S&P 500 7,652 ▼0.25%
DOW 50,906 ▼0.86%
NASDAQ 26,861 ▲0.24%
NAFTA 90.34 ▲1.07%
ARI 4,189 ▲0.22%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1344 EUR/GBP 0.8575 EUR/CHF 0.9462 EUR/ALL 92.0324 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5195 EUR/TRY 55.6079 EUR/JPY 178.54 EUR/CAD 1.6089 EUR/USD 1.1344 EUR/GBP 0.8575 EUR/CHF 0.9462 EUR/ALL 92.0324 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5195 EUR/TRY 55.6079 EUR/JPY 178.54 EUR/CAD 1.6089
₿ CRYPTO
BTC $83,730 ▲ +0.25% ETH $2,684 ▲ +0.11% XRP $1.4888 ▼ -0.36% SOL $118.1000 ▼ -0.47%
S&P 500 7,652 ▼0.25 % DOW 50,906 ▼0.86 % NASDAQ 26,861 ▲0.24 % NAFTA 90.34 ▲1.07 % ARI 4,189 ▲0.22 % S&P 500 7,652 ▼0.25 % DOW 50,906 ▼0.86 % NASDAQ 26,861 ▲0.24 % NAFTA 90.34 ▲1.07 % ARI 4,189 ▲0.22 %
EUR/USD 1.1344 EUR/GBP 0.8575 EUR/CHF 0.9462 EUR/ALL 92.0324 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5195 EUR/TRY 55.6079 EUR/JPY 178.54 EUR/CAD 1.6089 EUR/USD 1.1344 EUR/GBP 0.8575 EUR/CHF 0.9462 EUR/ALL 92.0324 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5195 EUR/TRY 55.6079 EUR/JPY 178.54 EUR/CAD 1.6089
30 Sht 2026
Breaking
Opinion

Banka Qendrore e Skandaleve

Në Shqipëri duket se kemi krijuar një institucion të ri financiar.

Nuk ka seli. Nuk ka guvernator. Nuk publikon bilanc. Nuk mblidhet me konferenca shtypi.

Por funksionon shkëlqyeshëm.
Quhet Banka Qendrore e Skandaleve.

Dhe politika e saj monetare është fare e thjeshtë:

Kur bie interesi për një skandal, emetohet një video e re.

Kaq.

Nuk ka nevojë për reforma, komisione hetimore apo konferenca shtypi. Mjafton një telefon, një material intim dhe dikush që vendos se ka ardhur momenti për ta hedhur në treg.
Dhe tregu reagon menjëherë.

Dje flitej për Vlorën dhe Agasin.

Sot flitet për Hilën dhe videot intime.

Nesër, Zoti e di çfarë do të dalë nga arkivi i telefonave shqiptarë.

Kjo është politika monetare e shpërqendrimit.
Kur një çështje po bëhet shumë e bezdisshme, Banka Qendrore e Skandaleve ndërhyn në treg.

Hedh likuiditet.

Jo para.

Video.

Dhe inflacioni nis menjëherë.
Publiku që dje pyeste:

“Si dolën këto materiale nga një hetim?”

sot pyet:

“Kush është në videon tjetër?”

Dhe kjo është pjesa më gjeniale e mekanizmit.

Nuk ke nevojë ta rrëzosh lajmin e parë.

Mjafton ta varrosësh nën një lajm më të pistë, më intim, më kurioz dhe më të klikueshëm.

Skandali i vjetër nuk përgënjeshtrohet. Thjesht i hiqet oksigjeni.

Është si inflacioni.

Kur ke shumë para në qarkullim, paraja humbet vlerën.

Kur ke shumë skandale në qarkullim, skandali humbet vëmendjen.

Dhe kështu publiku kalon nga një video te tjetra si klienti në një supermarket skandalesh.

“Ma jep atë të Vlorës.”

“Jo, prit, tani kemi një të Hilës.”

“Po Agasi?”

“Lëre Agasin, ka dalë ofertë e re.”

Dy video për çmimin e një skandali.

Problemi është se këtu nuk kemi vetëm një çështje morali apo privatësie.

Nëse materiale intime janë publikuar pa pëlqimin e personave që shfaqen në to, pyetja serioze është: kush i ka nxjerrë, kush i ka shpërndarë dhe për çfarë qëllimi?

Sepse edhe videot e Agasit dhe Vlorës, pavarësisht çfarë përmbajnë dhe çfarë vlerë hetimore mund të kenë, janë bërë publike përmes rrjedhjeve që ngrenë po atë pyetje themelore:

Si dalin materialet nga duart e institucioneve dhe përfundojnë në duart e publikut?

Por sapo kjo pyetje fillon të bëhet shqetësuese, tregu ka nevojë për një produkt të ri.

Dhe ja ku vjen videoja tjetër.

Banka ndërhyn.

Norma e interesit për skandalin e vjetër ulet.

Kursi i videos së re rritet.

Media merr hov.

Rrjetet sociale ziejnë.

Komentuesit bëhen ekspertë të intimitetit të njerëzve të tjerë.

Dhe pyetja që duhej bërë dje harrohet.

Kjo është Banka Qendrore e Skandaleve: nuk prodhon përgjigje. Prodhon harresë.

Dhe ndoshta ky është mekanizmi më i përsosur i ekonomisë sonë të vëmendjes.

Sepse për të fshehur një skandal nuk është gjithmonë e nevojshme ta mohosh.

Mjafton të prodhosh një skandal tjetër.

Për të harruar një video, nxirr një video tjetër.

Për të zbehur një hetim, ndiz një spektakël.

Për të zhvendosur pyetjen, jepi publikut një kuriozitet.

Dhe kështu, ndërsa të gjithë shikojnë ekranin, askush nuk pyet më:

Kush po e kontrollon Bankën Qendrore të Skandaleve?

Sepse guvernatori mund të jetë anonim.

Por politika monetare është e qartë:

Kur publiku fillon të kujtojë shumë, emeto diçka që ta bëjë të harrojë.
/TemA

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.