Drama e bankave greke në Shqipëri: Humbin 230 milionë euro, pesha e tregut zbret në 14%
Edhe pesha e tre bankave me kapital grek ndaj totalit të aktiveve ka zbritur nga 17% në fillim të 2015-s, në 14% në fund të 9 mujorit, sipas të dhënave të përpunuara nga Shoqata e Bankave.
Fundi i qershorit, kur kryeministri grek Aleksis Tsipras shpalli mbajtjen e një referendumi për masat e rrepta, (që imponoheshin nga kreditorët ndërkombëtarë të këmbim të paketës shpëtuese ) ndaj të cilës greket votuan kundër dhe korriku, kur kulmuan negociatat mes kreditorëve ndërkombëatarë dhe qeverisë greke, ishin më të vështirat në historinë greke, duke iu afruar më shumë se kurrë daljes nga euro. Ndonëse autoritetet shqiptare theksuan me forcë se bankat me kapital grek janë të sigurta e të pavarura nga mëmat, sërish individët nxituan të tërhiqnin paratë.
Këto kursime, që u tërhoqën nga bankat me capital grek janë transferuar drejt bankave të tjera. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, BKT, Raiffeisen, Credins kanë parë një rritje të fortë të depozitave, të ndjekura nga Societe dhe Union Bank. Bankat e tjera kanë shënuar rritje apo rënie modeste, ndërkohë dhe Intesa SanPaolo ka pasur një ulje të fortë të kursimeve.
Banka e Shqipërisë paralajmëroi pak javë më parë se efektet e krizës greke do të vazhdojnë të ndihen në Shqipëri, duke ndikuar deri me 0.5 pikë përqindje rritjen ekonomike.