IntervistaOpinion

Drejt BE-së?! Mazi: Do jemi përballë shtyrjes tjetër të përhershme të radhës!

Intervistë me Ambasadorin Zef Mazi, ish-Kryenegociator për Aderimin e RSH në BE

Diplomati i njohur shprehet hapur për realitetet evropiane dhe konstruksionin e brishtë të BE-së. Pse ky institucion, ku rajoni ynë ka varur shpresat, ka kaq shumë probleme dhe pse zërat e ndryshme tek ajo po konfuzojnë dhe perceptimet e vendeve tona ballkanike që mëtojnë për integrimin? Intervista shpjegon edhe përballjen dhe kushtet e Shqipërisë, çfarë duhet të bëjë dhe sfidat e saj, por edhe një vështrim shumë gjithëpërfshirës, që mund të bëhet nga një vëzhgues i tillë, që e njeh si pakkush strukturën e BE-së. A duhet të jemi aq shpresues pas premtimit të Michel për 2030? Ka pak gjasa, shpjegon z. Mazi duke argumentuar gati në formë shteruese të gjithë argumentet…Në një të tillë, ai tregon me sintezë këtë realitet dhe ëndrrën e madhe evropiane: Një aspekt ekonomik krahasuar me BE – PBB i Ballkanit Perëndimor me 18 milion banorë është pothuajse sa ai i Sllovakisë me 5.5 milion banorë, në një BE me plot 480 milion banorë! Në aspektin gjeostrategjik dhe më gjerë, ndaj Ballkanit Perëndimor Unioni nuk është shquar për vështrim dhe veprim konkret strategjik, pavarësisht fjalëve përsëritja e të cilave i ka hequr bojën”. Por, nga ana tjetër, Mazi, nuk mbetet në rolin e konstatuesit, por e thotë hapur dhe mendimin e tij, ashtu si ka vizionin të rrëfejë se çfarë i duhet vendit tonë në këtë rrugëtim, ku finishi është ende shumë larg…E në fund, diçka dhe për Kosovën dhe politikën e saj diplomatike, ku ai ruan vështrimin e tij të kujdesshëm: “Qasja e sotme ka edhe qartësi, deri diku, edhe dritë-hije. Ka pak konfuzion, dhe një farë mungese largpamësie. Por të tilla situata apo kombinime janë të njohura në diplomaci, në negociata politiko-diplomatike. Herë përdoren kjo taktikë, herë tjetra, herë më butë, herë më ashpër, herë sulmon, herë tërhiqesh, herë bën sikur, herë shpreh qartë mendimin. Arritja e synimit ka rëndësi”.

 

 Intervistoi Ben Andoni

 Një fjali e presidentit Makron, thënë mes një fjale për diplomatët e vendit të tij, për shtyrjen e liberalizimit të vizave të Kosovës, ka ngjallur shumë reagime për mënyrën sesi BE-ja, në përgjithësi, dhe Franca në veçanti, e sheh zgjerimin. Si e shihni këtë?

 Shoh me vend që, së pari, të njihet shkurt konteksti historik i disa zhvillimeve. Presidenti Makron disa herë i është referuar problemit të zgjerimit, në forume dhe në forma të ndryshme. Aq sa tani, çfarë dëgjohet është qartë vijim i linjës të Francës prej dekadash. Ideja e Evropës me disa shpejtësi është e vjetër, që në kohën e ish presidentit Miterrand. Shumë më herët para tij, një nga kampionët francez të BE-së, Monnet, ka thënë se Evropa ndërtohet hap pas hapi. Pra, ngadalë, një hap sot, një nesër.

Ka vite që Makron nuk i ambalazhon idetë as bukur, as bindshëm. Është e njohur shprehja “kur kollitet Franca, merr të ftohur Evropa”! Ajo ka kohë që po kollitet. Po ashtu edhe Gjermania, fuqia më e madhe ekonomike evropiane. Ajo ka hyrë në recesion ekonomik. Në BE ka mungesë uniteti për një numër çështjesh. Çmimet e energjisë kanë shkuar në qiell, çmimet e mallrave të konsumit janë rritur ndjeshëm, uzina e fabrika po mbyllen, dyzina e sanksioneve nuk ka efekt, ajo vetëm sa e ka dëmtuar Evropën, inflacioni është rritur ndjeshëm, emigracioni, politikat ndaj tij, ndryshojnë dhe, së bashku me problemet që sjell, është bërë mjaft problematik, çmimet janë rritur ndjeshëm, buxheti miratohet me debate të shumtë dhe mbarohet para kohe, mungon transparenca dhe për çfarë përdoret, qëndrimet e vendeve ndryshojnë, energjia e gjelbër bart probleme, nuk ka njësim mendimi dhe qëndrimi për zgjerimin, situata ekonomike është përkeqësuar.

Prej disa vitesh, Unioni është kthyer në Bashkim menaxhimi krizash. Kalohet nga njëra krizë në tjetrën. Mungon strategjia dhe udhëheqja e strukturuar, krejt e qartë. Koncepti i shtetit sovran kombëtar është larguar shumë, ndonëse jo për të gjithë vendet e BE-së. Konkurrenca se cili shtet do luajë rolin udhëheqës, do jetë “violina e parë” në cilat politika evropiane, si politika e jashtme vazhdon. Nën vellon mediatike për unitet, se është më i fortë dhe i bashkuar se kurdoherë, vazhdojnë kundërshtitë, paralel me pakënaqësitë.

As dje, aq më pak sot, Unioni nuk demonstron se është lojtar me peshë të rëndësishme në politikat globale. Ai nuk merret shumë seriozisht. Evropa flet me katër kapele: presidenca, parlamenti, këshilli, komisioni. Në këtë kontekst duhet parë reagimet e tij ndaj Ballkani Perëndimor, edhe pse disa në BE e shohin si element anësor, pa peshë.

Një aspekt ekonomik krahasuar me BE – PBB i Ballkanit Perëndimor me 18 milion banorë është pothuajse sa ai i Sllovakisë me 5.5 milion banorë, në një BE me plot 480 milion banorë! Në aspektin gjeostrategjik dhe më gjerë, ndaj Ballkanit Perëndimor Unioni nuk është shquar për vështrim dhe veprim konkret strategjik, pavarësisht fjalëve përsëritja e të cilave i ka hequr bojën”.

Në mendimin tuaj, si njohës i matur i problemeve diplomatike, pse është kaq i vështirë procesi i zgjerimit të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe sidomos Kosovës?

 Po vijoj rrjedhën e mendimit për më qartësi dhe aty do dal. Po kapërcej tek propozimi i Makron për Komunitetin Politik Evropian, i artikuluar para dy vitesh. Janë bërë dy apo tre samite të tij. E ndoqi një reklamë e madhe mediatike. U mblodhën, mbajtën fjalime, por jo më shumë se kaq. Ai Komunitet grupon në një “kosh” katër kategori vendesh që kanë qëndrime, interesa, stade zhvillimi, shpërndarje gjeografike dhe qëndrime politike të ndryshme. Kjo ka sjellë edhe komplikime që nuk përputhen. Evropa ka shumë organizata që rrokin shumëçka. Ato që ekzistojnë duhen bërë mirë-funksionale, i duhet i rritur autoriteti, efektiviteti dhe eficenca, duhen bërë të ndjeshme, që realisht i shërbejnë njerëzve dhe synimeve për çka janë krijuar.

Ky Komitet nuk ka statut, mandat, procedura të qarta e të vendosura bashkërisht për vendim-marrje, nuk ka forcë dhe mekanizma ekzekutivë! Nuk ka arsye që Evropa të ketë nevojë për organizatë tjetër. Një proliferim organizatash, pavarësisht si etiketohen, ambalazhohen, shiten, është thjesht një “shpikje”, për mua, një “fiasko” e radhës, për me fitu kohë. Ai ka synim të krijojë perceptimin se po punohet edhe përmes këtij mekanizmi për të afruar kandidatët, për të shpejtuar zgjerimin por, duke i “mbajtur ngrohtë” dhe me shpresa të ngritura vendet jo anëtare.

Pas shumë “mundimesh”, dhe entuziazmit se u “gjet çelësi”, vijnë katër propozimet e Ursula von der Layen në Bratislavë. Vetëm para disa ditësh Makron tha se çështja e zgjerimit do diskutohet në Samitin në Spanjë në fund të vitit. BE ka nevojë për reformë, pastaj vjen zgjerimi! Pas kësaj, nuk vonoi ideja e Charles Michel se viti 2030 mund të jetë data për zgjerim. Nga e nxori këtë?! Komisioni e hedh poshtë, duke thënë publikisht se ecuria nuk varet nga data, por nga merita e vendeve! Luhet futboll me 7 porta!

Dy postet drejtuese – Presidenca e Këshillit dhe Presidenca e Komisionit – janë vendosur si balancë kompromisi midis Francës dhe Gjermanisë, njëri mori  Presidencën e Komisionit, tjetri të Këshillit. Michel ka kohë që konsiderohet si zëdhënës i Makronit. Prandaj dhe lëshon flluska që janë jo në përputhje me realitetin, dhe të parealizueshme në stadin aktual të vendeve.  Së fundmi, para pak ditësh dëgjohet entuziazmi i Varheleit se do kemi lajme të mira për zgjerimin. Varheli ka luajtur rol pozitiv, ai është dashamirës dhe ka ndihmuar, por shënoj brenda kontureve që ia lejon posti që mban.

Vendimet politike nuk merren nga Komisioni dhe komisionerët, por nga Këshilli. Duhet mbajtur parasysh se në vitin 2024 do mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian, do zgjidhet ekipi i ri i komisionerëve. Kanë filluar “ethet”, përgatitja, përqendrimi i vëmendjes. Komisionerë të ndryshëm do të duan të rizgjidhen, në mos në postet që mbajnë, në një tjetër. Varheli  nuk bën përjashtim.

E ardhmja, ajo që kanë në kohë të bëjnë drejtuesit e fuqishëm në BE, është vështirë të parashikohet. Ecuria e derisotme na mëson se do dëgjohen propozime të reja “grandioze”, fjalë të bukura, premtime të mëdha, për afrimin. Më e fundit që u dëgjua, si refreni i këngës që të mërzit nga përsëritja, ishin fjalët e Sorekës me marrjen e detyrës së të ngarkuarit të delegacionit të BE-së. Më kujtohet një film i vjetër, që dikush thoshte se “Shqipëria është ulur galiç në zemrën time”.

Ecuria që nga Samiti i Selanikut flet vetë për Ballkanin Perëndimor. Unë jam skeptik se do ketë zhvillime të ndjeshme pozitive, pavarësisht si do paketohen, çfarë retorikë do përdoret, çfarë propozimesh do dalin, çfarë “kaloriferi” do përdoret për të “mbajtur ngrohtë” kandidatët, por në distancë sigurie. Për mua, do jemi përballë shtyrjes tjetër të përhershme të radhës!

BE, një pjesë e ndjeshme me peshën e saj, nuk ka oreks për zgjerim, pavarësisht zërave të 7-8 shteteve, dihen cilat janë, që kërkojnë të ecë shpejt zgjerimi. Thjesht, nuk e duan zgjerimin.{për të qenë pak më optimist, nuk e duan as tani, as shpejt. Edhe drejtuesit e vendeve kandidate duket se nuk e duan as tani, as shpejt, ndërsa fshihen pas “problemeve të BE-së”, sikur është BE-ia që nuk don!”

Zgjerimi në vitin 2030?! KE duket se është mobilizuar pas deklaratës së Charles Michel, Presidentit të Këshillit Evropian, por burime të ndryshme kanë qenë skeptike për këtë afat. Pse luhet kaq shumë me afatet e zgjerimit?

Nuk ka pasur dhe nuk shoh sesi do të dhe mund të ketë afat, datë. Do shohim përdredhje dhe manovrime me “mantrën” e BE-së, se ecuria do varet nga meritat e secilit. Nëse është vërtetë kështu, siç thuhet, dhe në fakt kështu duhet të jetë dhe të veprohet (është shkruar në konkluzione e traktat), përse bëhen qasje ballkanike, rajonale, për zgjerimin?! Në cilin dokument të BE-së shkruhet për përqasje dhe pranim grupvendesh!? A nuk e dinë në BE se Ballkani, siç është sot, ka tre shpejtësi drejt BE-së? Dy shtete kanë filluar negociatat për kapitujt (Mali i Zi, nga viti 2013, ka mbyllur, mos gaboj, vetëm tre apo katër kapituj në 12 vjet!); dy presin të fillojnë negociatat dhe nga këta dy, njëri ka një kondicionalitet plus; dhe dy të tjerët janë ende larg, ndonëse njërit prej tyre i është dhënë statusi i kandidatit, tjetrit jo.

Qasja rajonale përdoret vetëm për të shtyrë integrimin, mbajtjen peng të njeri tjetrit, në emër të ngritjes infrastrukturore, që kjo e fundit ka një të vërtetë. Prandaj dhe mbahen ato qëndrime që mbahen ndaj Ballkanit, përfshirë tani edhe sanksionet ndaj Kosovës – një gabim i madh – pavarësisht ndonjë “entuziazmi” të radhës, fjalëve të bukura ndaj Kosovës!”

A mendoni se shfaqja e presidentit Zelensky në takimin informal në Athinë i kaloi të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor të pranishëm në planin e dytë. A është barrë tashmë në procesin e zgjerimit dhe bashkimi i të gjithë procesit me Moldavinë dhe Ukrainën?

Praninë e Zelenskit në kryeqytetet evropiane ka filluar të karakterizojnë jo mirë. Gabim i madh! Është tragjikisht e dhimbshme. Vendi i tij është në gjendje katastrofale. Lufta duhej të ishte mbyllur dje, urgjent. Si çdo luftë, kudo që bëhet, pavarësisht arsyeve, është tragjedi e madhe, shkatërruese për vendet që e pësojnë, se vriten njerëz. Nuk duket se lufta në Ukrainë mund të mbyllet nga kryeqytetet që viziton Zelenski. Nëse një vend don, ajo mbaron nesër. Duket se mbizotëron mendimi që të zgjatet. Armët dhe municionet nuk sjellin paqe, bisedimet po, derisa të arrihet paqja.

Një vend si Greqia fqinje ka edhe më pak peshë për të luajtur rol të ndjeshëm në ndërprerjen e luftës. Samiti informal dukej se kishte qëllim kryesisht që të mbahet linja e BE-së dhe mbështetja e vendeve të ftuara për Ukrainën, pavarësisht peshës që ata kanë. Në ndonjë takim katërsysh duhet të ketë pasur edhe shkëmbime më substanciale. Populli i Ukrainës po paguan jashtëzakonisht shtrenjtë koston e paqes. Më therr sa herë e mendoj.

Më konkretisht pyetjes tuaj: Shqipëria ka afro 25 vjet që ecën në këtë rruge, duhet theksuar, pa ndërprerje, që në vitin 1992, kur integrimi Euro-atlantik u deklarua si objektivi ynë madhor politik. Kjo ka qenë konstante, vije e pandryshuar. Në Samitit e Selanikut, 20 vjet më pare, u deklarua se vendet e Ballkanit e kanë vendin në BE. Filloi puna për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Shqipëria ka kaluar në disa faza të rëndësishme: nënshkrimi i marrëveshjes (MSA), zbatimi i saj, kërkesa për statusin e kandidatit, marrja e statusit kandidat, dhe e statusit kandidat i plote, mbajtja e Konferencës të parë Ndërqeveritare, fillimi i procesit të shqyrtimit analitik!

Çdo hap, prej afro 25 vitesh, është bërë plotësisht sipas “librit”, dokumentacionit, konkluzioneve, direktivave, vendimeve, rregullave dhe procedurave të BE-së. Ato janë ndjekur hap pas hapi. E njëjta procedurë, siç është ndjekur dhe zbatuar për Shqipërinë dhe kandidatët e tjerë, duhet të përdoret edhe për Moldavinë dhe Ukrainën. As më shumë as më pak. Lufta nuk është justifikim për të ndjekur proceduren “regata’, siç njihet në BE ajo e përshpejtuar.

Vendi ynë, vendet tona, janë sfumuar nga mosentuziazmi i vendeve të BE-së për ta, për zgjerimin me ta. Në këtë kontekst, situata në Ukrainë ka pasur më shumë ndikim frenues, negativ, sesa shpejtues për procesin. Çka thuhet se kështu duhet se jepet mesazh, mund të jetë deri diku i pranueshëm, por është i diskutueshëm, sepse nuk është bindës. Duke vepruar në këtë mënyrë, nga ana tjetër, BE-ia i jep mesazhin e kundërt, jo pozitiv, Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit! Ndoshta, sipas tyre, nuk ka rëndësi Ballkani, kaq kuptojnë ata! Mjafton t’i mbash me fjalë të mira, ngrohtë, ata pranojnë gjithçka u thuhet!! Kështu vendet futen në të njëjtin “kosh”, stad, nivel. Njeri pengon tjetrin. Është koha që të thuhet qartë, hapur – mjaft, kjo është gabim”.

Pyetje: A mendoni se ngecja e Maqedonisë së Veriut në proceset e brendshme do t’ia vështirësojë asaj rrugën bashkë me Shqipërinë për Hapjen e Kapitujve?

Miratimi për hapja e negociatave për Maqedoninë e Veriut u bë më kushtëzim, me dy faza. Unë kam qenë prezent kur diskutohej kjo. Pas vendimit për hapjen, MV duhet të bëjë disa ndryshime kushtetuese. Kjo kërkon kohë, mirëkuptim, konsensus, ose shumicë të cilësuar, për të ndryshuar kushtetutën, siç duhet të jetë përcaktuar në ligjin maqedonas.

Shqipëria nuk ka arsye të mos kërkojë ndarje të qartë nga Maqedonia e Veriut në këtë rrugë, sipas meritës, siç thotë BE. Ndryshe Shqipëria do mbetet peng i saj përsëri, siç kemi mbetur edhe më parë. Nëse Shqipëria vërtetë don, ajo duhet të zhvishet nga çdo element internacionalizmi në qëndrimin ndaj kësaj çështje. Duhet biseduar, duhet kërkuar, duhet vepruar konkretisht, butë, por me forcë, këmbëngulje. Sa më parë të fillojë të artikulohet kjo përqasje aq më mirë, më në interesin tonë. Hezitimi, të presim edhe pak, të shohim, të mendojmë përsëri, etj., dhe mosartikulimi qartë tregon se nuk ka vullnet për t’a shpejtuar integrimin duke u shkëputur. Përsëris, nuk është çështje internacionalizmi, as fasade, pozash, lënje përshtypjesh të mira. Këtë e kërkon interesi i vendit. Asnjë shtet në BE nuk lëshon interesat e tij për internacionalizëm. BE mund të mos pranojë. Atëherë ka më shumë argumente se pengesa nuk jemi ne, ne duam dhe po kërkojmë të përshpejtojmë. Pengesa është brenda BE-së”.

 

Pyetje: Në Forumin e Bledit, kryeministri Rama u shpreh gati hokatar me procesin dhe pritshmëritë. Si e konsideroni rrugën e Shqipërisë dhe çfarë mund të bënte më mirë në këtë proces?

Nuk është në etikën time të merrem me shakatë apo jo-shakatë e askujt. Cilitdo ka të drejtë të thotë çfarë mendon dhe gjykon. Theksoj, vendi dhe koha ku dhe kur thuhen çka thuhet kanë shumë rëndësi. Ndryshe bëhet autogol.

Thashë më sipër, shkurtimisht, se çfarë mundet dhe duhet të bëjë Shqipëria. Ajo nuk duhet vetëm të flasë për integrimin. Integrimi kërkon absolutisht seriozitet të madh, përkushtim; njohuri, nuhatje të hollë politike; përvojë të madhe diplomatike dhe negociuese sepse gjithçka me BE-në është kryesisht dhe vetëm politike; rrjet të gjerë njëhje dhe respekti; kërkon njohje të skutave, korridoreve nga dhe si fryjnë erërat në BE; kërkon njohje të thellë të qëndrimeve, synimeve të shteteve anëtare; eksperienca të gjata dhe përvoja të provuara në punë me vepra, jo me deklarata; kërkon jo miq e shokë të besuar politikë, por njerëz të aftë dhe që ua thonë drejtuesve më të lartë sesi është e vërteta e kësaj apo asaj çështje, pa frike, jo duke thënë atë që udhëheqësi don të dëgjojë; kërkon mbështetje të plotë të krejt kupolës të lartë të shtetit; fonde të mjaftueshme, struktura të mëdha, të dedikuara, me njerëz të trajnuar shumë mirë, nga të gjithë sektorët, në krejt institucionet e pushtetit qendror dhe lokal, etj.

Kur shërbeva si Kryenegociator, kisha vetëm një zyrë, me pesë vetë, që nga fundi u bë me gjashtë. Me gjashtë vetë të përkushtuar, të aftë, me punë të stërmadhe, të mundimshme, me një numër të madh e të strukturuar mbledhjesh, takimesh, raportimesh javore dhe mujore në qeveri, Komision, parlament, etj., me 24 vizita punë në kryeqytete për 26 muaj, me njohje të gjerë dhe respekt në nivele drejtuese ministrore dhe në Bruksel, u arrit suksesi – u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare. Pas suksesit, unë u dorëhoqa.

Sa jam i njohur, vendi është me post, jo me rang, në nivel ministër shteti, por pa strukturë ministrie, me një grup rreth 25 vetë, ndoshta diçka plus. E shoh problematike ecjen në këtë situatë, pavarësisht fjalëve të mira për arsye politike propagandistike. Analiza e raportit të shqyrtimit analitik i Grup kapitujve 1 dhe i rekomandimeve, len të kuptohet sesa më shumë punë dhe mund duhet, sa e përpjetë është rruga që kemi përpara. Propozimi/draft raporti i Komisionit nuk ka filluar ende të diskutohet në COREPER II (Këshilli i Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve në BE). Ai përfundim që do arrihet në COREPER do diskutohet në Këshill, në fund të vitit.  Ecuria është dhe bëhet edhe më problematike. Do vijojmë të dëgjojmë të na thuhet, vazhdoni kështu, por duhet bërë edhe kjo, edhe ajo, etj. Kërkesat për çfarë do duhet të bëjmë do vijnë në rritje, duke shtyrë procesin. Këtë radhë, do thuhet, është për fajin tuaj, nuk keni bërë detyrat e shtëpisë! “

Pyetje: Duke u kthyer në dialogun Kosovë-Serbi, nuk mendoni se qasja e butë amerikane dhe sidomos tolerante e BE-së ndaj Serbisë, po e konfuzon faktorin ndërkombëtar dhe po e bllokon atë kosovar?

Është për të ardhur keq, po kështu është. Nuk është e panjohur që politika e jashtme amerikane ka inkonsistenca. Miklimi i Serbisë ka disa kohë që bëhet hapur. Kjo është gabim. Të besosh se ky miklim do e largojë Serbinë nga Rusia do të thotë të mos njohësh historinë, pansllavizmin, lidhjet kulturore, gjuhësore, fetare, interesat strategjike të Rusisë në Ballkan, daljet në det, përdorimi i Serbisë, synimet e Serbisë sot përmes situatës të paqes, pavarësisht tentativave për ta prishur atë, etj. Është fantazi! Duket se kështu u është mbushur mendja disave. Kjo është zhgënjim.

Është për të ardhur shumë keq edhe që BE, ende me pesë shtete anëtare që nuk e njohin dhe nuk dihet nëse dhe kur mund ta njohin Kosovën, nuk ka peshë, mban qëndrime të papeshuara mirë, deri edhe vendos sanksione kundër Kosovës. E pabesueshme, si surrealiste! Vetëm sepse nuk i bindet “diktatit” të miqve! Miqtë e vërtetë as bëjnë presione, as ushtrojnë diktat! Por bëhen presione ndaj Kosovës se e kanë më të lehtë ndaj saj, ndërsa miklohet dhe “kursehet” Serbia haptas.

Nuk kam lindur dje që të besoj çfarë thuhet dhe të mos shoh synimin, pavarësisht mbështjelljes me lustra. Mbi bazën e çfarë është propozuar, pavarësisht nga cili kryeqytet bëhet, nuk shoh se do ketë përparim substancial nëse në qendër nuk do të jetë njohja reciproke, si strumbullari i gjithë bisedimeve. Kjo do të zhbllokonte çështjet e tjera. Nuk mund të ketë hierarki marrëveshjesh, siç kërkon Serbia, siç mbështetet ajo dhe siç dëgjohet, këtë dhe vetëm këtë të parën! Piramida ndërtohet nga maja dhe nga baza, vecanërisht në politikë shpesh ajo ndërtohet nga maja!

Pyetje: Duke u kthyer në takimin e Athinës, Kurti ishte i vetmi që nuk u takua me Zelinsky-in. Si për ironi në një prononcim, aty kryeministri kosovar do thoshte: “uniteti dhe gjithëpërfshirja janë e vetmja rrugë përpara”. Më pak fjalë, atë çka i kërkohet fjalë për fjalë në dialog. Në këndvështrimin tuaj: Si e shikoni qasjen e Kurtit në dialog, konfuze apo me shterpësi vizioni?

Nuk e kam takuar dhe nuk kam biseduar asnjë herë me Kurtin. Prandaj nuk mund të kem mendim. Po zgjeroj pak sfondin për të parë më qartë. Janë bërë disa luftëra për Krimenë. Territori i saj, i kontrolluar më parë nga Kanati i Krimesë, u aneksua nga Perandoria ruse në 1783. Dy herë pas Krimea, Rusia, është sulmuar po në Krime (Anglia, Franca dhe Turqia).

Kosova do kishte bërë mirë të mos ishte prononcuar, të mos kishte folur kur Krimea u shkëput apo u aneksua nga Rusia. A ishte apo jo çka ndodhi në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, me zbatimin e parimit të vetëvendosjes përkundrejt integritetit territorial të shtetit, është çështje debati më të gjatë. Kosova duhet të ishte treguar shumë e matur, jo e joshur të bënte deklarata për t’u bashkuar, apo për t’u treguar e mirë. Edhe pse u është rekomanduar të mos prononcoheshin, nuk e kanë marrë parasysh.

Qasja e sotme ka edhe qartësi, deri diku, edhe dritë-hije. Ka pak konfuzion, dhe një farë mungese largpamësie. Por të tilla situata apo kombinime janë të njohura në diplomaci, në negociata politiko-diplomatike. Herë përdoren kjo taktikë, herë tjetra, herë më butë, herë më ashpër, herë sulmon, herë tërhiqesh, herë bën sikur, herë shpreh qartë mendimin. Arritja e synimit ka rëndësi.

Ajo që nuk di është nëse ka këshilltarë të regjur, me përvojë të gjatë diplomatike, negociuese, të njohur mirë me politikat, kulisat dhe interesat e vendeve. Nëse ka, a pyeten, a këshillohen dhe deri në ç’pikë, për çfarë, sa merren parasysh këshillat. Kuptoj se mund të ketë boshllëk disa drejtimesh”.

Me një përvoje të gjatë në çështjet diplomatike, çfarë duhej të bënte më mirë Shqipëria në procesin e saj të integrimit?

Varufakis shkruan se: “demokracia evropiane është e pamundur, sepse një demos evropian është i pamundur. Është vajtimi i një evropiani që beson se një demos evropian është plotësisht i mundur, por se BE-ja ka lëvizur në drejtim të kundërt”. Nëse vazhdohet me drejtimin e kundërt, kur kujton se Franca e Holanda nuk e mbështetën në referendumet e tyre kushtetutën e BE-së, apo Britania u largua,  a mendoni se po merr fund ëndrra evropiane?

U përgjigja më lart, shkurtimisht. Tani disi më të gjatë. Ëndrra evropiane ne fakt shtrat ka pasur marrëdhëniet komunitare ndaj autonomisë individuale, diversitetit kulturor ndaj asimilimit, cilësisë të jetës ndaj akumulimit të pasurisë, zhvillimit të qëndrueshëm ndaj rritjes të pakufizuar të pasurisë, të drejtat universale të njeriut, bashkëpunimin global ndaj ushtrimit hegjemonist të fuqisë. Mendoj se ëndrra evropiane shihet në një lloj udhëkryqi midis post-modernizimit dhe epokës globaliste, si të thuash, midis dy epokave.

Sesi ka dalë ajo ëndërr, mund të shihet nëse pyetet: si ka mundësi që kemi mbërritur në një botë të ndarë më shumë se kurrë midis të pasurve dhe të varfërve?! Përse diskriminohen gratë, njerëzit me ngjyrë, minoritetet etnike!? Përse prishet ambjenti, përse helmohet biosfera1? Përse disa shtete bullizojnë shtete të tjerë dhe kërkojnë me ngulm hegjemoni përmes luftërave dhe nënshtrimit!? Përse njerëzit janë bërë si makina, si “drone” me që manovrohen në distancë!?

Sipas kritikëve, mendimi modern është përdorur, dhe vazhdon të përdoret, për të justifikuar politikat (ish) kolonialiste nëpër botë, për të mbajtur të përçarë njerëzit nga njeri tjetri dhe në kushte nënshtrimi ndaj fuqive. Ka kritikë, por ka edhe justifikime, dhe anashkalim. Vullneti i evropianëve për të pranuar më me gatishmëri kritikën lidhet, në masë të madhe, me shkatërrimin që i sollën Evropës dy luftrat botërore si dhe hija e gjatë e një kontinenti që në vitin 1945 ishte krejt i rrënuar si pasojë e përqafimit të një vizioni apo pasioni utopik ideologjik.

Intelektualët evropianë kanë qenë shumë të ndjeshëm dhe të zellshëm që të sigurohej që dogmat e vjetra nuk do i tërhiqnin kurrë më në rrugën e shkatërrimit. Ëndërra evropiane ka qenë dhe është përpjekje për të krijuar një kuadër të ri historik që edhe çliron individin nga zgjedha e ideologjisë perëndimore-lindore, edhe lidh njerëzimin me një histori të re të përbashkët. Kjo e mbështjellë me vellon e të drejtave universale të njeriut, që studiuesit e kanë quajtur “ndërgjegje globale”.

Ëndrra evropiane është e fuqishme se ka guxuar të flasë për një histori të re, që bën kujdes për cilësinë e jetës, për qëndrueshmëri, paqe dhe harmoni. Ëndrra evropiane ka sugjeruar fillimin e një historie të re më shumë sesa fundin e një historie tjetër, të vjetër. Ajo ëndërr përfaqëson aspiratat më të mira të njerëzimit për një të nesërme më të mirë.

Gjenerata e re e evropianëve bart me vete shpresat e botës. Baballarët themelues u frymëzuan nga ato shpresa dhe e ngritën ëndrrën evropian si në zbatim të formulimit brilant nga Viktor Hygo, ish-President i Konferencës të Paqes në Paris në 1853 – “Shtetet e Bashkuara të Evropës”.

Si një evropian i angazhuar, them se Evropa duhet ta hedhë tej shpirtin e luftës për pushtet, fuqi, përfshirë atë ushtarakë. Narrativa e BE-se sigurisht që duhet të flasë për forcë, por për forcë për të bërë të mira në botë. Forcë që nuk është si ajo sfera e Kantit “e paqes eterne”, apo ajo e Hobbs e “luftës të të gjithëve kundër të gjithëve”. Ideali i Evropës, zëvendësimi i të kaluarës të saj destruktive me promovimin e paqes përmes negociatave dhe shtetit të së drejtës, është plotësisht i justifikueshëm.

Integrimi më i madh politik do të thotë jo eksperiment marrëdhëniesh ndërkombëtare, apo bërryla, si ka qenë në të kaluarën, por të ketë më shumë peshë dhe ndikim në botë sesa deri tani, në formën e sotme, me shtete evropiane brenda dhe më të tjera jashtë saj. Që të mundet të japë kontribut të ndjeshëm në çështjet dhe qeverisjen globale. Ndoshta është nevoja për një mea culpa, e të ndreqet e vijë në vend zbatimi i ëndrrës”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button