Ekonomia

Drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali jep dorëheqjen: Nuk ka asnjë dobësi, dua t’i dedikohem vajzës!

Drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali ka dhënë sot dorëheqjen nga posti që mbante prej 1 viti e gysmë. Dorëheqja bëhet për arsye personale, sipas deklaratës së bërë prej Spiropalit në rrjetin social Facebook.

Ish Drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali
Ish Drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali

Largimin nga detyra ajo e lidh me faktin e të bërit nënë, ndërsa sqaron se do ti dedikohet tërësisht vajzës së saj. “Nuk ka asnjë dobësi në këtë tërheqje. E gjitha lidhet me përjetimin tërësisht individual të të bërit rolin e nënës me preokupimet përkatëse, pasi jam mësuar deri këtu të bëj vetëm vajzën. Por edhe me bindjen se tërheqja ime nuk do të krijojë asnjë boshllëk tashmë që themelet e punës sonë janë hedhur”.

STATUSI I PLOTE I SPIROPALIT

Të dashur kolegë dhe punonjës të Doganës Shqiptare!

Ndjehem e lumtur që m’u dha mundësia të njihem dhe punoj me ju.

Jam mirënjohëse ndaj secilit prej jush për faktin se në një periudhë tepër të vështirë u bëmë ballë me sukses të prekshëm sfidave thelbësore.

Kryem së bashku reforma të rëndësishme dhe të nevojshme prej vitesh:

Reformën administrative; Reformën legjislative; Reformën e procedurave; Reformën anti-korrupsion.

Marrëdhëniet mes biznesit dhe doganës i futëm në procesin pa kthim të një transformimi historik, duke i shndrruar nga marrëdhënie të deformuara klientelizmi dhe shantazhi korruptiv, në marrëdhënie dialogu dhe partneriteti.

Bëmë të mundur rritjen më të lartë të të ardhurave ndër vite përmes një lufte sistematike dhe pa kompromis kundër paligjshmërisë, evazionit dhe kontrabandës.

Një vit e gjysëm nuk është mjaft për të bërë bilancin e një pune që vazhdon.

Por unë sapo përjetova momentin më të rëndësishëm në jetën e një gruaje, lindjen e fëmijës së parë. Prandaj edhe dua mirëkuptimin tuaj për ndërprerjen e shërbimit tim në krye të Doganës Shqiptare.

Jua kërkoj këtë e bindur se ju nuk do ta merrni si një llogari egoiste. Nuk ka asnjë dobësi në këtë tërheqje. E gjitha lidhet me përjetimin tërësisht individual të të bërit rolin e nënës me preokupimet përkatëse, pasi jam mësuar deri këtu të bëj vetëm vajzën. Por edhe me bindjen se tërheqja ime nuk do të krijojë asnjë boshllëk tashmë që themelet e punës sonë janë hedhur.

Faleminderit të gjithëve ju, nga i pari tek i fundit pa dallim. Faleminderit për punën plot pasion dhe sakrifica që vetëm nga brenda “mureve” të sistemit doganor mund të kuptohet se sa e vështirë është.

Faleminderit Ministrit të Financave, njeriut korrekt dhe rigoroz që me këmbënguljen e tij për të kërkuar gjithnjë më shumë, më ka ndihmuar dhe më ka mësuar shumë.

Faleminderit Kryeministrit, njeriut që nuk më la asnjëherë vetëm përballë momenteve të vështira të detyrës.

E falenderoj Kryeministrin për besimin, ndihmën dhe frymëzimin që më ka dhënë për transformimet pozitive të punës, modernizimin e sistemit, shndrrimin e administratës nga një fole parazitizmi dhe korrupsioni në një bashkësi të vetëdijshme për kryerjen e detyrës.

Ju uroj të gjithëve megjithë shpirt vazhdim të mbarë në rrugën e nisur së bashku një vit e gjysëm më parë.

S’kam asnjë dyshim se në fund të këtij mandati, do të jemi të gjithë krenarë për rolin e Doganës Shqiptare në shërbim të Shqipërisë dhe të integrimit të saj të plotë në Bashkimin Evropian.

Përqafime dhe suksese,

Elisa Spiropali

Related Articles

Nje koment

  1. Ik moj vajze nga ai vend pune sepse eshte veshtire te punosh me krokodila te pa ngopur gjithshka qe cdoganohet duhet tua japish qeneve politikane me kollare.ato po bejne plane per ti ngrene koken e njeri tjetrit per te vrare njeri tjetrin ti o popull pret qe te te drejtojne .ata po I dhurojne makinat luksoze ti o popull nuk ke para per te paguar energjine elektrike,

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button