Ekonomia

Tendenca e ekonomike, rritet besimi të biznesi, por jo te konsumatori

Treguesi i tendencës ekonomike shënoi një përmirësim të ndjeshëm në sektorin e biznesit, duke u rritur me 8.5 pikë në tremujorin e tretë të vitit, teksa konsumatorët  thelluar rënien e besimit në ekonomi me -0. 5 pike raportoi sot Banka e Shqipërisë duke publikuar treguesin i ndjesisë ekonomike (TNE).

Niveli aktual i TNE-së shënon vlerën 109.2, duke qenë rreth 9.2 pikë mbi mesataren afatgjatë.  Banka e Shqipërisë në vrojtimin për këtë qëllim referoi se, tendenca rritëse e TNE-së pasqyroi përmirësimin e besimit të biznesit në të gjithë sektorët e ekonomisë, ndërkohë që besimi konsumator shënoi një rënie të lehtë në tremujorin në analizë.

Duke filluar nga muaji maj i vitit 2016, Banka e Shqipërisë realizon Vrojtimet e Besimit të Harmonizuara, nën programin e Komisionit Evropian për Harmonizimin e Vrojtimeve të Besimit Konsumator dhe të Biznesit për vendet anëtare dhe kandidate të Bashkimit Evropian.

Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) shënoi rritje prej rreth 8.6 pikësh përqindjeje gjatë tremujorit të tretë të vitit 2016 dhe qëndron 12.2 pikë përqindje mbi mesataren historike (grafik 2). Rritja e TBI-së pasqyron përmirësimin e balancës së kontratave porositëse (rritur me 13.8 pikë përqindje).

Ndërkohë, balanca e gjendjes së inventarëve u rrit me 0.5 pikë përqindje dhe ndikoi lehtësisht në kahun frenues për rritjen e TBI-së. Balancat që nuk përfshihen në llogaritjen e TBI-së, si porositë nga eksportet, gjendja financiare dhe pritjet për prodhimin për tremujorin e ardhshëm rezultojnë të përmirësuara në tremujorin e tretë.

Gjithashtu, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri vlerësohet rreth 77.0%, duke qëndruar 2.4 pikë përqindje më lart se tremujorin e mëparshëm dhe 4.8 pikë përqindje mbi mesataren historike të saj.

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) vazhdoi të rritet në tremujorin e tretë. Niveli i TBN-së rezultoi 11.2 pikë përqindje më i lartë se tremujorin e mëparshëm, duke qëndruar mbi mesataren e tij historike (+4.8 pikë përqindje) për të parën herë që prej tremujorit të parë të vitit 2011 (grafik 3).

Rritja e besimit në këtë sektor i atribuohet përmirësimit të të dy komponentëve përbërës: balancës së ecurisë së aktivitetit ndërtues, e cila u përmirësua ndjeshëm me 15.7 pikë përqindje; dhe, balancës së kontratave porositëse, e cila u rrit me 6.7 pikë përqindje.

Përmirësim kanë shënuar edhe balancat e tjera të lidhura me gjendjen financiare, punësimin, dhe pritjet për të në tremujorin e ardhshëm. Bizneset raportojnë të kenë shfrytëzuar kapacitetet e tyre prodhuese me 69.3%, një normë 1.8 pikë përqindje më e lartë se një tremujor më parë dhe rreth 4.8 pikë përqindje më e lartë se mesatarja historike.

Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSh) vijoi tendencën rritëse në tremujorin e tretë të këtij viti. TBSH u rrit me 3.7 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, duke rezultuar 9.1 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij (grafik 4). Përmirësimi i besimit në sektorin e shërbimeve i atribuohet kryesisht rritjes së balancës së kërkesës, me 5.6 pikë përqindje, dhe të balancës për ecurinë e biznesit, të rritur me 1.9 pikë përqindje.

Balancat e tjera si – gjendja financiare, pritjet për ecurinë e kërkesës dhe të punësimit në tremujorin e ardhshëm – shënuan dinamika pozitive në tremujorin e tretë. Gjithashtu, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve u rrit me 0.8 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm, duke qëndruar në 78.6%. Kjo normë është rreth 2.1 pikë përqindje mbi mesataren e saj historike.

Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) u rrit me 14.2 pikë përqindje në tremujorin e tretë, pas ecurisë rënëse të shfaqur në gjysmën e parë të vitit. Kjo dinamikë e fortë pozitive e zhvendosi treguesin mbi mesataren historike, me rreth 8.5 pikë përqindje (grafik 5). Niveli i TBT-së pasqyroi kryesisht rritjen e lartë të balancës së ecurisë së biznesit me 23.0 pikë përqindje.

Gjithashtu, në kahun përmirësues ndikoi edhe balanca tjetër formuese e TBT-së – pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm – e cila vazhdoi të rritet me 5.5 pikë përqindje. Në kahun përmirësues rezultuan edhe balancat e gjendjes financiare dhe të punësimit, si edhe pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm.

Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti qëndroi në 74.6%, duke shënuar një rritje të lehtë me 0.7 pikë përqindje kundrejt tremujorit të mëparshëm. Megjithatë, kjo normë mbetet 3.6 pikë përqindje poshtë mesatares historike të saj.

Treguesi i besimit konsumator (TBK) ra me 0.5 pikë përqindje në tremujorin e tretë të vitit, pas përmirësimit të lehtë një tremujor më parë. Ecuria e TBK-së mbetet e luhatshme dhe treguesi qëndron rreth 1.8 pikë përqindje poshtë mesatares historike të tij (grafik 6).

Balancat të cilat kontribuan në kahun rënës për vlerën e TBK-së lidhen me pyetjet për situatën e të ardhurave dhe shpenzimeve (balanca ra me 2.8 pikë përqindje) dhe për blerjet e mëdha (balanca ra me 1.3 pikë përqindje).

Ndërkohë, dy balancat e tjera formuese të TBK-së, situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend dhe situata financiare e pritur e familjes, shënuan rritje të lehta me përkatësisht 1.3 dhe 0.9 pikë përqindje. Balanca të tjera nga vrojtimi i besimit të konsumatorit si blerjet e mëdha në të ardhmen, situata aktuale dhe e pritur e kursimeve shënuan rënie krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button