Libri

Driada Dervishi “ndërton” një qytet për fëmijët

Shfaqja është bazuar në operën “Ne ndërtojmë një qytet”, shkruar në vitin 1930 nga kompozitori gjerman, Paul Hindemith. Me një sukses ndërkombëtar, është e para herë që përshtatet në shqip dhe ngjitet në një skenë shqiptare

Ajo është një histori që çdo fëmijë do të donte ta jetonte. Një histori që zhvillohet në një qytet të pazakontë, sipas imagjinatës së vetë fëmijëve, ku mund të argëtohesh pa fund në prag Krishtlindjesh. Regjisorja Driada Dervishi prej kohësh ka dashur ta sjellë këtë qytet, për fëmijët shqiptarë. Sot në mbrëmje ajo do të ngjisë në skenën e Teatrit Kombëtar, teatrin muzikor “Një qytet për fëmijë”, një shfaqje me aktrim, këngë e vallëzim, që rrëfen qytetin më të bukur në botë, atë që ëndërrojnë fëmijët … Kryetari i bashkisë është një djalë i ri, i talentuar dhe shumë i përkushtuar për mbarëvajtjen e qytetit. Ai është një djalosh 10–vjeçar që drejton qytetin gazmor të festave, ndërtuar nga fëmijët dhe për fëmijët … Aty ku shkolla që mendojnë për argëtimin, furra me bukë të ngrohta për mëngjes, ëmbëlsira të gjithfarëllojshme, shtëpi të ndërtuara me borë dhe klinika dentare e spitale e madje aq mirë i strukturuar është sa nuk kanë lënë pas dore edhe turizmin, ku vizitorë nga e gjithë bota ndalen të kalojnë pushimet dimërore dhe festat e fundvitit në këtë qytet të pazakontë … Është kjo atmosfera që sjell shfaqja teatrale muzikore “Një qytet për fëmijë”, e cila vjen premierë sonte në mbrëmje si një kartolinë në prag të festave, organizuar nga Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar dhe Shkollën e Baletit. Premiera, e realizuar nën drejtimin e Monika Lubonjës, vjen me regji të Driada Dervishit, skenari është përshtatur nga Rovena Rrozhani, ndërsa formulimi muzikor është realizuar nga Sajmir Çili, koreografe të shfaqjes janë Blerina Arbana dhe Enada Hoxha. Shfaqja është bazuar në operën “Ne ndërtojmë një qytet” shkruar në vitin 1930 nga kompozitori gjerman Paul Hindemith. Me një sukses ndërkombëtar, është e para herë që përshtatet në shqip dhe ngjitet në një skenë shqiptare. Historia e shfaqjes është vendosur në prag të festave të fundvitit, kohë kur fëmijët gëzohen për pushimet, dhuratat dhe dëshirat që i kanë më shumë për zemër. Një nga dëshirat e tyre është që të ndërtojnë një qytet, një qytet vetëm për fëmijët. Por si mund të jetë ky qytet? Cilat janë dëshirat e fëmijëve për qytetin më të bukur në botë? Në një udhëtim zbavitës, me muzikë, kërcim dhe humor, zbulohet një ëndërr e përbashkët e të gjithë fëmijëve. Një ëndërr e bukur nën bredhin e festave. Fëmijët aktrojnë, këndojnë dhe vallëzojnë nën flokët e borës që mbulojnë skenën e Teatrit Kombëtar, që kësaj here i ka çelur dyert për një shfaqje për fëmijë, të cilët presin në këtë premierë jo vetëm bashkëmoshatarët e tyre, por edhe të gjithë atë që dëshirojnë të argëtohen në shpirtin e festave dhe me një qytet vetëm me fëmijë edhe për fëmijë … Pas premierës, organizatorët mendojnë ta sjellin shfaqjen sërish në skenën e teatrit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button