Duarlidhuri Rama

Kryeministri, Edi Rama dora vetë, vijon thuajse çdo ditë t’i tregojë popullit pasojat halleshumë që i ka shkaktuar vendimi i SPAK/GJKKO me pezullimin e Belinda Ballukut nga Ministre dhe Zëv. Kryeministre – që nga pamundësia e nënshkrimit të marrveshjeve ndërkombëtare, projekteve dhe vendimeve sektoriale e deri tek pamundësia për të shkarkuar të dy të bashkëakuzuarit e tjerë, drejtuesi i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe drejtuesi i Korporatës Elektronergjetike Shqiptare (KESH).
Hallet e tij janë hallet e popullit, ai popullit i flet, as preson as shantazhon drejtesinë që vetë e ka reformuar, mos o zot. Por, ndërsa popullit i flet edhe për dhunën gjykatore mbi kompetencat (Krye)ministrore, edhe për Komisionin e Venecias dhe rekomandimet e tij parimore për mungesën e pezullimeve ministrore në botën perendimore, mungesë kjo aspak rastësore, harron a bën sikur harron se të gjitha këto halle ai i zgjidh po vete, fët e fët me një të rënë të lapsit, e na hiqet e qahet se paska mbetur duarlidhur nga pezullimi i Ballukut ndaj kërkon mbështetjen popullore për t’ia zgjidhur duar nga litari i padrejtësisë gjykatore.
Që Rama, me një të shkarkuar të shpejtë të Ballukut i zgjidh po vetë të gjitha këto halle këtë e di i madh e i vogël. Në alternativë, Rama, me një amendim të thjeshtë mund të plotësojë nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale (KPP) dhe njësoj si për të zgjedhurit pezullimi të ndalohet edhe për ministrat, pasi këta sipas Kushtetutes gëzojnë imunitet të njejtë me të zgjedhurit dhe Rama i ka mbi 84 vota për këtë ndryshim. Ngaqë nuk bën as njërën as tjetrën njerëzia pyet për hallet e vërteta të Ramës në raport me çështjen Balluku.
Lidhur me këtë çështje njerëzia ndahet në dy kategori: ata që mendojnë se Rama e di që Balluku është fajtore dhe ai nuk e shkarkon, me hir a pahir, sepse mbron veten dhe ata që mendojnë se Rama e di se Balluku është e pafajshme (lidhur me këto akuza të paktën) ndaj nuk e shkarkon se s’mund e s’duhet t’i hapë kështu rrugë një precedenti të rrezikshëm antikushtetues. Për të dy palët mbetet pa përgjigje pyetja se pse Rama kërkon t’a zgjidhë çështjen me Gjykatën Kushtetuese, mënyrë kjo jo plotësisht e sigurt, dhe jo me amendim ligjor, mënyrë kjo plotësisht e sigurt.
Pavarësisht këndvështrimit të njerëzisë, në të dy rastet pasojat për të cilat Rama na ankohet ditë pas dite janë të njëjta e, në llogari të fundit, rrjedhojë e vendimit që ai ka marrë për të mos e shkarkuar Ballukun, komplet ndryshe nga rastet e tjera kur ai i ka paraprirë vendimeve të pritshme të drejtësisë me shkarkimin pararendës të vartësve, ndaj, afërmendësh këto pasoja, të vetëshkaktuara me mosveprim, nuk mund të shërbejnë si argumente në gjykimin kushtetues të çështjes. O je dakord me Ramën dhe i pranon pësimet nga pasojat e vetëshkaktuara prej tij, o je kundër Ramës dhe nuk ia pranon pretendimet e tij për pasojat e vetëshkaktuara në fjalë.
Gjithsesi, çështja në fjalë – ajo e pezullimit të Ministrit, edhe Kryeministrit për rrjedhojë, me nje vendim gjykate të shkallës së parë në një procedim penal – është një çështje e rëndësishme, që duhet trajtuar me maturi.
Neni 242 i KPP është ekstremisht i qartë – përjashtohen nga pezullimi vetëm të zgjedhurit me votë dhe GjKKO/SPAK e kanë zbatuar fjalë për fjalë. Gjithashtu, kurrkund në Kushtetutë nuk citohet kompetenca pezulluese e Kryeministrit për Ministrin dhe pezullimi gjykator nuk ka se si të ketë rrembyer a cënuar një kompetencë kryeministrore që nuk ekziston në Kushtetutë. Kjo për ministrin nuk është as harresë e kushtetutëbërësit sepse Kushtetuta i ka të përcaktuara fare mirë rastet e tjera kur një pezullim i këtillë bëhet me vendim të organit të emërtesës. Për rrjedhojë, Kryeministri nuk ka si të legjitimohet si ankimtar në Gjykatën Kushtetuese se nuk i është shkelur a rrembyer ndonjë kompetencë nga gjykata (pavarësisht pasojave mbi qeverisjen).
Rasti në fjalë eshte idem me rastin e 35 deputetëve opozitarë që nuk u legjitimuan nga Gjykata Kushtetuese lidhur me anashkalimin e Kuvendit nga GjKKO/SPAK në rastin e masave të sigurisë për Sali Berishën (në kundërshtim komplet edhe me praktikën parlamentare edhe atë gjyqsore të Sajmir Tahirit)– Gjykata Kushtetuese ju tha deputetëve se, ndonëse si grup prej të pakten ¼ e Kuvendit Kushtetuta ua njihte ankimin për cdo çështje, në rastin e konfliktit të kompetencës, nuk kish se si t’ju ishte shkelur nga gjykata një kompentencë parlamentare, sepse një kompetencë e këtillë atyreve nuk iu ishte dhënë shprehimisht nga Kushtetuta (pavarësisht pasojave – diskriminimi në trajtimin e mandatit opozitar kundrejt atij mazhoritar). Nëse gjykata Kushtetuese do jetë po aq cinike me Kryeministrin siç ishte me 35 deputetët opozitarë (vendim i gabuar sipas meje), duhet ta delegjitimojë edhe Kryeministrin, pa një pa dy.
Megjithatë duhet konsidruar se po vetë Kushtetuta përcakton se imuniteti i anëtarëve të Këshillit të Ministrave është i njejtë me atë të deputetëve dhe kjo e mban të hapur debatin, deri në nivel kushtetues, lidhur me zbatimin apo jo të pezullimit gjykator për ministrat (apo të Kryeministrit eventualisht) e, nëse po, përmes Kuvendit apo drejtpërdejt nga gjykata, dhe pra ky debat duhet bërë shterueshëm.
Nëse nuk jep zgjidhje Gjykata Kushtetuese duhet gjetur zgjidhje ligjore, jo vetëm për këtë çështje, por lipset një rishikim tërësor i imuniteteve siç nevojitet një rishikim thelbësor i procedurave gjyqsore por edhe i strukturës së drejtësisë në raport me të drejtat themelore të individit dhe me raportet e balancës e kontrollit të pushteteve në një sistem demokratik e pluralist.



