“Duhen vetëm 46 bashki”, Mazniku: Kundërshtimet ishin të pritshme, nuk cenohet asnjë shërbim për qytetarët
Pavarësisht oponencës së ardhur nga qytetarët e bashkive të vogla, mazhoranca nuk tërhiqet nga propozimi për hartën e re territoriale me 46 bashki.
Për Vizion Plus, hartuesi i reformës nga socialistët, Arbjan Mazniku pranoi se kundërshtimet ishin të pritshme, megjithatë shtoi se shkrirja e bashkive të vogla nuk heq shërbimet por e kundërta.
“Ka disa palë të cilët fitojnë dhe ka disa palë të cilët fitojnë më pak ose ndihen të rrezikuar. Ne jemi nisur me një reformë nga këshillimi që kemi për të siguruar që qytetarët të marrin shërbime më të mira, që investimet në terren t’i bëhen më të mëdha dhe më eficente, që punët publike të administrohen më mirë”, thotë Mazniku.
Qytetarët e bashkive të vogla sipas tij, nuk do t’iu duhet të shkojnë në qytetet e mëdha për të marrë shërbimet nga institucionet vendore.
“Asnjë shërbim i cili sot i ofrohet në njësinë e tyre administrative apo në bashkinë e sotme nuk do tju ofrohet në qytetin që krijohet me ligjin e ri. Ligji i ri krijon bashki, krijon qytetet dhe njësitë administrative. Nuk i ndërron asgjë qytetarit me reformën e re në raport me afërsinë e marrjes së shërbimit”, thotë Mazniku.
Mazniku jep edhe raste specifike ku bashkimi me qytetet e mëdha ka sjellë përmirësim infrastrukture dhe jo vetëm.
“Në Zona si Dardha e Korçës apo Gjinari i Elbasanit, pasi janë bërë pjesë e bashkisë, atje është përmirësuar infrastruktura, është përmirësuar turizmi, është përmirësuar marketingu i këtyre zonave, si zonë turistike”, thotë Mazniku.
Me nisjen e sesionit të ri parlamentar këtë muaj, kjo temë do të sjellë debate në punimet e kuvendit, megjithatë socialistët i kanë të qarta prioritetet.
“Do ketë debate e diskutime, në territor, në bashkitë respektive. E rëndësishme është që ne t’i shpjegojmë qytetarëve të të gjithëve zonave që kemi vënë përpara një propozim i cili sjell nga njëra anë fuqizimin e bashkive, fuqizimin e mendësisë që bashkitë ti shërbejnë në mënyrë më efiçente qytetarëve”, sqaron ai.
Në 31 korrik, Partia Socialiste depozitoi në parlament hartën e re territoriale e cila propozon 15 bashki më pak. Por ky propozim shkaktoi protesta në disa zona të vendit si Përrenjasi, Klosi, Cërriku dhe Poliçani.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.