Debati i vërtetë nuk është mbi pronarët e protestës, por mbi autorët e dështimit të saj
Aktivistët rrogëtarë pretendojnë se Partia Demokratike nuk mund t’i bashkohet protestës së tyre, pasi ata janë për ndryshimin e klasës politike. Partia Demokratike, nga ana e saj, nuk ka ndonjë detyrim ndaj tyre të japë llogari se kur duhet të protestojë, pasi ata nuk janë drejtoria e dhënies së licencave për protesta.
Në fakt, debati më i vërtetë në këto momente nuk duhet të jetë se kush është pronari i protestës, por kush është autori i dështimit të saj.
Aktualisht, në Shqipëri nuk ka ndonjë protestë popullore. Kemi një burokraci të protestës, një grup aktivistësh me rrogë që drejtojnë dhe trajnojnë të rinj të dhunshëm çdo pasdite në Tiranë, si dhe Partinë Demokratike, si qejflie protestash, që bën të njëjtën gjë, por me logjistikën e saj.
Nëse do të kishim protesta popullore, njerëzit do të mbushnin rrugët dhe nuk do të kishte vend për këto debate. Nëse do të kishim protesta studentore, studentët do të linin mësimet, universitetet do të ishin bosh, nxënësit do të ishin në rrugë dhe nuk do të kishim mundësi për këto debate.
Nëse do të kishim protesta popullore, punëtorët do të linin punët, njerëzit do të ishin në rrugë dhe vendi do të ishte në kaos deri në dorëheqjen e qeverisë.
Aktualisht kemi një fluks protestuesish nga 200 vetë deri në 20 mijë vetë në ditët më të mira, të trajnuar të vjedhin, të djegin dhe të shkatërrojnë disa prona në qendër të Tiranës dhe pastaj të zihen si qentë endacakë në rrugë se kujt i takon kazani i plehrave për t’u djegur.
Ky është degradimi i protestave qytetare që nisën dhe debati mes PD-së së Berishës dhe këtyre aktivistëve burokratë të protestës duhet të jetë se kush i katandisi kështu protestat. PD-ja është parti e madhe dhe është turp të zihet se e kujt është kjo protestë. Ajo, edhe sikur t’ia falnin, nuk duhet ta pranonte këtë profil proteste, pasi një të tillë Shaban Memia e ka bërë me një të fishkëllyer pas vitit 1997, pa djegur e prishur kaq shumë.
Këta aktivistët burokratë të protestës mund ta marrin përsipër, pasi janë pjesë e OJQ-ve që financojnë protestën dhe u duhen ngjarje për të justifikuar borderotë. Por kjo nuk është protestë që ndryshon gjë në Shqipëri, përveçse shton tek qytetarët fobinë ndaj protestave të dhunshme.
Të grindesh se i kujt është ky revolucion është sikur të grindesh për atësinë e një fëmije që ka lindur i vdekur. I vetmi debat që ka kuptim është se kush e vrau pa lindur ende këtë revolucion.
Siç ka thënë edhe Lenini në veprën Mësimet e revolucionit(meqë shumica e aktivistëve janë leninistë ), revolucionet që shpërthejnë përpara se të piqen kushtet historike për triumfin e tyre janë të dënuara të dështojnë.
Ky revolucioni ynë nuk ka shpërthyer akoma. Kur të shpërthejë, ndoshta do t’i njohim udhëheqësit e tij. Tani njohim vetëm këta qejflinjtë e revolucioneve, të cilët, përpara se ta bëjnë revolucionin, zihen për karrigen e Leninit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.