Bota

DW/Ekonomia gjermane i druhet fitores së të majtëve në zgjedhje

Sipërmarrës, politikanë e analistë i druhen fitores së mundshme të tri partive të majta në zgjedhjet parlamentare. Sipas tyre, taksat e reja do të godasin aftësinë konkurruese të Gjermanisë.

Në bazë të sondazheve të fundit duket një mundësi reale që qeveria e ardhshme gjermane të përbëhet nga një koalicion tri partish të spektrit të majtë politik: nga socialdemokratët (SPD), Të Gjelbrit dhe partia E Majta.

Përballë këtij fakti, kryesisht konkurentët politikë, por edhe përfaqësues të ekonomisë paralajmërojnë për pasojat që mund të kishte kjo për Gjermaninë.

Kryetari i CSU-së bavareze, Markus Söder tha së fundi se “rritjet e taksave, që planifikojnë SPD dhe E Majta…do ta dëmtojnë ekonominë…dhe do të asgjësojnë çdo angazhim të sipërmarrësve.” Ndërsa kryetari i CDU-së, Armin Laschet tha se do të luftonte me të gjitha mjetet që ky vend “të mos merret nga ideologët”. Kryetari i liberalëve të FDP, Christian Lindner kujton se si socialdemokratët, ashtu edhe Të Gjelbrit “duan të rrisin barrën tatimore në vendin e taksave më të larta, në Gjermani. Të dyja (partitë) mbrojnë kolektivizimin e mëtejshëm të financave në Evropë. Scholzi madje dëshiron të vendosë një taksë të re, për BE, dhe risigurimin për sigurimin e papunësisë. Si pasojë, punonjësit në Gjermani do të paguanin pasojat e politikave të gabuara ekonomike diku tjetër.”

Ngjashëm janë shprehur edhe përfaqësues të sipërmarrjeve të mesme gjermane. Përfaqësues të ndryshëm e quajnë këtë “skenarin më të keq” për sipërmarrjet e tyre.

Shumica e këtyre sipërmarrjeve në Gjermani janë në pronësi familjare. Ato sigurojnë 60 përqind të vendeve të punës me sigurime shoqërore në Gjermani. Prandaj pesha e tyre në ekonomi dhe në votë është e ndjeshme.

Faktorët e frikës për një zhvendosje majtas të politikës

Si socialdemokratët, si Të Gjelbrit, edhe më fort partia E Majta një pjesë të partive e kanë të krahut pacifist dhe radikal të majtë. Ky spektër ka kërkesa të caktuara, që pasqyrohen, për momentin, në programet zgjedhore. Sa prej këtyre kërkesave do të gjejnë zbatim në programin e qeverisë së ardhshme dhe më tej në realitet, kjo është e panjohur. Por zakonisht partitë e majta janë më të hapura për ndërhyrje të shtetit në ekonomi.

Një ambjent rregullator më i fortë, një rishpërndarje e të ardhurave nga më të pasurit tek më të varfrit, të lidhura zakonisht me politika të partive të majta kuptohet që nuk i frymëzojnë sipërmarrësit. Si pasojë e politikave të tilla ata druhen edhe se aftësia për konkurencë e ekonomisë gjermane do të bjerë.

Gazetës ekonomike gjermane, Handelsblatt, sipërmarrës të ndryshëm i thanë se druhen se me ardhjen në pushtet të partive të majta, në Gjermani do të krijohen ose ashpërsohen një sërë problemesh. Së pari ata druhen për lirinë si sipërmarrës. “me një koalicion kuq-gjelbër-kuq (SPD-Gjelbër-E Majta) shteti do të ndërhyjë pa eficiencë në treg dhe do të frenojë të gjitha inovacionet”, i tha një sipërmarrës i ri i suksesshëm gazetës.

Frika e dytë është konkrete, janë taksat për sipërmarrjet (dhe invididët me të ardhura të larta).

Si socialdemokratët, si Të Gjelbrit, edhe më fort partia E Majta janë për rifutjen e një takse për pasurinë. Me përjashtim të socialdemokratëve, taksën për pasurinë Të Gjelbrit dhe E Majta do ta aplikonin edhe sikur sipërmarrjet të mos kishin fitime. Kjo do të thotë, se në një rast të tillë, sipërmarrjet duhet ta paguanin taksën nga pasuria e tyre private, nga substanca e tyre: qoftë edhe duke pushuar njerëz nga puna. “Që në krizën tjetër kjo do t’i rrezikonte tepër shumë sipërmarrje në ekzistencën e tyre”, i thanë disa sipërmarrës gazetës Handelsblatt.

Si politikanë konservatorë, ashtu edhe sipërmarrësit flasin për një hap drejt shpronësimit të sipërmarrjeve, pasi kjo taksë godet pronarët dhe të drejtat e tyre.

E Majta dhe socialdemokratët kërkojnë në programet zgjedhore edhe një ashpërsim të taksës së trashëgimisë. Kjo shihet si e padrejtë dhe një goditje tjetër nga sipërmarrjet e mesme.

Së treti,  sipërmarrjet i druhet rregullimit të skajshëm të ekonomisë, me ndërhyrjen e partive të majtëa. Programi i Të Gjelbërve p.sh. thekson besimin te shteti. Shumë sipërmarrje të mesme kanë frikë se po hynë në qeveri Të Gjelbrit, do të rriten shumë çmimet për energjinë dhe do të shtohet shumë burokracia. Të Gjelbrit kanë thënë se duan t’i ndalojnë përdorimin e automjeteve me motorë me djegie. “Kjo do t’i jepte fund një teknologjie, për të cilën ende kanë nevojë në të gjithë botën dhe që me karburantë sintetikë do të ishte një opsion neutral ndaj klimës”, shprehet Lindner nga liberalët e FDP-së.

Fuqia konkuruese e ekonomisë gjermane ndikohet pjesërisht nga politika

Edhe qendra të njohura kërkimore, si Institut Montaigne me qendër në Paris, vërejnë se një sistem i ri taksash mund të ulë aftësinë konkuruese të ekonomisë gjermane në tërësi.

Taksat e reja të shpallura nga SPD, Të Gjelbrit dhe E Majta, sipas vëzhguesve, pakësojnë  kapitalin e sipërmarrjeve familjare. Me këtë pakësohet edhe “besueshmëria për kredi e sipërmarrjeve.” Kjo do të sillte gradualisht humbje të besimit te fuqia e sipërmarrjeve gjermane.

Analistë të tjerë e shohin të tepruar dhe më tepër psikologjike frikën që shoqëron një ardhje të mundshme në pushtet në Gjermani të një koalicioni të partive të majta.

Edhe për këtë grup analistësh nuk ka dyshim se propozimet për taksa të partive të majta synojnë një rishpërndarje më të gjerë.

Në një kohë që taksat për personat me të ardhura të mesme dhe të ulëta duan t’i ulin të gjitha partitë, socialdemokratët dhe partitë e tjera të majta, për të më pasurit, duan t’i ngrenë taksat.

Por ata kujtojnë se ekonomia gjermane ka kohë që e ka zhvendosur një pjesë të kapaciteteve prodhuese jashtë vendit, edhe në Evropën Qendrore. Më tej, janë investimet e mëdha në kërkime shkencore, sidomos vitet e fundit, me të cilat Gjermania e ushqen fuqinë e saj inovatore. Kjo forcë inovatore është burimi i forcës së eksporteve gjermane.

Ekonomia është aktualisht një nga temat kryesore që i preokupon gjermanët, sipas sondazheve. Kjo ndodh në një kohë kur Gjermania nuk ka probleme të mëdha ekonomike. Mbetet të shihet pas zgjedhjeve të 26 shtatorit, nëse ngjitja e ekonomisë në preokupimin kryesor të gjermanëve është projektim i frikës për ndërrim të drejtimit politik në Gjermani, apo nëse ajo ka bazë reale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button