Dy shqiptarë arrestohen për trafik kokaine në Itali, një prej tyre dyshohet edhe si furnizuesi kryesor i rrjetit!
Pesë persona janë arrestuar në Itali, në kuadër të një hetimi për trafikimin e kokainës.
Mes tyre janë edhe dy shqiptarë, të cilët jetonin në rajonin e Lombardisë.
Njëri prej tyre, 49 vjeç dyshohet nga autoritetet italiane si furnizuesi kryesor i kokainës për zonën ku vepronte rrjeti.
Operacioni u krye nga Karabinierët, pas një hetimi që kishte nisur në muajin shkurt, kur policia sekuestroi disa gramë kokainë te persona që dyshohet se e kishin blerë atë në banesën e një 59-vjeçari.
Pas këtij episodi, hetuesit zgjeruan kontrollet përmes përgjimeve dhe vëzhgimeve, duke zbuluar një rrjet të dyshuar furnizimi dhe shpërndarjeje të lëndëve narkotike. Sipas hetimeve, kokaina u dërgohej klientëve drejtpërdrejt në banesa apo në vendet e tyre të punës.
Gjatë operacionit, autoritetet zbuluan edhe dy raste të transportimit të drogës. Dy persona, 59 dhe 62 vjeç, ishin arrestuar më herët, pasi në automjetet e tyre u gjetën përkatësisht 100 dhe 33 gramë kokainë.
Në mesin e të arrestuarve është edhe 49-vjeçari me origjinë shqiptare, i cili prej disa muajsh ndodhet në burg për një tjetër çështje, që lidhet me sekuestrimin e 94 kilogramëve kokainë. Sipas hetuesve, një pjesë e kësaj sasie dyshohet se ishte e destinuar për tregun e drogës në zonën e Triestes.
Pas ekzekutimit të masave të sigurisë, tre personat nga Italia u dërguan në burgun e Triestes, ndërsa dy shqiptarët u transferuan në burgjet e Bergamos dhe Breshias.
Të pesë personat dyshohen për mbajtje dhe trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit të grupit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.