“Dy vitet e fundit kemi dalë me humbje”, fermerët e Maliqit kërkojnë treg për prodhimet
Fermerët e fushës së Maliqit po përballen me vështirësi në tregtimin e prodhimeve bujqësore. Qindra kuintalë grurë dhe sasi të mëdha qepësh vijojnë të mbeten në magazina, ndërsa çmimet nën koston e prodhimit po i detyrojnë fermerët të punojnë me humbje dhe të reduktojnë sipërfaqet e mbjella.
Besnik Dervishaj, i cili kultivon qepë, thotë se gjatë dy viteve të fundit ka punuar me humbje, ndërsa mungesa e tregut e ka detyruar të ulë sasinë e prodhimit.
“Dy vitet e fundit kemi dalë me humbje. Kam mbjellë rreth 500 kuintalë qepë dhe vitin e kaluar nuk fitova asnjë lek. Kemi vështirësi me prodhimin dhe shitjen, ndaj nuk mund të mbjellim më aq shumë sa më parë”, thotë Dervishaj.
Problematika është e pranishme edhe te gruri i sezonit të kaluar. Sipas përgjegjësit të Sektorit të Bujqësisë në Bashkinë Maliq, Aurel Zenunllari, shkaku kryesor është çmimi i ulët që ofrojnë tregtarët dhe jo mungesa e prodhimit apo problemet me cilësinë.
“Oferta për blerjen e grurit është shumë e ulët dhe, sipas fermerëve, çmimi aktual është nën koston e prodhimit. Për këtë arsye, prodhimi mbetet i magazinuar. Probleme ka pasur edhe me shitjen e qepës”, thotë Zenunllari.
Sipas të dhënave të Sektorit të Bujqësisë, vitin e kaluar në fushën e Maliqit u mbollën rreth 3 700 hektarë grurë dhe 700 hektarë qepë. Vështirësitë më të mëdha në shitjen e grurit janë evidentuar në zonat e Sheqerasit, Ormanit dhe Drithasit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.