SHBA – Moti i keq vështirëson procesin e votimit në disa shtete
UASHINGTON, 3 nëntor /ATSH-DPA/ – Stuhitë dhe reshjet e dendura të shiut kanë vështirësuar procesin e votimit në disa shtete të SHBA-së gjatë zgjedhjeve të mesmandatit.
Në Florida, 23 qendra votimi u zhvendosën në një kohë të shkurtër për shkak të rrezikut nga përmbytjet.
Një zyrtar zgjedhor në qarkun Brevard deklaroi për CNN se vendimi u mor për të garantuar sigurinë e punonjësve zgjedhorë dhe votuesve, përballë kushteve të pazakonta atmosferike.
Reshjet e shiut janë përhapur edhe në shtetet qendrore, përfshirë Iowan, Kansasin dhe Teksasin, ku priten vendime të rëndësishme elektorale.
Sipas parashikimeve meteorologjike, reshjet pritet të shtrihen gjatë pasdites drejt veriut dhe lindjes, duke prekur pjesë të Illinoisit, Minesotës, Wisconsin-it dhe Gadishullit të Sipërm të Michiganit.
Ndërkohë, miliona qytetarë amerikanë kanë votuar paraprakisht. Pak para hapjes së qendrave të para të votimit, Laboratori Zgjedhor i Universitetit të Floridës kishte regjistruar afro 58,7 milionë vota të hedhura në mënyrë të parakohshme.
Sipas të dhënave të Qendrës Kërkimore Pew, rreth 250 milionë qytetarë amerikanë kanë të drejtë vote në zgjedhjet e këtij viti. Prej tyre, rreth 25 milionë, ose afërsisht një në dhjetë votues, janë shtetas amerikanë të natyralizuar./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.