Dyshohet se kërcënoi gruan e tij -kërkohet paraburgim për drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës
Prokuroria Themelore ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berisha, i cili të shtunën është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Kaltrin Shala.
Ajo ka bërë të ditur se i dyshuari, me inicialet G.B., është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit kujdestar.
“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit kujdestar është ndaluar për 48 orë, personi me inicialet G.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’, nga neni 248 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, ka deklaruar Shala.
Sipas saj, Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.
Po ashtu, Shala ka konfirmuar se prokurori i çështjes ka paraqitur në gjykatën kompetente kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.