Grabitet me armë banka te Komuna e Parisit, autori kërcënoi arkëtaren dhe rojen, largohet me monopatinë
Një grabitje me armë është regjistruar në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ku objektiv ka qenë një filial i një banke të nivelit të dytë.
Sipas informacioneve paraprake, autori ka hyrë në ambientet e bankës me fytyrën të mbuluar me një shall, në mënyrë që të mos identifikohej. Ai i është drejtuar arkëtares dhe, nën kërcënimin e armës, ia ka vendosur atë në kokë, duke e detyruar t’i dorëzonte paratë.
Pas marrjes së shumës së parave, autori është drejtuar nga dalja e bankës, ku ka kërcënuar me armë edhe rojën e sigurisë, duke i drejtuar armën për ta mbajtur të palëvizur dhe për të mos e lejuar të reagonte.
Më pas, grabitësi ka dalë nga banka, ka marrë një monopatinë dhe është larguar në drejtim të stadiumit “Dinamo”.
Ende nuk ka një informacion zyrtar lidhur me shumën e parave të grabitura, ndërsa nuk dihet nëse ka persona të lënduar gjatë incidentit.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po mbledh prova dhe po punon për identifikimin e autorit. Policia po verifikon edhe itinerarin e largimit të tij, me qëllim kapjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të grabitjes.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.