Egjiptianët të tërbuar, ushtria po shet vendin
E gjithë bota virtuale egjiptiane shpërtheu ditën e diel pas publikimit të lajmit se Egjipti i ka falur dy ishuj në Detin e Kuq, Sanafir dhe Tiran, Arabisë Saudite, si vlerësim për ndihmën e jashtëzakonshme të mbretërisë. Me mijëra përdorën Twitter-in dhe Facebook-un për të dënuar vendimin e kabinetit qeveritar
Vendimi i qeverisë së Egjiptit të drejtuar nga ushtarakët për dorëzimin e dy ishujve që ndodhen në Detin e Kuq, te Arabia Saudite ka tërbuar shtetasit e vet. Këta të fundit janë tronditur nga ky veprim, i cili cenon territorin e vendit, edhe pse ishujt i jepen një shteti i cili ka kontribuar shumë në ekonominë egjiptiane. Në rrjetet sociale hashtagu #Egyptissold (Egjipti është shitur) e tregon qartë trishtimin e egjiptianëve. Ditën e diel më dhjetëra mijëra e shfaqën indinjatën e tyre në llogaritë në rrjetet sociale, kur në media u publikua lajmi se ishujt e quajtur Sanafir dhe Tiran, iu dorëzuan Arabisë Saudite për dashamirësinë që ka treguar ndër vite për “vendin e faraonëve”.
Dy ishujt e pabanuar, prej dekadash kanë qenë objekt mosmarrëveshjesh dhe ato ndodhën në hyrje të gjirit të Akabas. Një herë e një kohë ato caktonin kufirin midis Perandorisë Otomane dhe Mbretërisë Britanike. Në vitin 1967 për një kohë të shkurtër ato u mbajtën nën kontroll nga Izraeli, por më pas iu kthyen prapë Egjiptit, pas marrëveshjes së “Camp David” që u firmos në vitin 1982.
Qeveria egjiptiane tha se vendimi i marrë të dielën e shkuar erdhi pas gjashtë vitesh studime dhe vëzhgime dhe 11 raunde negociatash, përpara se të vendosej që ishujt ndodhen në ujërat territorialë të Arabisë Saudite. Por një argumentim i tillë nuk u besua nga egjiptianët.
Shumë prej tyre përdorën fjalët e një skene të një filmi vendas të transmetuar në vitin 2002 me titull “Unë dua të drejtat e mia”. Aty një plak i vjetër kritikon protagonistin e filmit, i cili po përpiqej që ta shiste Egjiptin tek ofruesi më i mirë. “Kështu, ti e shite tokën tënde, Awad”, ishin fjalët e plakut që u ripostuan me mijëra herë nga egjiptianët.
Të dielën, përveç hashtagut #Egyptissold, edhe një tjetër #Awadsoldhisland (Awad-i shiti tokën e tij) u shpërndanë kudo në botën virtuale egjiptiane.
Komediani egjiptian që shënjestron politikanët, Bassem Youssef, i cili e nisi këtë hashtag, në llogarinë e tij në Twitter, bëri edhe një mesazh plot ironi: “Hajde pasha, një ishull do të të kushtojë ty një miliardë, një piramidë do të të kushtojë dy miliardë dhe më pas do të të hedhin dy statuja si dhuratë”.
Arabia Saudite bashkë me vendet e tjera arabe të Gjirit Persik kanë investuar me miliona dollarë për të përmirësuar ekonominë problematike të Egjiptit, qëkur ushtria largoi nga pushteti Presidentin Mohamed Morsi në vitin 2013, por drejtuesit sauditë janë zhgënjyer së tepërmi nga fakti që Egjipti, pavarësisht investimeve nuk ka bërë përpara ekonomikisht. Nisur nga kjo, tani familja mbretërore kërkon nga Egjipti marrëveshje ekonomike që mund t’i sjellin fitime investimit të saj.
Ky akord erdhi si pjesë e një numri të madh marrëveshjesh ekonomike të firmosura gjatë vizitës së parë të mbretit saudit Salman në Egjipt. Në bazë të akordit do të krijohet një fond prej 16 miliardë dollarësh saudito-egjiptian për investim dhe ndërtimi i një ure ndërmjet dy vendeve, që do të mbajë emrin e mbretit.
Disa shtetas egjiptianë postuan në profilet e tyre imazhe të hartave të mësuara në shkollë, ku tregohet qartë se të dy ishujt janë pjesë e Egjiptit.
Disa të tjerë kujtuan një reklamë të transmetuar në televizionin publik, ku ishulli Tiran promovohej si një atraksion turistik, si pjesë e resortit mjaft të njohur të Sharm el-Sheikh në Detin e Kuq. Disa të tjerë kujtuan një fjalim të bërë në vitin 1954 nga ish-presidenti Gamal Abdel Nasser, i cili theksonte se ishte e nevojshme që ishujt duhej të mbaheshin në sovranitetin egjiptian.
Por shqetësimi për këtë vendim nuk është shprehur vetëm në mediat sociale. Policia arrestoi 11 persona në qendër të Kajros, të cilët po protestonin për vendimin e qeverisë. Edhe figurat opozitare të njohura po reagojnë në lidhje me këtë çështje. Khaled Ali, ish-kandidat për president, dhe avokat i njohur për të drejtat e njeriut u shpreh se ka ngritur një çështje penale për të ndaluar dorëzimin e dy ishujve. Një tjetër ish-kandidat presidencial, politikani në ekzil, Ayman Noor, dhe 9 disidentë të tjerë të njohur publikuan një deklaratë, ku dënonin marrëveshjen. Madje edhe mbështetësit e qeverisë janë të pakënaqur.
Ahmed el-Naggar, i cili është drejtori i gazetës më të madhe pro qeveritare Al-Ahram, shkroi në një postim në llogarinë e tij në “Facebook” se elementët e kufijve natyralë të Egjiptit janë të paprekshëm dhe egjiptianët kanë një histori të gjatë ku kanë mbrojtur Tiran-in nga pushtimi.