Zëri i Amerikës: Parlamenti në Maqedoni kaloi më në fund projektligjin për gjuhët, që parashikon një përdorim më të gjerë të gjuhës shqipe në institucione. A e shihni këtë si një fitore me rëndësi për shqiptarët?
Zëri i Amerikës: Disa në Maqedoni tremben se duke e bërë gjuhën shqipe gjuhën e dytë zyrtare, kjo do të çonte në federalizimin e vendit. A është kjo një frikë e justifikuar?
Shirly Cloyes Dioguardi: Nuk është aspak e justifikuar, sidomos sepse procesi i federalizimit të një vendi është diçka që do të kërkonte shumë e shumë vite për t’u realizuar. Së dyti kjo nuk do të mbështetej nga komuniteti ndërkombëtar. Ndërkaq, shqiptarëve që mendojnë se zgjidhja është federalizimi, unë do t’u thosha se ky nuk është aspak një argument, sepse shqiptarët jetojnë pranë njëri-tjetrit në trojet shqiptare dhe nuk ka nevojë për të folur për territor. Ajo për të cilën duhet folur është barazia: barazi ekonomike, politike dhe kulturore. Ky ishte roli i Ohrit dhe ky është tani roli i platformës shqiptare.
Zëri i Amerikës: Pra, problemet me të cilat ndeshet tani Maqedonia nuk janë etnike, por më shumë politike dhe ekonomike, a është kjo ajo që doni të thoni?
Shirly Cloyes Dioguardi: Absolutisht po. Dhe, njëra nga arsyet është se si VMRO-ja ashtu edhe BDI-ja kanë luajtur kartën nacionaliste për vite të tëra. Ato e luajtën këtë kartë me secilin prej grupeve të tyre etnike, duke krijuar këtë frikë dhe pastaj ndanë mes tyre fitimet e të qëndruarit të pushtet dhe në qeveri. Ato e përdorën këtë për të ruajtur kontrollin. Kjo nuk do të funksionojë më me shqiptarët, në Maqedoni apo në ndonjë territor tjetër shqiptar. Çdokush kërkon barazi ekonomike, sociale dhe politike. Njerëzit kërkojnë politikanë që dinë se si drejtohet një shtet modern, që dinë se si t’u ofrojnë shërbime popullit të tyre, që punojnë për të mirën e përbashkët, kërkesë me të cilën përballemi edhe ne sot në Shtetet e Bashkuara.
Zëri i Amerikës: Ekziston edhe një problem që i shqetëson mjaft shqiptarët, të cilët ndihen si viktima të një sistemi gjyqësor mjaft të politizuar dhe të korruptuar. Çfarë mendoni se mund të bëhet për ta shpëtuar këtë sistem, që shqiptarët të fillojnë të kenë besim tek ai?
Shirly Cloyes Dioguardi: Ju shtroni problemin e duhur. Ka edhe përbërës të tjerë të platformës që duhen zgjidhur dhe ky është njëri prej tyre. Një tjetër problem që ne shtrojmë në peticionin që kemi hartuar kohë më parë është decentralizimi i buxhetit, sepse tani për tani, pjesa më e madhe e buxhetit u shkon zonave ku banon shumica maqedonase. Barazia në këtë aspekt do të ishte me rëndësi të madhe. Sa i përket sistemit gjyqësor, ai është një sistem i korruptuar dhe sundimi i ligjit është një çështje thelbësore e platformës, që do të përfshinte si maqedonasit ashtu edhe shqiptarët.
Zëri i Amerikës: Disa shqiptarë thonë se SHBA dhe Europa nuk duhet ta pranojnë Maqedoninë në NATO dhe në BE nëse platforma shqiptare nuk zbatohet plotësisht. A e pranoni ju megjithatë se një farë përparimi është arritur sidoqoftë?
Shirly Cloyes Dioguardi: Jam absolutisht dakord se një farë përparimi është arritur me këtë qeveri të re, sidomos me miratimin e zgjerimit të përdorimit të shqipes. Por duhet bërë më shumë. Unë do të kërkoja kujdes nga të gjithë që të presim, – dhe këtë e kam si për maqedonasit ashtu edhe për shqiptarët – pra të presim deri sa të arrihet një barazi ekonomike, politike dhe kulturore. Hyrja në NATO dhe në BE pa këtë kusht mund të sjellë pasoja negative për vendin por edhe për Bashkimin Evropian. Këtë e kemi parë në të kaluarën. Marrëveshja e Kopenhagës kërkon barazi të plotë dhe një njohje të të gjitha kulturave, sidomos në një vend shumëetnik siç është Maqedonia. Por nëse nuk ka barazi, ne nuk do të shohim paqe dhe qëndrueshmëri në vend; shqiptarët nuk do të jetojnë si qytetarë të shkallës së dytë e të tretë përgjithmonë. Kjo nuk mund të ndodhë.
Zëri i Amerikës: Ka patur zëra për një ndikim të Rusisë në Maqedoni. A shihni ju një ndikim të tillë?
Shirly Cloyes Dioguardi: Ka patur spekulime se Rusia ka qenë e angazhuar me VMRO-në, duke e mbështetur atë. Nuk i kam të gjitha statistikat, por ajo që ne dimë është se ka patur ndikim rus në të gjithë Evropën Juglindore dhe kjo ishte njëra nga arsyet që Perëndimi nxitoi për ta futur Malin e Zi në NATO. Pra, është një realitet dhe çështja është se ku do të mbështetemi. Presidenti Donald Trump nuk është i gatshëm të flasë kur vjen puna te Rusia. Nga ana tjetër, Kongresi amerikan e ka bërë dhe ne e kemi parë këtë në shumë seanca të tij. Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtëme në Dhomën e Përfaqësuesve, Ed Royce, e ka trajtuar mjaft çështjen e ndërhyrjes ruse në Ballkan. Po të shikojmë historinë, edhe Lidhja Civile Shqiptaro-Amerikane ka punuar me udhëheqjen e Dhomës e të Senatit për çështjet shqiptare. Pra, edhe kur presidenti dhe administrata nuk ka qenë atje, këtë e ka bërë Kongresi.