Ekspozitë për 135-vjetorin e Shkollës së Vashave në Korçë
Më 23 tetor të vitit 1891 u çel Shkolla e Vashave në Korçë.
Në këtë përvjetor të rëndësishëm të historisë së arsimit shqip, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në bashkëpunim me Institutin për Studime Shqiptare dhe Protestante dhe Bashkine Korçë, organizuan ekspozitën “135 vjet Shkolla e Vashave”, në kujtim të kësaj ngjarjeje historike dhe të kontributit të Gjerasim Qiriazit dhe Sevasti Qiriazit.
Përmes kësaj ekspozite, rikthehet në vëmendje një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së arsimit shqip, të lidhur me përpjekjet për arsimimin e vajzave shqiptare.
Vizitorët do të mund të shkojnë edhe ditën e nesërme në godinën e parë të Shkollës së Vashave në Korçë, për të njohur nga afër një kapitull të çmuar të trashëgimisë sonë arsimore dhe kulturore.
Me rastin e këtij përvjetori, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi e cilësoi Shkollën e Vashave si një nga faqet më të bukura të historisë së Korçës.
“Sot, me rikthimin e Liceut Francez, kjo frymë gjen një vazhdimësi të re, duke u hapur të rinjve dyer drejt dijes, kulturës dhe mundësive për të ardhmen. Sepse Shqipëria evropiane që duam ndërtohet çdo ditë, duke investuar te arsimi dhe te brezat e rinj”, u shpreh Niko Peleshi.
Ndërtesa nuk ka qenë vetëm një shkollë. Në të kaluarën ajo ka shërbyer si një prej qendrave të hershme të veprimtarisë ungjillore në Korçë dhe lidhet me episode të rëndësishme të historisë së qytetit dhe të Rilindjes Kombëtare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.