Elsa Morante, Një grua në Romë
“Asnjëherë nuk rashë në dashuri me Elsën. E doja, por nuk arrita të humbja mendjen pas saj, ndoshta se nuk rashë kurrë në dashuri me të”.
Alberto Moravia, një nga personazhet e njohur të letërsisë italiane, shkruan kështu në librin autobiografik “Jeta e Moravisë. 1990), për bashkëshorten e tij, shkrimtaren Elsa Morante. Ishte pranvera e vitit 1937, kur Moravia shkon për vizitë në shtëpinë e një mikut të tij të vjetër. Në Romën letrare të atyre viteve, ndihesh ankthi i shqetësimeve europiane, të cilat do të përfundonin me Luftën e Dytë Botërore. Bisedat letrare ishin më të ngrohta në shtëpitë e mbushura me rafte librash, dhe me shishet e verës mbi tryezë. Sytë e saj ishin të mëdhenj ngjyrë kafe dhe në duar mbante vazhdimisht një cigare. Ajo quhej Elsa, dhe ishte bashkëjetuesja e mikut, të tij, i cili ishte 20 vjet më i madh se ajo. Nga ajo mbrëmje e mbushur me bishta cigaresh, shishe bosh vere dhe biseda iluministe, Moravia do të ikte duke marrë me vete vështrimin e Elsës. “Unë e ndjeva se ajo nuk ishte një vajzë e zakonshme. Ajo ishte lindur për të qenë një shkrimtare”, do të shprehej ai më pas. Dashuria e lindur mes tyre i ngjasoi më shumë një pasioni mendjeje, e dy njerëzve që ndajnë të njëjtën filozofi mbi shkrimin, lirinë dhe jetën. Moravia qe rruga e saj drejt shkrimit të vërtetë, drejt realizimit të një ëndrre e cila kishte mbetur deri në ato vite në copëza letrash. Novela, qe gjinia e preferuar e Morantes. Letërsia e shkruar prej saj, ka një aromë femërore, pa shmangur shpesh dhe atë çfarë ndodhte përreth. Ajo bëri me personazhet e saj, atë çfarë do të donte të kishte në jetën e saj. U dha atyre jetën e ëndërruar, dhe nuk i la të vuanin nga dashuria. Çifti Moravia-Morante nuk mundi t’i shpëtonte asaj çfarë kanë jetuar të gjitha çiftet e njohura letrare. Pavarësisht udhëtimeve që bënë bashkë nëpër botë, ata mbetën vetëm dy miq të mirë, pa mundur të duan ndryshe njëri-tjetrin. Letrat e Elsës dërguar mikeshës së saj të ngushtë, tregojnë se ajo nuk e mori asnjëherë vëmendjen e tij si grua. Në vitin 1962 ata u divorcuan. Morante dhe Moravia nuk qenë një çift letrarësh të ngjashëm me Sartrin dhe De Bovuar. Ata nuk i lexonin veprat e njëri-tjetrin gjatë procesit të punës, as nuk e kritikonin njëri-tjetrin. “Alberto po më largohet çdo ditë e më tepër. Ndiej zhurmën e makinës së tij të shkrimit nga dhoma përbri e nuk mund t’i afrohem, ta pyes në do të zbresë për të bërë një shëtitje, apo për t’iu hedhur në qafë”, shkruante ajo në ditarin e saj. Vetmia është pjesë e letërsisë së Moravisë. Një burrë që gjithmonë e ka ndarë jetën e tij me gra të njohura si Elsa Morante, Dacia Maraini dhe Carmen Llera, pastaj ka pasur edhe shumë aventura dhe miqësi të shkëlqyeshme si për shembull ajo me Umberto Morra di Lavriano apo ajo me Pasolinin, ndihej i vetmuar. Por imazhi që Elsa kishte në jetën intelektuale të Romës së atyre viteve, nuk e reflektonte gjendjen e saj private. Ajo dinte të ishte një grua e bukur, e cila fsheh me zgjuarsi të gjithë copëzat e trishta të një martese që kishte shkuar drejt fundit. Një burrë hyn në jetën e saj në atë periudhë dhe ai është Luchino Viscontin një regjisor filmash, i cili sërish nuk mundi ta bënte të lumtur. Nëse ajo kërkonte diçka si në librat që shkruante, për të ajo ishte thjesht një grua. Në vitin 1959 ajo u takua me një piktor të ri Bill Morrow. Ai ishte 23 vjeç, ndërsa ajo 40. Kjo lidhje mund të quhet pasioni i vetëm i madh në jetën e Morantes, e cila gjeti te ky djalosh të gjitha vitet e munguara. Në vitin 1962 ai vdiq tragjikisht, vdekje që do të linte gjurmë te shkrimtarja. Një tjetër njeri që ka ndikuar në jetën e saj, është regjisori dhe poeti Pier Paolo Pasolini. Mik i Moravisë, Pasolini ishte dhe një ndër miqtë më të ngushtë të Morantes. Një pjesë e poezive dhe historive të shkruara prej tij, i dedikohen gruas me sytë e mëdhenj të trishtë, të cilën pëlqente ta shihte mbrëmjeve në baret e Romës. Pas ndarjes Elsa dhe Alberto takoheshin shpesh duke shkëmbyer mendimet e tyre letrare. Kur ai u lidh me shkrimtaren Dacia Maraini, diçka ndryshoi përgjithmonë tek Elsa. Pavarësisht burrave që tentonte të takonte shpesh, ajo nuk gjeti asnjëherë atë që donte. “Dua të provoj të dua”, shprehej ajo. Ndërsa krijimtaria e saj po shkonte drejt suksesit, Elsa po ndiente të ndryshonte në jetën e saj. Ikja e viteve do të kthehej në makth që nuk do ta linte të qetë, për gruan që nuk donte të plakej. Në moshën e thyer Elsa nuk ishte e qetë prej kujtimeve. Ajo nuk mundi të krijonte një jetë ndryshe, të pranonte ecjen normale të viteve dhe të ishte në paqe me veten. Vdekja do të ishte frika e saj e madhe, një frikë me të cilën jetoi vite nën lëkurë. Është e vështirë të besosh se kjo ka qenë jeta e gruas që jetoi me një nga shkrimtarët më të mëdhenj italianë të shekullit XX, një grua me influencë në jetën e letrare të kohës, dhe që ende lexohet me ëndje sot. Por ashtu si Elsa shkruan “letërsia ishte shpëtimi i saj i madh”, ishte vendi ku shkonte me dëshirë për të kaluar orë të tëra që do të donte t’i kishte në jetë. Elsa Morante do të mbetet një nga figurat më të spikatura të letërsisë italiane të shekullit XX. Edhe pse nuk fitoi çmimin Nobel, ajo mbetet një shkrimtare me fantazi, dhe plot stil në përshkrimin e realitetit të dhembshëm, sidomos ngjarjeve të mëdha botërore të atij shekulli. Ajo ishte poete, eseiste, përkthyese dhe shkrimtare.