Embargoja ruse – Përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë në Moskë
Një përfaqësi e Ministrisë së Bujqësisë do të shkojë në Moskë për të diskutuar mbi ndalimin e embargos që Rusia u ka vënë eksporteve bujqësore shqiptare, vendim i cili hyn në fuqi më 8 dhjetor 2014.
Ky vendim i Moskës erdhi pasi u zbulua se nga koha e vendosjes së embargos ndaj vendeve të BE-së importet me Shqipërinë ishin katërfishuar.
Kjo çoi në dyshime të autoriteteve ruse, të cilat në bashkëpunim me ato shqiptare nisën një hetim për të verifikuar origjinën e këtyre produkteve.
Ministria e Bujqësisë sqaron se në përfundim të hetimit rezultoi se në Republikën Çeke kryhej falsifikim i çertifikatave fito-sanitare të vendit tonë, të cilat më pas u vendoseshin prodhimeve të vendeve të BE-së. Këto mallra hynin në Rusi përmes Bjellorusisë dhe Kazakistanit, duke ndjekur thuajse të njëjtën rrugë me prodhimet shqiptare.
Ministria e Bujqësisë thotë se u morën masa për shtimin e elementëve të sigurisë së çertifikatës fito-sanitare shqiptare, në mënyrë që ajo të mos falsifikohet si dhe iu kërkua autoriteteve ruse të shkëmbenin informacione lidhur me çdo import të dyshuar nga ana e tyre. Por mesa duket, kjo për autoritetet ruse ka qenë e pamjaftueshme.
“Qëndrimi ynë zyrtar është se ky veprim i palës ruse është i pajustifikuar sepse nga Shqipëria nuk rezulton asnjë mosrespektim i rregullave të eksportit të Federatës Ruse”, deklaroi ministri EdmondPanariti.
Për drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë, dëmi është i madh pasi nga viti në vit ekportet shqiptare drejt Federatës po shënonin rritje të fortë dhe vetëm nga viti 2012 në vitin 2013 eksportet janë gjashtëfishuar. Sipas ministrit Panariti, kjo vjen pasi tregu rus është ende i paeksploruar nga prodhimet shqiptare dhe përbën potencial për të ardhmen.