Opinion

Emigrantët, “debati”i gabuar..

Nga Lutfi Dervishi

Nuk vlen pyetja pro/kundër? Por PSE dhe Çfarë?

Pyetja a je pro apo kundër ardhjes së emigrantëve në Shqipëri është pyetje e gabuar.
Duke evokuar faktin që jemi popull migrator dhe mikëpritjen, besën e borxhet e shqiptarit thjesht po shmangim thelbin e problemit.
Shqipëria, me marrëveshjen që Italia të trajtojë çdo vit në Shëngjin dhe Gjadër 36 mijë kërkesa të emigrantëve të kapur në det – jo vetëm që nuk po i mikpret, por po i godet fatkeqët.
Emigrantët nuk kanë marrë detin në këmbë se u dogjën për të ardhur në Shqipëri. Ata duan të mbërrijnë në vendet e Bashkimit Europian.
Çfarë po bën Shqipëria- po jep territor për ngritjen e një kampi me kapacitet 3000 vende dhe po ofron ndihmë policore/shëndetesore në rast të ndonjë problemi të papërballueshëm brenda kampeve.
Emigrantët që kapen në det, do t’u shtohet edhe një udhëtim shtesë deri në Shëngjin e Gjadër, para se të kthehen sërish mbrapsht në Itali.
Shqipëria po sherben jo si mikpritëse, por si gogol! Mesazhi për emigrantët: “do t’iu dërgojmë në Shqipëri!”
Ky mesazh nuk ndihmon as emigrantët, as Shëngjinin e Gjadrin dhe as imazhin e vendit.
Po të kishim vërtet shqetësimin e emigrantëve apo “racizmin” e rrjeteve sociale pyetja është: nëse një valë emigrantësh vjen në Shqipëri, – sa kapacitete kemi ne që t’i mikpresim dhe t’i hapim dyert e t’i trajtojmë në mënyrën sa më humane? Numri i shtretërve në dispozicon është vetëm 450! Vitin e kaluar 11.216 emigrantë të paligjshëm u kapën nga policia në territorin shqiptar. Numri i atyre që kërkuan azil nuk i kalon të dy shifrat. Emigrantët nuk e shohin Shqipërinë si vend destinacioni, por si trampolinë për të kaluar drejt vendeve të BE-së.
Shqipëria është ende larg ditës që të dëshmojë se sa tolerante e mikpritëse është për refugjatët. Për momentin sfida është “largimi i shqiptarëve nga Shqipëria”, largimi i profesionistëve, dhe i shtresës së mesme. Ndaj nuk ka kuptim pyetja akuzë: a je pro apo kundër emigrantëve? Ku ta gjenim që të qëndronin në Shqipëri sepse kemi shumë nevojë.
Ajo që të bën përshtypje është se të zënë në hall, avokatët me dhe pa pagesë të qeverisë kanë guximin e lavdërueshëm jo vetëm për të thënë në sytë e publikut që e zeza është e bardhë, por të rendisin dhe “argumenta” dhe “fakte” nga perditshmëria dhe historia që duhet të mikpresim emigrantët dhe të mos jemi në anën e kundërt të historisë!
Për avokatët e qeverisë: nuk po ndihmojmë emigrantët, por Italinë, fuqinë e tretë ekonomike në BE, me 58 milionë e 851 mijë banorë dhe me siperfaqe 301 mije e 263 km2
Është rasti që nuk di çfarë të bësh: të qash apo të qeshësh?

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button