Ekonomia
Emigrantëve i’u zhvaten 55 milionë euro/ Union Net merr pjesën më të madhe të dërgesave
Komisionet e larta që aplikojnë agjencitë e transfertave të parave u marrin emigrantëve dhe familjeve shqiptare të paktën 55 milionë euro në vit padrejtësisht.
Në vitin 2015, Banka Botërore, Komisioni Europian dhe organizata e kombeve të bashkuara shpallën objektivin që kostot e dërgimit të parave nga jashtë të zbresin në nivelin 3 për qind të shumës së dërguar brenda vitit 2030.
Sipas aksion planit të shpallur në samitin e valutës në Maltë, ulja e kostove për dërgesat duhet të fillonte menjëherë. Por të dhënat zyrtare nga Banka tregojnë se në Shqipëri, komisionet e dërgesave vazhdojnë të mbeten të pandryshuara dhe në nivele shumë të larta.
Sipas Bankës në fund të vitit të kaluar kostoja mesatare e dërgimit të parave në Shqipëri ishte 9.5 për qind, ose mbi 3 herë më shumë se sa objektivi i shpallur nga Bashkimi Europian dhe OKB.
Pjesa dërrmuese e remitancave në Shqipëri, rreth 850 milionë euro në vit dërgohen përmes agjencive të transfertave për shkak të mbulimit më të gjerë që ato kanë. Vetëm për këto agjenci, të cilat sipas Bankës së Shqipërisë kanë krijuar një treg duopol me konkurrencë të kufizuar, emigrantët dhe familjet shqiptare paguajnë 55 milionë euro në vit padrejtësisht. Pjesën e luanit të këtyre parave e merr union net, agjenti vendas që ka francajzin e Western union.
Komisionet e larta për dërgesat e emigrantëve janë pranuar publikisht edhe nga institucionet vendase. Dy vjet më parë, Ministria e Diasporës dhe Banka e Shqipërisë deklaruan se Shqipëria ka kostot më të larta të dërgimit të parave në rajon duke kërkuar publikisht uljen e tyre. Por sërish emigrantët dhe familjet shqiptarë vazhdojnë të paguajnë padrejtësisht mbi 55 milionë euro në vit vetëm për agjencitë e transfertave.