Shqipëri–Itali, marrëveshje bashkëpunimi mes bibliotekave kombëtare për ruajtjen e trashëgimisë kulturore
Biblioteka Kombëtare nënshkroi sot marrëveshje me Bibliotekën Kombëtare Qendrore të Firences, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera rikujtoi se bashkëpunimi mes dy institucioneve nisi në vitin 2024, me një ekspozitë kushtuar Venecias, e cila prezantoi libra antikë, të botuar në këtë qytet dhe të ruajtur në Qendrën “Sotir Kolea”.
Marrëveshja e re synon të thellojë bashkëpunimin në fushën e formimit profesional, kërkimit shkencor dhe promovimit të trashëgimisë bibliotekare e dokumentare.
Përmes shkëmbimit të njohurive dhe përvojave, si dhe zhvillimit të metodologjive e teknologjive inovative, ajo pritet të krijojë mundësi të reja për ruajtjen dhe vlerësimin e fondit të pasur të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Projekti financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Bashkëpunimit Ndërkombëtar e Italisë. Faza e parë parashikon një program trajnimi disa-javor për tre specialistë të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Sipas Ruggera-s, synimi është që bashkëpunimi të vijojë edhe në të ardhmen, përmes sigurimit të fondeve dhe mundësive të reja për trajnime, organizimin e ekspozitave të përbashkëta dhe realizimin e projekteve të restaurimit.
Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet restaurimit të librave antikë, të cilët përbëjnë një pasuri të çmuar dokumentare dhe ruajnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë të dijes. Në këtë drejtim, shkëmbimi i ekspertizës me institucionet italiane pritet të ndihmojë në forcimin e kapaciteteve profesionale për mbrojtjen dhe konservimin e këtyre koleksioneve.
Ndërkohë, fondi i pasur i Bibliotekës Kombëtare pritet të ketë së shpejti edhe një hapësirë të re, me përfundimin e ndërtesës së re të institucionit. Ky zhvillim, së bashku me bashkëpunimin e zgjeruar me partnerët italianë, krijon mundësi të reja për ruajtjen, studimin dhe promovimin e trashëgimisë bibliotekare dhe dokumentare për brezat e ardhshëm.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.