Emmanuel Macron u bën thirrje votuesve të Europës në prag të zgjedhjeve
Ai ka hequr çdo angazhim ndërkombëtar nga axhenda dhe në vend të kësaj, ka zgjedhur të organizojë një duzinë mbledhjesh në qytete të ndryshme të Francës, në të cilat do të zhvillojë edhe një “debat të madh kombëtar” për të kundërshtuar dhe për t’iu kundërvënë protestuesve jelekëverdhë. Protestat e jelekëverdhëve, të cilat nisën nëntorin e vitit të kaluar, edhe pse nuk janë po aq të forta sa në fillim, nuk janë shuar plotësisht.
Gjithsesi, javën e kaluar, z. Macron u shkëput disi nga problemet e brendshme të vendit dhe publikoi një deklaratë të guximshme për një “rilindje europiane” në 22 gjuhë në 28 gazeta në të gjithë kontinentin. Me këtë deklaratë, Emmanuel Macron nuk iu drejtua as udhëheqësve dhe as partive politike që drejtohen prej tyre, por vetëm “qytetarëve të Europës”. Ky apel i pazakontë për njerëzit anembanë kontinentit, duke përfshirë edhe ata në Britani, i dha mundësinë për t’u treguar votuesve britanikë atë se çfarë ai mendon në të vërtetë për Brexit.
“Kush ua tha britanikëve të vërtetën për atë që do t’i priste pas Brexit?”, pyeti z. Macron, duke deklaruar se ndikimi dhe pasojat e Brexit janë një mësim për të gjithë ne”. Denis MacShane, një ish-ministër britanik i Europës, e përshkroi atë me admirim, duke e cilësuar si ndërhyrjen më të jashtëzakonshme në politikën europiane, e vetmja pas thirrjes së Winston Churchill drejtuar Europës për të formuar një bashkim pas Luftës së Dytë Botërore.
Përpjekja për të komunikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me të gjithë qytetarët anembanë botës, të sjell ndër mend edhe taktikën e përdorur nga z. Macron në fushatën zgjedhore të 2017. Deklarata e guximshme ishte edhe nisja jozyrtare e fushatës së tij për zgjedhjet e Parlamentit Europian që do të mbahen në maj të këtij viti. Pro-europianizmi i z. Macron është një prej pasioneve të tij më të vjetra. Idetë e z. Macron mbi skemat e mëdha të Europës, janë kundërshtuar nga partia populiste e udhëhequr nga znj. Le Pen, duke u cilësuar si një vizion post-nacionalist.
Sipas partisë së znj. Le Pen, deklarata e tij nuk duhet të merret fare parasysh sepse në të, Franca nuk përmendet asnjëherë. Qëllimi kryesor i deklaratës së z. Macron u krijua pikërisht për t’iu përgjigjur frikës së populistëve dhe ai prej kohësh po flet për një “Europë që mbron”. Ai premton të forcojë kufijtë e jashtëm kundër kërcënimit të emigracionit të paligjshëm.
Z. Macron propozon rishqyrtimin e zonës pa kufij të Schengen-it, duke kërkuar që çdo vend, pjesë e saj, të ndajë edhe barrën e rëndë të azilkërkuesve. Presidenti i Francës propozon të reformojë politikën e konkurrencës dhe të tregtisë, duke paraqitur një Europë thuajse në të njëjtat nivele me ato të Amerikës dhe Kinës. Ai propozon krijimin e një Këshilli të ri të Sigurisë Europiane në të cilin do të përfshihet Britania pas Brexit, një nivel i pagës minimale për çdo vend, një agjenci europiane për mbrojtjen e demokracisë (kundër kërcënimit të sulmeve të vazhdueshme kibernetike dhe manipulimeve të ndryshme) dhe shumë propozime të tjera.
Një tjetër mesazh kryesor i deklaratës së z. Macron është edhe ai për ruajtjen e “qytetërimit europian”. Vitin e kaluar, z. Macron i paralajmëroi “kundërshtarët” e nacionalizmit dhe deklaroi se nëse populistët e shihnin atë si kundërshtarin kryesor, “ata kishin më se të drejtë”.
Kjo ishte edhe arsyeja se përse kohët e fundit, ai u përfshi në një grindje me shtetin e Italisë. Por këtë herë, ai po përpiqet që të mos ndezë kundërshtimin e populistëve, por që të bëjë së bashku të gjithë ata që janë të shqetësuar për nacionalizimin, nga cilido shtet europian në të cilin mund të ndodhen. Ashtu siç u tha edhe pak më sipër, idetë e prezantuara nga z. Macron në deklaratën e guximshme nuk kanë për qëllim që të krijojnë kundërshti në drejtim të populistëve. P.sh., paga minimale europiane duhet të jetë e “përshtatshme për secilin vend”, duke lënë kështu një hapësirë të gjerë për rregullime dhe përshtatje. Në deklaratën e tij nuk u përmendën thuajse fare as ambiciet e tij për reformimin e Eurozonës, dhe as krijimi i një “ushtrie europiane”.
Ndër të gjitha propozimet, ai që ngjalli më shumë kundërshti ishte fakti se të gjitha shtetet anëtare të zonës së Schengen-it duhet të marrin përsipër zgjidhjen e problemit të azilkërkuesve, propozim që duket sikur i është drejtuar më së shumti Presidentit hungarez, z. Orban, i cili ka bërë rezistencë ndaj politikës së pranimit të refugjatëve.
Presidenti francez mund ta ketë të vështirë për të krijuar aleanca në mbështetjet të deklaratës së tij. “Cilat do të jenë shtetet aleate me të cilat ai do ta përballojë të gjithë këtë situatë?” – pyet Yves Bertoncini, president i organizatës European Movement France. Në gjithë këto propozime, z. Macron nuk përmendi mënyrën se si ai do t’i zbatojë ato, ose sesi ai do të arrijë të krijojë një traktat të ri europian deri në fund të këtij viti, ashtu sikundër edhe ka premtuar.
Edhe reagimi i Gjermanisë, një prej mbështetëseve të saj më të forta, nuk ishte entuziast. Këtu mund të përmendim vetëm fjalën e ministrit të Financave, Olaf Scholz, i cili e konsideroi deklaratën e z. Macron si një “sinjal vendimtar”. Z. Macron mund të mos i ketë përgjigjet e të gjitha pyetjeve dhe madje disa prej ideve të tij mund të jenë edhe të pasakta dhe me mangësi.
Megjithatë, Europa nuk është ende e mbushur me mbështetës në mbrojtje të rendit liberal. Problemet brenda vendit e kanë mbajtur Presidentin francez pak të distancuar në muajt e fundit. Por, deklarata e guximshme ishte një kujtesë për të gjithë se ai nuk i ka braktisur kurrë ambiciet për Europën dhe as nuk i kanë shteruar idetë sesi mund t’i realizojë ato.