Ekonomia

“Energji falas për të varfërit”, PD dorëzon projektligjin

Opozita paraqiti në Komisionin e Ekonomisë një projektligj, i cili u jep energji falas 82 mijë familjeve që marrin ndihmë ekonomike.

“Sado të duket një kosto shumë e madhe, nuk është më shumë se 400-500 milionë lekë në vit. Kërkon vetëm vullnet dhe identifikim të familjeve në nevojë. Kostoja për mendimin tim nuk është problem”, deklaroi deputeti demokrat, Ridvan Bode.

Drafti, i propozuar nga deputeti Gerti Bogdani, parashikon që familjet e varfëra të marrin 90 kilovatë/orë energji falas në muaj, nga qershori në tetor dhe 150 kilovatë për 6 muajt e tjerë më të ftohtë të vitit.

Dashamir Shehi përmendi dhe dy arsye të tjera se pse qeveria duhet të lehtësojë familjet e varfëra nga fatura e energjisë. “Keni çuar policinë të mbledhë lekët, keni rritur çmimin, do bëni ndonjë lëshim? Si qenka kjo punë kështu”, u shpreh Shehi.

Por deputetët e maxhorancës thanë se, përpara miratimit në Komisionin e Ekonomisë drafti duhet të marrë më parë dakortësinë e qeverisë dhe Komisonit të Çështjeve Sociale, i cili është edhe përgjegjës.

“Një nga rregullat që ka Parlamenti është ky: mblidhet komisioni përgjegjës, hap diskutimin, dhe mundet edhe të vendosë, dhe pastaj kërkon mendimin nga ne. Këtu ka ndodhur e kundërta”, deklaroi anëtari socialist i komisionit, Anastas Angjeli.

“Iniciatori është i juaji, komisioni përgjegjës drejtohet nga ju. Duhet të kishte bërë detyrën që bëra unë, të vinte në dijeni qeverinë për këtë iniciativë. Nuk e ka bërë. Atëherë, puna e këtij komisioni ndërpritet këtu derisa komisioni përgjegjës të ndjekë rrugën ligjore për shqyrtimin e këtij projektligji”, tha kryetari i komisionit, Erjon Braçe.

Pak ditë më parë edhe Avokati i Popullit kërkoi lehtësim të familjeve të varfëra nga faturat e energjisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button