Energji/ Në vitin 2019, humbjet e energjisë vetëm 17%
Projekti “Rimëkëmbja e Sektorit Elektroenergjitik”, që ka nisur ministria e Energjisë dhe Industrisë parashikon investime kapitale të domosdoshme dhe reforma të thella, për të rritur sigurinë në furnizimin e konsumatorit me energji elektrike dhe nxjerrjen e sektorit nga kriza financiare.
Me zbatimin e projektit, synohet që të ulen humbjet totale në rrjet në 17% në vitin 2019, nivelin e arkëtimeve nga 84% që është sot, në të paktën 93% në vitin 2019, bënë të ditur sot burime të ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.
Sipas tyre, reforma kërkon që sektori energjitik i zhytur në borxhe sot, të dalë nga situara dhe në vitin 2018 vetëm operatori i shpërndarjes do të mund të kthehet në një sektor financiarisht të qëndrueshëm duke filluar nga viti 2018.
Në realizimin e këtij projekti, parashikohet që fondit prej 150 milionë usd që dha së fundi Banka Botërore, t’i shtohen 125 milionë usd të tjera nga qeveria deri në vitin 2020, ndërsa priten të tjerë donatorë të huaj.
Mbështetja për sektorin elektroenergjitik, ku përparësi merr sektori i Shpërndarjes parashikon investime në vlerë 95 milionë usd, ku do të vendosen matësa të rinj për 300 mijë konsumatorë, do të fuqizohen 2 nënstacionet në Tiranë për të rritur sigurinë e furnizimit në zonë, një nga zonat më të populluarat në Shqipëri.
Në sektorin e shpërndarjes do të instalohen rreth 2600 km kablo llojesh të ndryshme për tensionin e ulët dhe të mesëm, do të montohen mbi 500 kabina elektrike dhe 10.000 shtylla të tensionit të ulët, kryesisht për zonat më të populluara dhe më problematike.
Qendra e të dhënave për sistemin e transmetimit do të përmirësohet si dhe parashikohet të ngrihet një sistem modern faturimi, pasi synohet menaxhim më profesional i shoqërisë së shpërndarjes, ku do të punohet për futjen e teknologjive më të mira në sektorin e shpërndarjes.
Projekti Rimëkëmbja e Sektorit Elektroenergjitik parashikon investime në sistemin e transmetimit, për të bërë të mundur fillimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në 2015 pasi synohet që në vitin 2018, 40% e tregut të liberalizohet.
Reformat synojnë qëndrueshmërinë financiare, liberalizimin e tregut, nxitje të investimeve në sektorin elektroenergjitik dhe burimet e reja prodhuese të energjisë elektrike.
Me miratimin brenda vitit të ligjit të ri për energjinë elektrike, i përafruar me Direktivën e BE-së dhe për të hapur një model të ri të tregut të energjisë elektrike. Ligji i ri do të nisë nga zbatimi vitin që vjen.