Politika

Enkelejd Alibeaj i pakënaqur, largohet nga jeta aktive e PD

Nga: Valentina Madani*

38755alibeajPas një karriere të gjatë në PD, që kulmoi me postin e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj ka vendosur të largohet nga jeta aktive në Partinë Demokratike. Vetë z.Alibeaj ka refuzuar të tregojë arsyet e largimit nga PD-ja, por mësohet se ai ka refuzuar të jetë pjesë e grupeve të punës së PD-së, ku konkretisht është zhvendosur nga Vlora në Tepelenë. Mësohet gjithashtu se pakënaqësitë e para erdhën kur z.Alibeaj nuk u përfshi në listën e deputetëve të PD-së në zgjedhjet e 23 qershorit, por pavarësisht kësaj, ai provoi garën për postin e sekretarit të ri të PD-së. Enkelejd Alibeaj rivalizoi me Eduart Selamin dhe Arben Ristanin. Pavarësisht se Alibeaj loboi fort, fitues u shpall Arben Ristani. Menjëherë reagoi kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili e konsideroi si një garë të fortë mes tre kandidatëve. Në një postim në rrjetin social ‘FB’, Basha shkruante: “Garë e fortë dhe e bukur mes tre kandidatëve për Sekretar të Përgjithshëm të Partisë Demokratike. Të tre personalitete me kontribute dhe vlera unike për demokratët dhe të gjithë vendin. Urimet e mija të përzemërta Arben Ristanit, Sekretarit të ri të Përgjithshëm të Partisë Demokratike! Urime edhe Enkelejd Alibeajt dhe Eduard Selamit për performancën dinjitoze! Proces transparent dhe festë demokracie”. Por siç duket, ky moment shënoi dhe tërheqjen e heshtur të Enkelejd Alibeaj, i cili para garës për sekretar të përgjithshëm ishte zgjedhur anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe ishte caktuar koordinator për zgjedhjet në PD në qytetin e Vlorës. Para pak ditësh z.Basha emëroi grupet e reja të punës për zgjedhjet e 21 qershorit. Ai u ka besuar fushatën edhe kritikëve si Patozi dhe Ruli, por u ka ndryshuar qarqet pothuajse të gjithëve. Bode mbetet në pritje, Imami është i pakënaqur me Shkodrën, ndërsa Alibeaj refuzoi përfshirjen në fushatë dhe tërhiqet nga politika aktive në PD. Patozi kritikoi Bashën për zgjedhjet e brendshme të partisë dhe bojkotin 6-mujor të Kuvendit, por ai mbetet në ekipin e fushatës, ndonëse jo më në Vlorë. Patozi e ka mirëpritur rikthimin e tij në Bashkinë e Vorës, pranë Tiranës, zonë që e zgjodhi atë deputet në vitin 2005. Pavarësisht mosmarrëveshjeve të paradisamuajve, edhe Ruli aktivizohet në fushatë. Nga qarku i Gjirokastrës vjen në Tiranë. Në kryeqytet, me drejtues fushate nënkryetarin Paloka punojnë ndër të tjerë edhe Bregu dhe Tabaku. Noka pritet të jetë sërish në Kukës dhe Bumçi në Lezhë. Në qarkun e Durrësit vijojnë të qëndrojnë Halimi, Bylykbashi dhe Strazimiri. Ndërsa Spaho nga Korça kalon në Vlorë. Pritet një aktivizim edhe i ish-Sekretarit të Përgjithshëm Ridvan Bode, me gjasa jo në qarkun e Korçës, i cili së bashku me Elbasanin ende janë pa një të dërguar nga qendra për fushatë. Por këto lëvizje kanë krijuar dhe pakënaqësitë e tyre. Imami dhe Selami nuk do të jenë më në Elbasan. Imami nuk e ka pritur mirë drejtimin e fushatës së Shkodrës, ku nuk është më e ngarkuar Topalli.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button