Arte

Eno Peçi: Rrugëtimi i gjatë drejt Vjenës

Gati 17 vjet më parë, Eno Peçi vetëm 16 vjeç, iku përmes Italisë drejt Vjenës, pa e ditur se ky udhëtim disi i vështirë do të ndryshonte përgjithmonë jetën e tij.

enoIshte nisur nga Tirana për një turne me një grup balerinësh, i cili drejtohej nga ish-drejtori i Shkollës së Baletit, Ramazan Këllezi, për të kaluar në një tjetër hapësirë. Vjena do të joshte vështrimin e djaloshit të ri me morinë e artit që mbartte në çdo rrugë. Më pas, ngjitja e shkallëve të Shkollës së Baletit të Operës Shtetërore të Vjenës “Wiener Staatsoper”, do ta afronte më pranë me ëndrrën. Talenti i tij do të spikaste menjëherë mes dhjetëra balerinësh. Në vitin 2000, Eno Peçi bëhet pjesë e trupës së Baletit të Teatrit Shtetëror të Operës së Vjenës, dhe në vitin 2003 bëhet solist kryesor i këtij teatri. Eno e ka më lehtë ta tregojë përmes gjuhës së trupit sesa me fjalë gjithë rrugëtimin e tij drejt artit. Për të disatin vit radhazi, edhe këtë vit ai ishte pjesë e trupës shtetërore të Baletit të Operës së Vjenës, që performuan natën e fundvitit në ngjarjen më të rëndësishme të vitit, siç është Koncerti i Vjenës, që ndiqet në të gjithë botën. Por shpirti shqiptar këtë vit nuk ishte vetëm në trupën e baletit që solli një atmosferë plot ngjyra. Anëtari i Filarmonisë së Vjenës, violinisti Shkëlzen Doli, mjeshtri i klarinetës Hekuran Xhambali, si dhe disa anëtarë të Orkestrës Filarmonike të Vjenës, pjesë e Ansamblit Filarmonik të Dolit sollën për katër minuta muzikën shqiptare. Pjesa e zgjedhur gjatë koncertit të orkestrës më të njohur në botë, në momentin më të ndjekur nga rreth 50 milionë njerëz në të gjithë botën, quhej “Albanian Soul” (Shpirti shqiptar), dhe gjithçka ishte perfekte, si vetë muzika dhe Filarmonia e Vjenës. Dirigjenti i koncertit të këtij viti ka qenë

Zubin Mehta. Për Eno Peçin, kjo e bëri më të bukur koncertin e këtij viti. “Është një ngjarje e madhe dhe një përzierje emocionesh”, e quan ai koncertin e fundvitit, ku qindra artistë përpiqen të japin më të mirën e tyre. Vetëm pak kohë më parë, Eno Peçi interpretoi në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, në “Vienna Night”. Ndër pjesët e tij më të rëndësishme numërohen “Spartaku” i Renato Zanelas dhe “Impresionet e Çajkovskit” të Ivan Kavalaris, “Mjekërkuqi”, “Liqeni i mjellmave” të Rudolf Nurejevit, “Maçoku me çizme” dhe “Pas de quatre” te “Bukuroshja e fjetur” e Peter Wright, “Kopelia”, “Romeo dhe Zhuljeta”, “Onjegini”, “Ashtu siç ju pëlqen”, “Borëbardha”, “Arrëthyesi”, “Trimajëshi” i Leonide Massine, “Ballo e kadetëve” të Zanelas, “Slingerland pas de deux” të Uilliam Forsajt, “Vend i boshatisur”, “Duo koncertante”, “Voyage”, “Sacre” dhe “Bolero” Petrushka” etj. Më poshtë, balerini i njohur sjell emocionet nga Koncerti i Vjenës dhe qyteti ku tashmë ndan jetën …

Kanë kaluar vetëm pak ditë nga Koncerti i Vjenës, një ngjarje e përvitshme kulturore, ku ju nuk interpretoni për herë të parë. Si janë për ty momentet e përgatitjes para këtij koncerti dhe pas tij?

E vërtetë, nuk është hera e parë që unë interpretoj te Koncerti i Vjenës. Kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme për Vitin e Ri dhe prandaj dhe është diçka e veçantë. Është një eveniment i madh e shumë i rëndësishëm, ndaj përbëhet nga shumë pjesëmarrës. Duke u nisur nga regjisori, kameramanët, koreografi, kostumografët, grimi, balerinët, muzikantët etj. Koha e realizimit është shumë intensive, plot me kreativitet dhe natyrisht stresi nuk mungon. Por ajo çfarë mbetet pas gjithë kësaj përpjekjeje kolektive është produkti, ndaj të gjithë përpiqen që çdo detaj i vogël të jetë në vendin e vet. Koncerti i Vjenës është një ngjarje e madhe dhe një përzierje emocionesh.

Prej vitesh jeni në Vjenë? E kujtoni vizitën e parë në këtë qytet?

Po, jetoj në Vjenë prej 17 vitesh. Vizita ime e parë ishte mahnitëse. Bukuria dhe arkitektura e Vjenës është e pasuruar me art, muzikë dhe kulturë. Ndaj nuk mund ta besoja në shumë momente që ndodhesha në qendër të Vjenës. Diçka që edhe kësaj dite është një ndjenjë që nuk mund ta harroj …

Prej vitit 2003 jeni solisti i parë në Teatrin e Vjenës. Si kanë qenë për ty këto vite krijimtari?

Ka qenë një rrugë shumë e gjatë, me shumë punë, djersë dhe dashuri ndaj rrugës së artit që kam zgjedhur … baletin.

Ka ndonjë balet a shfaqje që e veçoni si më të dashur? 

Çdo balet ka karakteristikat e veta. Mund të them që mua, personalisht, më pëlqen të kërcej gjithçka, duke u nisur nga klasikja apo modernia. Po kështu edhe për rolet, qofshin ato karakteri apo komike. Çdo lloj stili kërcimi është shumë i mirë që një balerin të provojë të kërcejë gjithçka çfarë ka të bëjë me teatrin, sepse kështu balerini rritet nga ana artistike dhe fiton më shumë eksperiencë.

E kujtoni ikjen nga Shqipëria? 

Po, kam ikur nga Shqipëria në moshën 16-vjeçare. Ishin trazirat e viteve 1997-1998. Ndodhesha në një turne në Itali me një grup të vogël balerinësh që drejtohej nga ish-drejtori i Shkollës së Baletit, Ramazan Këllezi, dhe prej aty shkova në Vjenë, ku më priste motra dhe kunati.

E ndiqni Shqipërinë nga Vjena?

Po e ndjek … përmes internetit, sidomos vitet e fundit.

Keni ndonjë model që i referoheni në karrierën tuaj?

Ka shumë balerinë që janë modelë në atë çfarë bëjnë në karrierën e tyre, ashtu siç kanë edhe të metat e tyre. Unë mendoj se më e mirë është që secilit prej tyre t’i marrësh gjërat më të mira dhe të krijosh vetë një balerin model.

A është Vjena qyteti i romancës?

I romancës ndoshta. Unë e shoh Vjenën si një nga epiqendrat më të mëdha për sa i përket artit, muzikës dhe kulturës.

Si ishte viti 2014 për ju?

Ishte një vit plot surpriza … Një nga më të rëndësishmet ka qenë 25 tetori, kur unë dhashë shfaqje në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. “Vienna Night”, një ide e Fate Velajt, këshilltar për diplomacinë kulturore pranë Kryeministrit, më la ndjesi të jashtëzakonshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button