“Erdhën 5-6 makina, e provokuan djalin”, zbardhet dëshmia e babait të Noizyt në gjyqin ndaj Laert Haxhiut
Në seancën e radhës të procesit gjyqësor ndaj Laert Haxhiut në GJKKO, kanë dëshmuar këngëtari Rigels Rajku, i njohur si Noizy, dhe babai i tij, Bashkim Rajku.
Vetë Haxhiu nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit, ndërsa është përfaqësuar nga avokati i tij mbrojtës, Detar Hysi.
Bashkim Rajku është pyetur nga prokurori i çështjes, Behar Dibra, për shpërthimin me eksploziv në lokalin e familjes në Durrës, në qershor të vitit 2022. Ai ka treguar se në momentin e ngjarjes familja kishte dëgjuar një zhurmë të fortë, ndërsa më pas kishin konstatuar dëmet në biznes, ku ishin thyer xhamat.
I pyetur nëse kishte një dyshim konkret për autorët e shpërthimit, Rajku është shprehur se nuk kishte prova të drejtpërdrejta, por ka folur për disa konflikte të mëparshme të djalit të tij.
“Djali im është artist, mund të ketë pasur ndonjë fërkim apo hatërmbetje. Nuk kishim dyshime në momentin e parë. Ju e dini historinë, ka pasur fërkime me atë të Lushnjës. Nuk kam fakte ta them konkretisht. Punë artistësh”, u shpreh Bashkim Rajku.
Ai ka rrëfyer gjithashtu se një ditë para shpërthimit, disa automjete kishin mbërritur pranë lokalit dhe aty ishte krijuar një konflikt, duke e lidhur këtë episod me ngjarjen që pasoi.
“Një ditë para erdhën 5-6 makina dhe e kanë provokuar çunin tim, kanë bërë sherr te lokali dhe ndodhi kjo që ndodhi. Klevioli na ka dalë nga hiçi. Nuk kemi pasur asnjë njohje”, deklaroi ai gjatë dëshmisë.
Sa i përket dëmit të shkaktuar nga shpërthimi, Rajku tha se vlera e dëmeve në lokalin e familjes shkonte rreth 30 mijë euro.
Në këtë proces, Laert Haxhiu akuzohet për një sërë ngjarjesh kriminale, ndërsa çështja vijon të shqyrtohet në Gjykatën e Posaçme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.