Erdoğan: Nëse SHBA refuzon shitjen e avionit F-35, Turqia do t’u kthehet opsioneve tjera
“Ju nuk e shitni F-35-tën… Mirë atëherë, na falni por ne marrin masat tona dhe u kthehemi opsioneve tjera”, tha presidenti Erdoğan.
Komentet e presidentit Erdoğan erdhën gjatë një takimi me krerët provincialë të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në selinë e saj në Ankara.
Raportohet se presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, gjatë një takimi me dyer të mbyllura në Shtëpinë e Bardhë u tha senatorëve republikanë se ai nuk është në favor të zbatimit të ndëshkimeve ndaj Turqisë për blerjen e sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.
Trump në mënyrë të përsëritur ka shprehur ngurrim për të penalizuar Turqinë për blerjen e sistemit S-400, duke bërë të njëjtën javën e fundit kur njoftoi përjashtimin e Ankarasë nga programi i avionëve luftarakë F-35. Përjashtimi i Turqisë parashikohet të kompletohet deri në fund të muajit mars të vitit 2020.
Administrata e presidentit amerikan ka pohuar se sistemi S-400 mund të ekspozojë avionin luftarak të avancuar në nënshtrimin e mundshëm rus dhe se është i papajtueshëm me sistemet e NATO-s. Megjithatë, Turqia kundërshton duke theksuar sistemi S-400 nuk do të integrohet në sistemet e NATO-s dhe nuk do të përbëjë kërcënim për aleancën.
Trump fajëson administratën e ish-presidentit amerikan, Barack Obama, për situatën aktuale të krijuar lidhur me refuzimin e tij për të nënshkruar një marrëveshje me Turqinë për ta shitur sistemin raketor të mbrojtjes ajrore Patriot.
– Sulmi ndaj diplomatëve turq në Erbil justifikon vendimin e Turqisë për të nisur një operacion në Irak
Presidenti turk foli edhe për sulmin ndaj diplomatit turk në Erbil të Irakut, duke theksuar se ky sulm justifikon vendimin e Turqisë për të nisur një operacion kundër terrorizmit në Irakun e veriut.
“Sulmi ndaj punonjësit tonë të konsullatës në Erbil konfirmon se operacioni ynë (Operacione Kthetra) është një vendim i drejt”, u shpreh presidenti Erdoğan.
Javën e kaluar, Osman Kose, i cili ishte në shërbim në Konsullatën e Përgjithshme të Turqisë në Erbil, u martirizua në një sulm të armatosur në një restorant. Përveç diplomatit, dy shtetas irakianë të ulur në tryezën pranë tij po ashtu u vranë.
Më 13 korrik, Turqia nisi Operacionin Kthetra-2 si vazhdim i Operacionit Kthetra-1, i cili u nis me sukses më 27 maj.
Që nga viti 2016, Turqia ka kryer dy operacione të mëdha ushtarake në Sirinë veriperëndimore për të pastruar rajonin nga grupet terroriste DEASH dhe të YPG-së, që është dega siriane e organizatës terroriste PKK.
– Zona e sigurt në Siri
“Turqia është e vendosur të shkatërrojë korridorin e terrorit në lindje të lumit Eufrat pa marrë parasysh se cilat janë rezultatet e bisedimeve me SHBA-të mbi vendosjen e zonës së sigurt përgjatë kufirit të Sirisë”, tha Erdoğan.
Më herët këtë javë, ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar dhe i dërguari i SHBA-ve në Siri, James Jeffrey, u takuan në Ankara dhe u pajtuan për krijimin e një zone të sigurt në Sirinë veriore.
Siria ka mbetur e mbyllur në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Assadit goditi protestat pro-demokratike.
Sipas zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara (OKB), që atëherë qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10 milionë të tjerë janë zhvendosur.