Erdoğan: Samiti i NATO-s mundësi që me Bidenin të bisedojmë për marrëdhëniet Turqi-SHBA
Presidenti Erdoğan tha se do të bisedonte gjithashtu me presidentin francez Emmanuel Macron gjatë Samitit. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se Samiti i NATO-s më 14 qershor do të ishte një mundësi për të diskutuar marrëdhëniet midis Turqisë dhe SHBA-së me presidentin amerikan Joe Biden, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas daljes nga xhamia “Burhaniye Sehriban Hatun”, e cila u hap me faljen e namazit të xhumasë, Erdoğan iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në lidhje me ngjarjet aktuale.
Ai theksoi se do të bisedonte gjithashtu me presidentin francez Emmanuel Macron gjatë samitit.
“Kjo do të jetë një mundësi për të shqyrtuar anët pozitive dhe negative të marrëdhënieve Turqi-Francë”, tha presidenti turk.
Ai shtoi se në Samitin e NATO-s do të diskutonte se çfarë është bërë dhe çfarë do të bëhet në periudhën e ardhshme.
“Përveç kësaj, unë do të kem mundësinë të diskutoj marrëdhëniet Turqi-Amerikë me z. Joe Biden. Si dhe do të kemi takime bilaterale. Në këto takime kemi bisedime me kryeministrin britanik Boris Johnson, presidentin francez Macron dhe kancelaren gjermane”, tha Erdoğan.
Sipas tij, Turqia është një vend i fuqishëm që zë vendin e saj në mesin e pesë vendeve më të fuqishme anëtare të NATO-s.
Pas Samitit të NATO-s, Erdoğan do të vizitojë Azerbajxhanin për të nënshkruar një marrëveshje gjithëpërfshirëse në Shusha, kryeqyteti kulturor i vendit.
“Unë do të takohem me presidentin Ilham Aliyev në Shusha ku do të nënshkruajmë një marrëveshje midis dy vendeve tona. Kjo do të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse midis Turqisë dhe Azerbajxhanit”, tha Erdoğan.