Erdogani në Poloni: Ndërmjetësuesja mes BE e Turqisë?
Varshava në rrugën e suksesit diplomatik: Pas vizitës së presidentit amerikan, Donald Trump në korrik, tani kryeqytetin polak e viziton presidenti turk, Erdogan.
Marrëdhënia të mira historike
Presidenti turk takohet kokë më kokë me homologun polak, Andrzej Duda. Më pas presidenti turk do të hapë forumin ekonomik polako-turk si edhe do të zhvillojë takime me kryeministren Beata Szydlo e presidentët e dy dhomave parlamentare polake. Nuk është parashikuar një takim me kryetarin e partisë “Ligj dhe Drejtësi”, PiS, Jaroslaw Kaczynski.
Polonia dhe Turqia që dikur kishin një vijë kufitare dhe një armiqësi të thellë kundër Rusisë kanë marrëdhënie diplomatike prej 603 vjetësh. Perandoria Osmane nuk e njohu kurrë ndarjen e Polonisë në fund të shekullit të 18-të, e kjo edhe sot shihet pozitivisht në Poloni.
Qeveria e Varshavës është treguar e rezervuar aktualisht me kritika ndaj Erdoganit, edhe kur ky iu fut një grindjeje të rrezikshme me Uashingtonin dhe Berlinin. Vetëm afrimi me Rusinë i shkakton dhimbje koke Varshavës. Para vizitës nga Varshava u theksuan interesat e përbashkëta si anëtarë të NATO-s.
Interesat ekonomike – prioritet zyrtar
Sipas të dhënave turke, në qendër të vizitës është tregtia bilaterale. Kemal Güleryüz, kryetar i Dhomës së Tregtisë Polako-Gjermane ka bërë fjalë për agjencinë e lajmeve, Anadolu për mundësinë e një rritjeje masive të vëllimit tregtar mes dy vendeve nga 6 miliardë në 10 miliardë dollarë në vit. Turqia dëshiron të investojë në të ardhmen edhe në sektorin e ndërtimit polak, sektor që merr mbështetje edhe nga BE.
Diplomatët polakë megjithatë nuk kanë lënë jashtë vëmendjes dimensionin politik të vizitës së Erdoganit. Macej Lang, ambasadori polak në Ankara është shprehur se për Poloninë “janë të rëndësishme marrëdhëniet me Turqinë, por edhe vizita e Erdoganit”. Ai përmendi edhe mbështetjen polake që nga fillimi për një anëtarësim të Turqisë në BE.
Varshava ndërmjetësuese?
Në një takim spontan mes Erdoganit dhe kryeministres Szydlo në maj në Pekin është bërë fjalë krahas çështjeve tregtare edhe për atë të refugjatëve. Polonia refuzon shpërndarjen e refugjatëve nga Greqia dhe Italia, duke rrezikuar edhe një padi nga KE. Prandaj Varshava është mjaft e interesuar për zbatimin efektiv të marrëveshjes mes Brukselit dhe Ankarasë.
Vëzhguesit politikë në Varshavë nuk përjashtojnë madje as rolin ndërmjetësues të Varshavës në konfliktet me BE. Krzysztof Szczerski, kreu i kabinetit të presidentit polak, Duda është shprehur se “fillimisht është e rëndësishme që të flasim me njëri-tjetrin dhe të njohim këndvështrim turk për çështjet”.