Erion, më bëj dhe mua që të hipi në autobus
Nga Mustafa Nano
Dy ditë pas lajmit se Erion Veliaj kish shkuar në zyrën e tij në Bashki me autobus, në një të përditshme të Tiranës ishte publikuar një foto, ku dukej Jeremy Corbyn, politikani britanik që është futur në garë për të marrë kreun e Partisë Laburiste e që, me ç’tregojnë bathët, ka për ta marrë (me që ra fjala, shtypi i Tiranës, i motivuar në mënyrën më parokiale të mundshme, nuk e ka parë të udhës ta thotë qoftë dhe gjysmë fjale për këtë ngjarje në një kohë që ky kandidim, për arsye që meritojnë vëmendje, ka provokuar një debat të madh në Britaninë e Madhe; me të njëjtën logjikë parokiale, është injoruar edhe përfshirja e bujshme e Donald Trump-it në lojën presidenciale republikane në SHBA), ku shfaqej pra Jeremy Corbyn brenda një autobusi, në këmbë, i veshur thjesht, si gjithnjë në fakt, nën vështrimin kureshtar të ndonjë udhëtari.
Nuk më kujtohet se cila ishte e përditshmja shqiptare që e kish publikuar këtë foto, e prandaj nuk di të them se cili ka qenë qëllimi i tyre. Ndoshta kanë dashur të zhvleftësojnë gjestin e Veliajt (E shihni? Nuk ka ndonjë gjë të pazakontë në këtë mes; ja, edhe të tjerët e bëjnë), ose kanë dashur, në të kundërt, ta valorizojnë këtë gjest (E shihni? Erioni është një politikan i një tjetër stofi, është politikan modern).
E vërteta është se Jeremy Corbyn nuk është i vetmi ndër politikanët që udhëtojnë me autobus apo me metro në Londër, apo në metropole të tjera të botës. Corbyn është njëri ndër të paktët, të cilit “i ka hije të udhëtojë me autobus” e “të jetë i shkrirë me masën” (ai është një prej atyre të majtëve, të cilët shihen sot si përfaqësues të një race në zhdukje e sipër, dhe ka mjaftuar ky fakt që ujërat në politikën britanike të trazohen keqas), por udhëtimi me mjetet e transportit publik andejpari është një gjë që praktikohet herë pas here edhe nga të djathtë. E ka bërë këtë edhe Boris Johnson, kreu i Bashkisë së Londrës, edhe David Cameron (kur nuk ishte kryeministër; tani që është kryeministër, është e natyrshme që të rrethohet me masa mbrojtëse), edhe të tjerë. Nuk është se e praktikojnë shpesh, pasi lloji i punës që bëjnë u imponon një axhendë të ngjeshur e një stil reticent, por është e sigurt se nuk u shkon në mendje ta shohin si të çmendur idenë për të marrë autobusin apo trenin për të shkuar në zyrë a diku tjetër (më së shumti përdorin dhe biçikletën, por ky është një muhabet më vete). Përkundrazi, sa herë që mundin, e bëjnë me qejf.
Duhet të jenë të shumtë shqiptarët që i justifikojnë këta tanët, duke thënë se “të udhëtosh me mjetet e transportit publik në Londër apo gjetkë është një gjë komode, ndërsa të bësh të njëjtën gjë në Tiranë është krejt e pakëshillueshme për çdo zyrtar, pasi transporti ynë urban ta shpif”. Tani, që ka një diferencë të hatashme midis transportit publik në Londër, Paris, etj., e transportit publik në Tiranë, kjo nuk ka asnjë diskutim. Por puna është se kjo nuk mund të shërbejë si justifikim i përbuzjes që këta tanët kanë për këtë lloj shërbimi. Ah po, ne të tjerët, qytetarë të zakonshëm, mund ta përbuzim gjithë kohën e mund ta prapësojmë aty për aty idenë për t’i përdorur këto mjete të transportit publik, dhe kjo sjellje e jona mund të merret n’daç si një protestë ndaj shërbimit të keq, n’daç si thirrje për një shërbim më të mirë. Nga ana tjetër, Jeremy Corbyn, Boris Johnson e Co., sikur puna t’ua donte që të ndodheshin në Shqipëri për ca ditë, nuk do mend që do kishin arsye ta përbuznin këtë shërbim, pasi ky nuk është një shërbim ashtu si e konceptojnë ata shërbimin. Madje, në sytë e tyre, ky është e kundërta e shërbimit. “Disservice”, do mund ta quanin ata, dhe është e sigurt se nuk do t’u ndryshonte ky opinion edhe kur të merrnin vesh se dhjetë e kusur vite më parë ka qenë më keq se sa kaq, apo se ky shërbim është përmirësuar në njëfarë mënyre në harkun e viteve të fundit (në një numër linjash autobusët janë me ajër të kondicionuar, dhe autobusët ndjekin njëri-tjetrin).
Mirëpo, këtyre tanëve nuk u falet që ta përbuzin këtë shërbim. Të kuptohemi, nuk është e thënë që ta marrin me pahir e ditë për ditë autobusin për të shkuar në zyrat e tyre, apo për t’u zhvendosur nga një vend në tjetrin. Nëse Erioni do ta bënte çdo ditë, do ta shihja si një gjest të sforcuar, të kotë e demagogjik të tijin, por nuk do t’ia falja nëse nuk do ta bënte herë pas here, në çdo rast që do të mundte, për t’u thënë të tjerëve se shërbimi i transportit publik, edhe pse mund të jetë për faqe të zezë, madje për sa kohë që është i tillë, është edhe i atyre që e kanë në dorë ta përmirësojnë këtë lloj shërbimi. Të gjithë ne, nëse i kemi mundësitë, mund ta refuzojmë një shërbim të keq të transportit urban, por kryetari i bashkisë, pikërisht ngaqë ky shërbim është i keq, duhet të gjejë kohën që t’i hipë herë pas here të njëjtëve autobusë, ku hipin çdo ditë me dhjetëra mijë qytetarë. Një kryetar bashkie edhe mund t’i japë munxët idesë për të përdorur mjetet e transportit publik, kur ky transport është ok, por ai nuk mund t’i lejojë vetes “luksin” për ta përbuzur këtë shërbim. Për dy arsye. Së pari, është ai që ka për detyrë ta bëjë transportin më të mirë, dhe së dyti është ai që bën mirë të na provojë se një shërbim publik nuk e sheh si “një shërbim për vulgun, rajanë, plebenjtë”, dhe se “derrat nuk ka pse të jenë më të barabartë se të tjerët, se publiku pra”.
Eh, sikur të vinte një ditë kur të mos ishte më lajm që Erioni ka shkuar në punë me autobus! Do ishte bukur, pasi pikërisht atë ditë, ne do kishim lajmin tjetër: Në Shqipëri ka lindur më në fund Shërbimi i Transportit Publik.