EU4Youth financon me 1.67 milionë euro projektet e 36 organizatave për fuqizimin dhe përfshirjen e të rinjve
Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR), me financimin e Bashkimit Evropian, organizoi ceremoninë e ndarjes së kontratave fituese të Skemës së Granteve EU4Youth, ku 36 organizatat fituese u ftuan të nënshkruajnë kontratat e nëngranteve për zbatimin e projekteve të tyre.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha se, interesi ka qenë i konsiderueshëm, pasi pati 113 aplikime.
Me një financim prej rreth 1.67 milionë eurosh, skema synon të përfshijë mbi 10 mijë të rinj në të gjithë Shqipërinë, përmes 36 projekteve që nxisin pjesëmarrjen qytetare, vullnetarizmin, fuqizimin e të rinjve, sportin gjithëpërfshirës, mirëqenien dhe kohezionin social. Nga projektet e përzgjedhura, 24 fokusohen në pjesëmarrjen qytetare, vullnetarizmin dhe fuqizimin e të rinjve, ndërsa 12 të tjerat promovojnë sportin gjithëpërfshirës, mirëqenien dhe kohezionin social.
Kjo skemë synon të krijojë më shumë mundësi për të rinjtë, të nxisë përfshirjen e tyre aktive në shoqëri dhe të kontribuojë në ndërtimin e komuniteteve më gjithëpërfshirëse në të gjithë vendin.
“Vetëm gjatë vitit 2026, përmes Programit Kombëtar të Praktikave të Punës janë ofruar 1,207 vende praktike, me 3,181 aplikime. Ndërkohë, nëpërmjet thirrjes së 6 dhe 7 të AKR-së janë mbështetur 32 organizata për projekte rinore dhe është vënë në dispozicion një fond prej 20 milionë lekësh për iniciativat e grupeve joformale”, tha Blendi Gonxhja, duke ftuar grupet joformale rinore të nxitojnë të dërgojnë idetë e tyre për thirrjen tjetër të hapur.
Në art dhe kulturë, përmes një fondi prej 25 milionë lekësh, janë mbështetur rreth 90 artistë dhe krijues të tjerë. Ndërsa për vitin 2027 janë parashikuar edhe shtatë projekte të infrastrukturës rinore, nga Himara në Bulqizë, nga Divjaka në Vaun e Dejës.
“Për ne, mbështetja për rininë nuk është thjesht një politikë publike apo një zë në buxhet. Është përgjegjësia për t’u dhënë të rinjve më shumë arsye për të besuar tek e ardhmja e tyre këtu, në Shqipëri”, u shpreh kreu i MTKS-së.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.