MANILA – Li Qiang: Të mbrojmë tregtinë e lirë dhe bashkëpunimin, pavarësisht tensioneve globale
– Kryeministri kinez, Li Qiang vlerësoi marrëdhëniet ekonomike mes Kinës dhe vendeve të Azisë Juglindore, duke theksuar se bashkëpunimi mes tyre ka vijuar të forcohet, pavarësisht kufizimeve tregtare, rritjes së proteksionizmit dhe konflikteve gjeopolitike në botë, sipas “Reuters”.
Gjatë fjalës së tij në Samitin e 29-të Kinë-ASEAN, të zhvilluar sot në Manila, Li deklaroi se të dyja palët mbeten të angazhuara, për mbrojtjen e bashkëpunimit shumëpalësh dhe nxitjen e tregtisë së lirë.
“Edhe pse kufizimet ekonomike dhe tregtare janë rritur ndjeshëm në mbarë botën, ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për mbrojtjen e bashkëpunimit shumëpalësh dhe promovimin e tregtisë së lirë, si dhe për zgjerimin e mundësive të bashkëpunimit”, u shpreh ai.
Li tha se pesë vitet e fundit, kanë qenë një periudhë me arritje të rëndësishme për marrëdhëniet mes Kinës dhe ASEAN-it, të cilat nuk janë arritur lehtë.
Sipas tij, tregtia mes Kinës dhe 11 vendeve anëtare të ASEAN-it, i kaloi 1 trilion dollarë në vitin 2025, ndërsa investimet e ndërsjella të akumuluara tejkaluan 500 miliardë dollarë.
Ai theksoi se tregtia mes palëve është rritur me 20,1% krahasuar me vitin 2021, ndërsa investimet e ndërsjella janë shtuar me më shumë se 50% gjatë pesë viteve të fundit.
Kryeministri kinez vuri në dukje se bashkëpunimi nuk kufizohet vetëm te tregtia tradicionale, por është zgjeruar edhe në ekonominë digjitale, ekonominë e gjelbër dhe inteligjencën artificiale.
Ai përmendi gjithashtu Protokollin për përmirësimin e Zonës së Tregtisë së Lirë Kinë-ASEAN 3.0, i cili synon të krijojë kushte më të favorshme për shkëmbimet tregtare dhe investimet mes palëve.
Sipas tij, marrëveshja përbën një bazë të rëndësishme, për zhvillimin e mëtejshëm të një tregu të madh rajonal.
Li theksoi edhe rëndësinë e projekteve të infrastrukturës që lidhin vendet e rajonit, duke përmendur hekurudhën e shpejtësisë së lartë Xhakarta-Bandung në Indonezi dhe hekurudhën Kinë-Laos.
Ai përmendi gjithashtu hapjen e kanalit Pinglu në Kinë dhe zbatimin e programit të vizave ASEAN, si nisma që lehtësojnë lëvizjen e njerëzve, kapitalit dhe teknologjisë.
Duke folur për sfidat ndërkombëtare, Li deklaroi se Kina dhe ASEAN-i duhet të qëndrojnë të bashkuara, të mos lejojnë ndërhyrjet nga jashtë dhe të punojnë së bashku për të përballuar pasiguritë globale.
Ai bëri thirrje që mosmarrëveshjet të trajtohen përmes dialogut dhe konsultimeve, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon.
Në lidhje me Detin e Kinës Jugore, kryeministri kinez shprehu mbështetjen për përfundimin sa më të shpejtë të Kodit të Sjelljes mes palëve, i cili synon të përcaktojë rregullat për menaxhimin e mosmarrëveshjeve dhe të kontribuojë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në këtë zonë.
Li nënvizoi gjithashtu gatishmërinë e Kinës për të bashkëpunuar me ASEAN-in, në organizimin e Vitit të Bashkëpunimit për Inteligjencën Artificiale në vitin 2027, duke nxitur projekte të përbashkëta në këtë fushë.
Ai përmendi edhe bashkëpunimin për uljen e varfërisë, sigurinë ushqimore, parandalimin dhe përballimin e fatkeqësive natyrore, si dhe shëndetin e nënave dhe fëmijëve.
Në përfundim, Li theksoi se Kina dhe vendet e ASEAN-it duhet të ruajnë traditën e miqësisë dhe ndihmës së ndërsjellë, të mbështesin hapjen ekonomike dhe përfitimin e përbashkët, si dhe të investojnë në inovacion për të krijuar mundësi të reja zhvillimi. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.