EUreporter: Shqipëria i kërkon BE fillimin e bisedimeve të anëtarësimit sa më shpejt të jetë e mundur
Në fjalën e mbajtur gjatë konferencës së Londrës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i drejtoi një kërkesë pasionante Brukselit për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit duke thënë se kjo kërkesë bazohej në masat e ndërmarra për transformimin rrënjësor në të dy vendet, shkruan sot EUreporter.
Duke theksuar se nuk e kuptonte hezitimin e disa vendeve anëtare për të nisur bisedimet, Rama shtoi se ”ne nuk kërkojmë të bëhemi anëtarë të BE-së sot apo nesër, por ne kërkojmë të nisim negociatat dhe të na fusni në të njëjtën rrugë si vendet e tjera të përfshira në këtë proces”.
Rama e mbajti këtë fjalim në Samitin e Investimeve për Ballkanin që organizohej nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Londër.
Komentet e tij pasojnë deklaratën e bërë disa ditë me parë nga komisioneri europian për Zgjerimin, Johannes Hahn, sipas të cilit ka shumë mundësi që Komisioni t’u rekomandojë këtë verë vendeve anëtare të nisin negociatat e anëtarësimit me Shqipërine dhe Maqedoninë.
Hahn theksoi se ”ne besojmë se të dyja vendet kanë bërë reforma të rëndësishme në të kaluarën dhe për rrjedhojë kualifikohen për këtë hap”.
Pikërisht kësaj deklarate iu referua edhe Rama kur tha se ”BE-ja duhet të jetë më zemërgjerë në njohjen e ndryshimeve të jashtëzakonshme dhe transformuese që kanë ndodhur në vendin tim”.
Rama deklaroi në konferencë se Shqipëria dhe Maqedonia i kishin kryer shumë mirë detyrat e tyre të shtëpisë dhe përpjekjet për reformat në fusha si sistemi gjyqesor kishin qenë tejet të mëdha.
”Është shumë e thjeshtë të flasësh për korrupsionin dhe krimin e organizuar, ndërkohë që reformat që janë bërë kanë qenë shumë të guximshme, por unë do të doja të shikoja të njëjtin gjë, edhe pse nuk është ky rasti, për vendet tashmë të anëtarësuara”, shtoi ai.
Ai u shpreh se hapja e dritës jeshile për bisedimet e anëtarësimit do të nxiste investimet dhe do të rriste interesin për këto dy vende, dhe sigurisht, që do ta bënte Europën një vend më të sigurtë.
Ai u shpreh se ”sot po i bëj një apel Komisionit Europian: Nëse nuk dëshironi të na jepni më tepër para’, kjo gjë nuk përbën problem, por ju lutemi tregohuni më shumë zemërgjerë karshi nesh”.
Rama konfirmoi angazhimin e palëkundur të qeverisë së tij për të ecur përpara me reformat për integrimin europian.
Fjalimi i Ramës vjen në një kohë kur vendi i tij është në krye të axhendës së Bashkimit Europian.
Ai ishte në Bruksel pak përpara Krishtlindjeve për takimet përgatitore të negocimit me figura të rëndësishme politike të Bashkimit Europian, përfshirë presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker dhe presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Rama dhe Juncker u takuan të dielën në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, ku ky i fundit lavdëroi qeverinë shqiptare për përparimet e bëra në përpjekjet e saj për kryerjen e reformave për integrimin europian.
”Shqipëria nuk pushon së akumuluari progres sepse ka ndërmarrë reforma strukturore në shumë fusha. Përparimet janë impresionante dhe kjo do ta bindë Komisionin Europian të rekomandojë hapjen e bisedimeve të anëtarësimit”, theksoi Juncker.
”Në të kundërt nga sa thuhet kudo, Komisioni Europian dhe unë personalisht nuk kemi thënë se Serbia dhe Mali i Zi do të jenë detyrimisht anëtare të BE në vitin 2025”, u tha Juncker gazetarëve në Tiranë.
”Viti 2025 është i hapur për të gjitha vendet kandidate”, shtoi ai.
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përfaqësuara në konferencën e Londrës nga shefat e tyre të qeverive: Rama për Shqipërinë, Denis Zvizdiç për Bosnje-Hercegovinën, Zoran Zaev për Maqedoninë, Ramush Haradinaj për Kosovën, Dushko Markoviç për Malin e Zi dhe Ana Brnabiç për Serbinë.
Konferenca kishte për qëllim të bashkonte liderët e rajonit dhe investitorët potencialë nga e gjithë bota për të diskutuar për mënyrat për tërheqjen e një mbështetjeje më të madhe nga sektorët privatë, financiarë dhe publikë për projektet e infrastrukturës në Ballkanin Perëndimor.
Kjo iniciativë është pjesë e një serie samitesh kushtuar zhvillimit të këtyre vendeve dhe perspektivës në BE.
Konferenca u zhvillua në prag të vendimit mbi rekomandimet e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe publikimit të strategjisë së re të zgjerimit.
Shqipëria ka qenë kandidate zyrtare për anëtarësimin në BE që nga qershori i vitit 2014 dhe ndodhet në axhendën aktuale për zgjerimin e ardhshëm.