Ekonomia

Eurostat: Shqipëria me të ardhurat më të ulëta në Europë

Edhe në vitin 2015, Shqipëria renditet si vendi me të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë, me rreth 30% të mesatares së vendeve të Bashkimit Europian. Të dhënat janë përditësuar së fundmi nga Eurostat dhe bazohen në metodën e fuqisë blerëse, e cila rregullon vlerat bazuar në diferencat e çmimeve mes vendeve dhe madhësisë së ekonomive, në mënyrë që të vlerësohen standardet e jetesës.

Nga shtetet fqinjë, të ardhurat për frymë të Serbisë janë sa rreth 37% e mesatares europiane, ndërsa të Maqedonisë rreth 36%. Për Shqipërinë, në raport me vitin 2005, është bërë shumë pak progres në rritjen e të ardhurave për frymë në raport me mesataren europiane me vetëm disa pikë përqindjeje (shih grafikun).
Shteti më i pasur mes vendeve të Bashkimit Europian ëshë Luksemburgu, të ardhurat mesatare të së cilit janë 2.7 herë mbi mesataren europiane (që pjesërisht shpjegohet nga rëndësia e punonjësve përtej kufirit nga Belgjika, Franca dhe Gjermania). Nga ana tjetër PBB për frymë ishte më pak se gjysma e mesatares së BE-së në Bullgari.

Të dhënat sugjerojnë se për anëtarët e rinj të BE-së ka pasur një proces konvergjence (ritme rritjeje më të shpejta të të ardhurave në raport me mesataren e BE-së). Pjesa më e madhe e shteteve anëtare që hynë në BE në 2004, 2007 ose 2013 kanë lëvizir nga pozicioni poshtë mesatares së BE-së në 2005, në afër mesatares së BE-së në 2015-n, pavarësisht një stepjeje gjatë krizës ekonomike dhe financiare.

Qipro dhe Slovenia ishin përjashtime, deri tani, teksa ata lëvizën më tej poshtë mesatares së BE-së gjatë dekadës së fundit. Të njëjtën tendencë kanë pasur dhe anëtaret më të vjetra të BE-së, Greqia dhe Portugalia. Edhe Italia e Spanja kanë lëvizur nga një nivel më i lartë se mesatarja europiane, në poshtë tij gjatë dekadës së fundit./Monitor

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button