Bota

Evolucioni i udhëheqësve me dorë të fortë

Nga Erika Frank

Edhe pse mediat kanë vënë alarmin për krizën e demokracisë, e vërteta është se regjimet autoritare, po qeverisin një përqindje më të vogël vendesh sot në botë, sesa në çdo kohë që nga epoka e Luftës së Dytë Botërore. Përqindja e regjimeve autoritare në pushtet, arriti kulmin në fund të viteve 1970, pikërisht në kulmin e Luftës së Ftohtë, me rreth 75 përqind të vendeve të botës.

Në vitin 2000, nën 50 për qind e vendeve, u qeverisën nga regjimet autoritare. Ndëkohë në vitin 2017, një numër edhe më i vogël, 38 për qind. Pra, pse të gjithë ata që u bien gjithmonë këmbanave të alarmit, flasin për autoritarizëmin në rritje? Edhe pse është bërë disi e rrallë që demokracitë të degradojnë plotësisht në autokraci, në fakt kjo ka ndodhur me vetëm 2 prej tyre në vitin 2016 (Turqi dhe Nikaragua), dhe asnjë në 2017, shumë demokraci sot po lëvizin drejt një sistemi autoritar.

Kjo është diçka shqetësuese, pasi historikisht, kur demokracitë degradojnë, ato zakonisht nuk rikthehen shpejt. Edhe më shqetësues, është fakti që shumë prej vendeve që pësojnë degradim të demokracisë, nuk janë sot ato që ne do të prisnim. Një numër i madh hulumtimesh në shkencat politike, kanë treguarse sa më e pasur të jetë demokracia, aq më rezistente duhet të jetë. Megjithatë, të dhënat e kohëve të fundit, tregojnë se demokracitë që po bien sot, janë shumë më të pasura sesa ato në dekadat e mëparshme.

Në vitet 1990, pasuria për frymë e një vendi tipik demokratik, që degradonte në autoritarizëm, ishte rreth 1700 dollarë. Kjo shifër, e rregulluar sipas inflacionit, u rrit në rreth 2.300 dollarë në vitet 2000, dhe rreth 3.300 dollarë më 2010-ën. Kjo prirje, bie ndesh me disa besime të vjetra rreth dinamikës së ndryshimeve politike.

Ajo sugjeron se një pasuria më e madhe e një vendi, nuk mund t’i mbrojë më demokracitë ashtu si dikur, gjë që ndoshta është arsyeja e zhvillimeve të viteve të fundit në Hungari, Poloni dhe vende të tjera. Turqia, ofron një shembull shqetësues të asaj që mund të ndodhë me një vend dikur demokratik.

Rexhep Taip Erdogan erdhi në pushtet në vitin 2003, përmes zgjedhjeve parlamentare, që sipas të gjitha të dhënave ishin demokratike. Turqia kishte përjetuar në të shkuarën disa ndërhyrje të ushtrisë, në jetën politike të vendit, por pak studiues do ta kishin vënë atë në listën e vendeve candidate, për të degraduar në një autokraci, në kohën e ngjitjes në pushtet të Erdoganit.

Vendi ishte jo vetëm relativisht i pasur, por kishte ndërkohë një klasë të mesme në rritje, dhe një shoqëri civile aktive. Megjithatë, gjatë kohës së tij në pushtet, Erdogan ka ndërmarrë një sërë veprimesh, që e kanë dobësuar demokracinë turke, duke përfshirë goditjen e intelektualëve kritikë ndaj qeverisë, censuruar mediat dhe izoluar kundërshtarët politikë.

Ironikisht, nëse demokracitë që dikur dukeshin të sigurta kanë rënë, regjimet e sotme autoritare janë bërë më “liberale”, të paktën në aspektin e fasadës së tyre. Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, shumica e regjimeve autoritare të botës, kanë ruajtur parlamentet, kanë pasur parti të shumta politike, dhe zgjedhje disi konkurruese, që janë mbajtur rregullisht.

Të dhënat tregojnë se ata janë të mençur që e bëjnë këtë: Regjimet autoritare me institucionet pseudo-demokratike, qëndrojnë pak më gjatë në pushtet se sa pa to. Autokratët e mençur, kanë mësuar, se një pamje në dukje e pluralizmit politik, ofron shumë avantazhe dhe më pak rreziqe, sesa taktikat tradicionale të kontrollit, siç janë shtypja brutale.

Regjimet aktuale autoritare, janë bërë “më të zgjuara” edhe në fusha të tjera, përtej institucioneve politike. Synimi i tyre, është të imitojnë virtytet e demokracisë, si llogaridënia, kontestimi dhe përfaqësimi, duke përdorur metoda që janë sipërfaqësore, dhe që nuk përmbajnë reforma reale.

Shembujt janë të shumtë, duke përfshirë legalizimin e organizatave joqeveritare, por vetëm të atyre që në fshehtësi promovojnë agjendën e qeverisë, dhe duke përdorur vëzhguesit e zgjedhjeve, por vetëm ata që çeritifkojnë rezultatin e synuar të qeverisë.

Shumë nga regjimet e sotme autoritare, paguajnë mdje kompani të marrëdhënieve me publikun, për të shitur imazhin pozitiv të qeverisë së tyre, brenda dhe jashtë vendit. Të gjitha këto lëvizje, u mundësojnë qeverive autoritare të pretendojnë se janë demokratike, duke e bërë më të vështira sulmet, se ato në fakt nuk janë të tilla.

Singapori, mund të jetë një nga shembujt më përfaqësues. Regjimi i Partisë së Veprimit të Popullit, ka qeverisur që nga viti 1965. Ai mban rregullisht zgjedhje, dhe madje u lejon anëtarëve të opozitës të fitojnë vende në parlament. Edhe pse zgjedhjet në vend duken konkurruese, regjimi thuhet se angazhohet në strategji delicate, për të siguruar mbajtjen me çdo kush të pushtetit.

Për shembull, ai përdorur paditë për shpifje, si një mënyrë për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve politikë. Kur këta humbin gjyqin, detyrohen të paguajnë shuma të mëdha financiare, të cilat përfundimisht i çojnë drejt falimentimit. Në fakt, lëvizja drejt një liberalizmi të rremë, më të madh tek regjimet bashkëkohore autoritare, duket se ka rezultuar efektive për të gjithë. Megjithëse ka më pak regjime autoritare në fuqi, sesa në dekadat e kaluara, ato ekzistueset janë jashtëzakonisht të qëndrueshme. Gjatë Luftës së Ftohtë, regjimi tipik autoritar qeveriste mesatarisht rreth 12 vjet. Ky numër u rrit në 19 vjet në vitet 1990, dhe 22 vjet në vitet 2000; dhe është rritur në 27 vjet më 2010-ën.

Kanë ikur kohët kur juntat ushtarake merrnin me forcë pushtetin, vetëm për t’u detyruar të largoheshin disa vjet më vonë. Regjimet e sotme autoritare, kanë mësuar se farsa e një sundimi demokratik, ka përfitime të mëdha për mbijetesën e regjimit. Rrugëdalja nga këto tendenca, duhet të nisë nga ajo, kuptimi ynë mbi atë që është “normale” në peizazhin politik, mund të ketë nevojë të përditësohet.

Megjithëse, është e vërtetë se bota është më shumë demokratike se kurrë më parë, ka shenja se progresi mund të ndalet. Demokracitë po priren drejt autoritarizmit në një numër të habitshëm vendesh si Hungaria, Polonia dhe madje edhe Shtetet e Bashkuara. Në këtë pikë, ne vetëm mund të spekulojmë, se pse po ndodh kjo tani.

Shkaqet e mundshme, përfshijnë zhgënjimin e qytetarëve nga kriza e emigracionit, rritja e pabarazisë dhe ngadalësimi i rritjes së standardeve të jetesës. Pavarësisht kësaj, tradicionalisht e kemi parë botën e zhvilluar, si imune ndaj këtij lloji fenomeni. Ndërkohë, regjimet e sotme autoritare, po e bëjnë më të vështirë cilësimin e tyre si të tilla.

Kjo pasi po imitojnë gjithnjë e më shumë tiparet e demokracisë, në mënyrë që të duken si rregjime liberale, por që aktualisht punojnë për të zgjatur jetëgjatësinë e sistemit të tyre autoritar.

E megjithatë, situatë nuk është e pashpresë. Megjithëse, regjimet autoritare me institucionet e tyre pseudo-demokratike janë më jetëgjata, kur ato shemben, kanë më shumë gjasa të kalojnë në demokraci, sesa në një tjetër diktature. Përvoja e Malajzisë, na ofron arsye për të qenë optimistë.

Regjimi dominues, ishte në pushtet që nga viti 1957. Ai evoluonte më taktikat e tij, në të gjitha mënyrat e përshkruara më lart, dhe sipas të gjitha të dhënave, ishte një qeveri shumë e zgjuar. Disa ekspertë patën frikë, se nëse regjimi do të humbiste, nuk do të respektonte rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2018. Megjithatë e bëri këtë, dhe tani Malajzia është një vend demokratik për herë të parë në historinë e tij.

Shënim: Erika Franc, është asistente profesore në shkencat politike, në Universitetin Shtetëror të Miçiganit më SHBA.

“Foreign Policy” 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button