Evropa ime: Kalkulimi gjakftohtë i Orbanit kundër Junckerit
Çdo ditë kur hamë mëngjes, grindemi se për çfarë duam të ankohemi sot, kështu e ka përkufizuar njëherë një komedian hungarez këtë veçori specifike tonën hungareze. Ka diçka të vërtetë këtu. Askush nuk zihet dhe argumenton me kaq pasion sa ne. Sidomos për qeverinë, por në të njëjtën kohë na pëlqen kur ajo e mban situatën me forcë nën kontroll.
Pra, ne ankohemi për „ata atje lart”, të cilët gjithsesi bëjnë punën e vet, por që herën tjetër do t‘i zgjedhim sërish. Gati e njëjta gjë ndodh edhe me BE. Ankohemi dhe e shajmë, por nuk duam ta humbasim.
BE që shahet dhe pëlqehet
Fushata e fundit e Viktor Orbanit me pankartat kundër presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, është e qëlluar në shenjë, është një kryevepër përsa i përket njohjes së mentalitetit politik në popull. Ne shohim pankartat me miliarderin amerikan me prejardhje hebreje Xhorxh Soros në sfond dhe Junckerin para tij me buzëqeshjen e sforcuar prej pleqsh. Ata duan ta përmbysin Evropën me emigrantë, shkruhet në to dhe ne, populli hungarez, e meritojmë ta marrim vesh një gjë të tillë.
Ne i shohim dhe themi me vete: bo bo, çfarë tmerri përsëri. Ne e dimë se posterat kushtojnë para nga fondi i taksave dhe që ndonjë mik i qeverisë me siguri do të pasurohet prej tyre. Ne e dimë që sigurisht nuk është ashtu, që Sorosi dhe Junckeri dorë për dore po e çojnë BE, dhe bashkë me të edhe ne, drejt shkatërrimit. Ne shajmë qeverinë që përsëri na mban për budallenj.
Por që qeveria e bën këtë me kaq guxim dhe vetëbesim, këtë e vlerësojmë si forcë, kjo na pëlqen. Që ky Junckeri nuk është fare pa gjë, e besojmë me qejf, edhe që BE dëshiron gjëra, që nuk i duam. Për shembull emigrantët.
Na pëlqen të ankohemi për Brukselin, dhe nuk e kemi të vështirë që ta pranojmë Junckerin si simbol për të. Por ne e dimë edhe se BE është një adresë e mirë, më mirë kur i përket atij. Dhe që na mundëson neve dhe fëmijëve tanë po qe nevoja të punojmë në vende më të pasura dhe të fitojmë më shumë para. Kjo është e mrekullueshme. Në asnjë vend në Evropë BE nuk ka vlera më të mira sondazhi sesa në Hungari (përveçse në Poloni ndoshta).
Juncker dhe Soros
Por kush është ky Junckeri? Zor se dikush ka dëgjuar ndonjëherë për të, vetëm 46% e hungarezëve e kanë hasur ndonjëherë emrin e tij (një nga vlerat më të ulëta në BE), dhe askush nuk di shumë më tepër se emrin. Dikur shumë pak e njihnin edhe Sorosin. Tani po, falë propagandës së vazhdueshme të qeverisë kundër tij. Fakti që të dy janë thuajse të panjohur ( apo kanë qenë), është faktori vendimtar këtu. Me fushata të qëllimshme atyre mund t’u veshësh identitet negativ dhe të krijosh me ta imazhin e armikut. Që të dy nuk kanë pushtet të tyrin, që mund t’i mbronte.
Soros është spekulant dhe person privat. Juncker është burokrat në zbehje, një objektiv i përsosur për t’u marrë në shënjestër. Kush e di se çfarë tjetër do të dalë kundër tij. Dëshira e tij për të pirë gjoja alkool edhe gjatë ditës, çështja me oazën e taksave në Luksemburg, kur Junckeri ishte kryetar qeverie atje. I bie sikur Juncker është kundërshtari në fushatën e tanishme zgjedhore për BE-në, por partia qeverisëse Fidesz bën pjesë në Partitë Popullore Evropiane të Junckerit. Hungaria mbështet kandidatin kryesor të PPE, Manfred Weber, si presidentin e ardhshëm të Komisionit. Po në këtë mënyrë? Nuk është çudi që në PPE janë të zemëruar. Juncker, Weber, të gjithë revoltohen. Edhe një rast tjetër për të bërë thirrje për përjashtimin e Fidesz-it.
Llogaria e Fidesz
Për eurokratët janë me rëndësi zgjedhjet për Parlamentin Evropian, për Fideszin pushteti në Hungari. Sipas vlerësimeve partia mund të fitojë 13 ose edhe vetëm 12 vende në Parlamentin Evropian. Nëse fushata anti-Juncker funksionon po aq mirë si fushata anti-Soros në zgjedhjet e fundit parlamentare, mund të bëhen edhe 14. Nëse fut këtu edhe një apo dy mandate nga pakicat hungareze në vendet fqinje, atëherë pas zgjedhjeve do të bëhen rreth 15 vende në PPE, të cilat do të jenë ndoshta të dobësuara, por ende mbizotëruese. Kjo do të nënkuptonte që pesha relative e partisë do të rritej në PPE. Dhe një mandat më shumë është edhe një mandat më shumë për PPE. Përveç kësaj Fidesz mund të ishte edhe një urë lidhëse me partitë e djathta euroskeptike, që po forcohen.
Këto mund të kenë qenë pak a shumë llogaritë e qeverisë, që është në gjendje politikisht të bëjë një fushatë të tillë anti-Juncker. PPE bën gjithashtu llogaritë dhe duhet ta shohë përfitimin.
Pyetja është, nëse PPE do të ndërtojnë ura lidhëse me partië e djathta, apo do të ngrenë mure ndarëse me zonën nacionalkonservatore. Nëse vendosin për këtë të dytën, Orbani e ka bërë llogarinë gabim kësaj radhe dhe atëherë Fidesz nuk është më ideologjikisht në pajtueshmëri me PPE dhe del jashtë fraksionit. Natyrisht me këtë PPE do t’i priste një këmbë vetes. Sepse deputetët e Fideszit janë më besnikët në votime. Orbani vlerëson besnikërinë, dhe ai kishte një marrëdhënie të mirë me Junckerin për një kohë të gjatë prapa kulisave, derisa ky papritmas bëri thirrje publike për dëbimin e Orbanit nga PPE. Kjo ndodhi në vjeshtën e kaluar. Tani erdhi hakmarrja.
Boris Kálnoky, lindur në vitin 1961, raporton si korrespondent nga Hungaria për media gjermane. Ai është autor i librit „Paraardhësit” (Droemer 2011), ku ai kërkon gjurmët e familjes së tij, mes tyre edhe ministrin e Jashtëm të perandorisë hungareze, Gustav Kálnoky.