Faik Konica, 75-vjet nga vdekja e gjeniut të letrave
Më 15 dhjetor, përkujtohet 75-vjetori i vdekjes së Faik Konicës, shkrimtar, kritik letrar, publicist, eseist, përkthyes, një nga personalitet më të shquara të kulturës, letërsisë, e jetës politike shqiptare, një intelektual i dimensioneve europiane.
Faik Konica lindi më 15 mars 1875 në Konicë, në një familje të vjetër koniciote. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, ndoqi Kolegjin Jezuit Saverian të Shkodrës e më pas studimet e liceut perandorak francez të Stambollit. Pasi kreu shkollën e mesme në Francë, vazhdoi studimet në Dizhon për filologji romane dhe më pas u diplomua në universitetin e Harvardit të SH.B.A, ku mori gradën “Master of Arts”. Me 1897, në Bruksel botoi numrin e parë të revistës politike kulturore e letrare “Albania”. Pas vajtjes së tij në Boston, së bashku me Fan Nolin, themelojnë gazetën Dielli, një organ i rëndësishëm i Federatës Panshqiptare “Vatra”.
Me 1912 në emër të Federatës Vatra, shkon në Londër për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Më 1921, Konica zgjidhet kryetar i Federatës Vatra dhe me rimarrjen e drejtimit të gazetës Dielli, ai shkruante në një rubrikë të tijën “Shtylla e Konitzës”. Më vitin 1926, Faik Konica emërohet Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Vdiq në Uashington më 15 Dhjetor 1942. Në vitin 1995, pas rënies së diktaturës komuniste, eshtrat e tij u sollën në Tiranë. Me veprën e tij letrare e me shkrimet kritike, Konica pasqyron një njohje të thellë të mendësisë shqiptare, e jetës politike shqiptare.
Gjatë veprimtarisë së tij është përpjekur për një gjuhë letrare të përbashkët dhe ndihmoi në pasurimin e zhvillimit të stilit letrar dhe publicistik të shqipes së shkruar. Krijimtaria e tij ka mbetur në pjesën më të madhe e botuar në shkrime të shtypit të kohës dhe në dorëshkrime. Faik Konica mbetet një figurë qendrore dhe një pikë referimi në ecurinë e kulturës sonë moderne.