Falja e kamatëvonesave, Gjiknuri: Për paguesit e rregullt falje të tjera
Të paktën 35 mijë familjarë, mes të cilëve kategori në nevojë, do të përfitojnë falje të mëtejshme të kamatëvonesës nëse vazhdojnë të jenë të rregullt me pagesat e detyrimeve të prapambetura dhe faturën mujore, sipas aktmarrëveshjes që kanë me OSHEE-në.
“Për të gjithë ata që kanë qenë të rregullt me këstet, ne po mendojmë të bëjmë një tjetër lëshim, për të gjithë juve”, deklaroi ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri në një takim me abonentët.
“Kategoritë në ndihmë ekonomike, invalidët, pensionistët do të ketë zerim të kamatëvonesës kundrejt një pagese simbolike”, tha Adrian Çela, drejtor i OSHEE-së.
Kjo vlerë simbolike është 20 lekë. Ndërsa vlera që parashikohet të falet nga OSHEE llogaritet në 8 deri në 9 miliardë lekë. Kategoritë në nevojë, sipas aktmarrëveshjes, shlyejnë detyrimet e prapambetura me një këst prej 1.200 lekë në muaj.
Ndërsa për konsumatorët e tjerë familjarë, pagesa mujore për borxhin ndaj OSHEE është 2.800 lekë.