Kronika

Falsifikimi i dokumentave, shqiptarët të parët në Britani

Fakti që shqiptarët janë duke u dyndur drejt Britanisë në vitet e fundit e vërteton edhe raporti më i fundit i Agjencisë Evropiane të Kufirit, sipas të cilës emigrantët shqiptarë janë më të shumtët që përdorin dokumenta falso për të hyrë në ishull.

Sipas këtij raporti, vitin e kaluar është vënë re një rritje prej 70 për qindësh me një vit më parë të numrit të atyre emigrantëve që kanë përdorur  dokumenta të falsifikuara udhëtimi të vendeve të tjera për të kaluar kufirin.

Në vend të parë të atyre që kanë hyrë në Britani janë shqiptarë, të cilët përdorin sipas raportit dokumenta udhëtimi dhe karta identiteti italiane dhe greke të falsifikuara.

Në vendin e dytë janë ukrainasit, që përdorin karta identiteti autentike polake për të mashtruar autoritetet britanike të emigracionit dhe kufirit. Ndër kombësitë e tjera që pasojnë shqiptarët dhe ukrainasit janë sirianët, iranianët dhe kinezët.

Britania nuk është pjesë e marrëveshjes së Shengenit dhe për të hyrë në mbretëri duhet vizë. Kith Vaz, kryetari i Komitetit për Punët e Brendshme në Parlamentin britanik, bëri thirrje për vendosjen e pajisjeve të specializuara të cilat do të mund të verifikonin menjëherë dokumentat e identitetit, që do të operonin në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.

Faktikisht, thuajse shumica e emigrantëve shqiptarë që mbërrijnë në Britani përdorin dokumenta të rreme, jo vetëm italiane dhe greke, por edhe rumune e bullgare.

Edhe pse ligjet britanike janë mjaft të ashpra sa i takon përdorimit të dokumentave falso, sërish ato nuk e kanë frenuar valën e emigrantëve që arrijnë të anashkalojnë autoritetet britanike të emigracionit, që siç tregojnë edhe të dhënat e raportit të fundit të Agjencisë Evropiane të Kufirit, në vitet e fundit kanë pësuar një rritje të jashtëzakonshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button