Ekonomia

Fermerët në protestë për çmimet e ulëta, Kryeministri premton zgjidhje me fonde direkte

Kryeministri Edi Rama organizoi një takim të posaçëm me disa përfaqësues në të cilin premtoi ndryshim të skemës së subvencionit. Ai tha se do të krijohet një fond prej 32 milionë eurosh që do të shkojë si mbështetje direkte për sektorin e prodhimit. Skema e kaluar me rimbursimin e TVSH 6% për çdo faturë shitje është hequr këtë vit pasi favorizonte grumbulluesit dhe jo fermerët (prodhuesit).

Kryeministri tha se, duke parë këtë anomali u vendos të hiqet skema e kompensimit të TVSH -së për të rritur mbështetjen direkte ndaj bujqve. Por fermerët pjesëmarrës në takim thanë se, subvencioni i planifikuar nga qeveria është i pamjaftueshem. Ata kërkojnë mbrojtje nga ndryshimi i çmimeve dhe të mbulohen kostot dhe të garantohen norma të pranueshme fitimi si në të gjithë botën.

Kryeministri u premtoi fermerëve që të zgjidhnin një përfaqësi, e cila do të bëje propozimet konkrete për skemën e mbështetjes në sektorin e prodhimit.

Fermerët e sektorit të prodhimit po përballen me humbje të mëdha në mbjelljet e dyta për shkak se ka rënë kërkesa për eksporte dhe për rrjedhojë mallrat nuk grumbullohen, por edhe në rast se grumbullohen merren me çmime shumë të ulëta, të cilat nuk mbulojnë as kostot.

Kjo situatë ka krijuar borxhe zinxhir në të gjitha hallkat e biznesit bujqësor që nga furnizuesit e inputeve, (farave, plehrave dhe pesticideve). Nëse një serë futet në humbje për dy sezone rresht rikuperimi është shumë i vështirë pasi në Shqipëri fitimet e bizneseve bujqësore janë shumë të ulëta.

Sektori bujqësor është përfshirë në një proces formalizmi, që prej vitit 2016 ku nisi pajisja me NIPT e fermerëve. Mirëpo për shkak të produktivitetit të ulët bizneset e kontribuojnë shumë pak në buxhetin e shtetit. Në vitin 2020 fermerët përbënin 30 për qind të stokut total të bizneseve. Shumica e tyre nuk paguajnë taksa.

Me gjithë rritjen e numrit të bizneseve dhe zgjerimit të eksporteve, bujqësia vijon të jetë sektori më pak produktiv i ekonomisë, kurse rritja e të ardhurave nga shitjet po shkon më shumë te zinxhirët e furnizimit se sa te prodhuesit.

Në tremujorin e fundit të vitit 2020, paga mesatare mujore bruto në bujqësi ishte rreth 32 mijë lekë, ose 40% më e ulët se paga mesatare në shkallë vendi. Sipas një studimi të Programit Botëror të Ushqimit (FAO), shumica e fermave në vend, ato me sipërfaqe 1 hektar, rezultojnë me humbje dhe prodhojnë vetëm për vetë-konsum.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button