Fermerët protestojnë në Prishtinë, derdhin qumësht para Ministrisë së Bujqësisë
Fermerët e Kosovës të qumështit kanë protestuar pranë Ministrisë së Bujqësisë, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj politikave dhe gjendjes në sektorin e qumështit.
“Mos na leni pa bukë”, “Mos prekni vendet e punës”, “Mos e dobësoni industrinë vendore”, e me pankarta të tjera fermerët e prodhimit të qumështit kanë protestuar para Ministrisë së Bujqësisë, duke kërkuar që urgjentisht të fillojë grumbullimi i qumështit, pasi tash e katër ditë është ndaluar përkohësisht grumbullimi i qumështit, duke paraprirë mbylljen e përkohshme të qumështores Vita.
Përfaqësuesi i i Shoqatës së Qumështarëve Fidan Krasniqi, ka thënë se ka që një vit janë duke trokitur nëpër dyer të ministrisë lidhur me situatën e krijuar duke kërkuar që të merren masa.
“Jemi mbledhur para Ministrisë së Bujqësisë ne si shoqatë e prodhuesve të qumështit në përkrahje të fermerëve tonë, anëtarësisë sonë, pikave grumbulluese, të gjiihë akterëve, grupeve të interesit sepse ne jemi prodhues të këtij vendi dhe prodhojmë qumështin, për këtë vend, për këtë popullatë.
Tash e një vit trokasim nëpër dyert e shtetit duke njoftuar ministritë përkatëse lidhur me gjendjen e krijuar në këtë sektor dhe duke kërkuar të merren masa që garantojnë investime dhe siguri të produkteve tona që të kemi konkurrencë të barabartë dhe jo importe me çmime të subvencionuara nga Serbia, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe e gjithë regjioni. Të gjithë ju jeni dëshmitarë të këtyre produkteve dhe na akuzoni neve pse ato produkte shiten nëpër raftet tona me çmime shumë të lira”, ka thënë përfaqësuesi i Shoqatës së Qumështarëve.
Ai, ka shtuar se sot janë bërë katër ditë që nuk e kanë dorëzuar qumështin.
“Andaj kërkojmë urgjentisht për shkak se prodhuesi vendor është në një situatë të palakmueshme sot bëhen katër ditë që ne nuk kemi ku ta dorëzojmë qumështin. Shumica e këtyre prodhuesve kanë qenë fermerë që e kanë dorëzuar qumështin të qumështorja “Vita”, është e vërtetë. Por, një gjë duhet ta dijë populli qumështi Vita është i Kosovës, nuk është i Serbisë”.
“Kërkesa jonë urgjente të fillojë grumbullimi i qumështit që nga ky moment, kërkojmë nga Qeveria urgjentisht të ndal importin nga vendet e rajonit me çmime damping, pse favorizohen importuesit e jo prodhuesit deri kur do të vazhdojë kjo praktikë, të bëjmë politika e ta zgjidhim këtë çështje njëherë e mirë, ” ka thënë ndër të tjera ai.
“Lopët nuk janë çezme. Nuk mund t’i ndalim sot të mos prodhojnë, e të presim deri në momentin e duhur. Shumica e këtyre fermerëve, që i shihni me këto mjete bujqësore, janë të zhytur në kredi të cilat duhet t’i paguajnë. Të mos luhet me dinjitetin e tyre. Kërkojmë urgjentisht takim dhe zgjidhje të këtij problemi një herë e përgjithmonë, pse jo t’ia shtrijmë dorën këtij ministri, atij ministri apo atij ministri”, tha ai.
Ndërsa, Kushtrim Tigani përfaqësues i qumështores “Vita”, ka kërkuar që rezultatet e analizave të dalin sa më parë.
“Ne si qumështore më e madhe në Kosovë e grumbullojmë mbi 50% të qumështit të Kosovës. Të gjithë këta bujq e sjellin qumështin te ne mbi 100 mijë litra në ditë. Disa ushtarë të Facebookut që po dalin dhe po e baltosin këtë fermer punëtor dhe gjithë ata fermerë të cilët e prodhojnë qumështin dhe e përpunojmë qumështin i bëj thirrje sa më parë ministrit të Bujqësisë, AUV-it të dalin me rezultate ato të cilat i kanë gjet për prezencën e qumështit pluhur, që nuk ka qumësht pluhur edhe këta e dinë që nuk ka qumësht pluhur, le të dalin me rezultat sa më parë edhe për analiza të qumështit “Vita” i duhen me javë me analiza me dal rezultati”
Vendimi për organizimin e protestës është marrë nga Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit, e cila e ka cilësuar protestën si të domosdoshme pas ndërprerjes së grumbullimit të qumështit të freskët nga fermat, situatë që, sipas tyre, rrezikon seriozisht ekzistencën e shumë prodhuesve vendorë.
Protesta vjen edhe pas mbylljes së përkohshme të fabrikës së përpunimit të qumështit “Vita” në Istog, pas një aksioni të autoriteteve.
Përmes protestës, ata kërkojnë që institucionet të ndërmarrin masa të menjëhershme për tejkalimin e krizës dhe kanë paraqitur tri kërkesa kryesore:
-rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit të freskët nga fermat;
– publikimin urgjent të rezultateve të analizave, në mënyrë që të hiqen dyshimet mbi cilësinë e produkteve vendore;
– rikthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit, duke theksuar se ulja e çmimit po i çon shumë ferma drejt falimentimit.
Pas protestës, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka pranuar në takim disa përfaqësues të fermerëve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.