Feronikeli 74 mposht Ballkanin në frymën e fundit, Cërvadiku hero i drenicasve
Feronikeli 74 ka marrë një fitore të madhe ndaj Ballkanit në javën e 13-të të Superligës së Kosovës, falë golit të Ibrahim Cërvadikut në minutat shtesë.
Feronikeli 74 ka shkaktuar një nga befasitë e javës së 13-të në Superligën e Kosovës, duke e mposhtur Ballkanin me rezultat 1:0, siç njofton Telegrafi.
Drenicasit vazhdojnë formën e mirë në kampionat, pas fitores ndaj Dukagjinit dhe barazimit me Malishevën në javët e fundit.
Pjesa e parë e takimit u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat dhe, pavarësisht disa tentimeve, portat mbetën të paprekura në 45 minutat e para.
Edhe në pjesën e dytë loja ishte e baraspeshuar, me vendasit diçka më të rrezikshëm, por për golin u desh të priteshin minutat shtesë: në skenë doli Ibrahim Cërvadiku, i cili shënoi një gol të bukur për fitoren dhe rezultatin përfundimtar 1:0.
Pas kësaj fitore, Feronikeli 74 e sheh veten në pozitën e shtatë me 15 pikë, ndërsa Ballkani mbetet me 19 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, Feronikeli 74 udhëton te Drita, ndërsa Ballkani e pret Gjilanin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.