Festivali “Skampa” çel edicionin e 28-të me “Medean” e Teatrit Shtetëror të Izmirit
Edicioni i 28-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skampa”, u çel me shfaqjen “Medea” të trupës teatrale turke.
Ky festival konsiderohet si një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të Elbasanit, që mbledh në këtë qytet trupa teatrore nga Shqipëria dhe bota.
Kryevepra e Euripidit nga Teatri Shtetëror i Izmirit, nën regjinë e Adonis Filipit. Përmes një konceptimi të fuqishëm regjisorial dhe një interpretimi të ngjeshur emocional, “Medea” sjell në skenë historinë e një gruaje të tradhtuar, pasioni dhe dhimbja e së cilës shndërrohen në hakmarrje. Lëvizja, ritmi dhe imazhet skenike ndërthuren në një shfaqje që prej gjashtë vitesh vijon të jetë pjesë e repertorit të teatrit turk.
Në rolin e Medeas interpretoi aktorja Asli Kilian, duke sjellë një personazh të fuqishëm dhe kompleks, në një nga veprat më të njohura të dramaturgjisë botërore.
Prej 28 vitesh, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Skampa” është kthyer në një traditë të rëndësishme të jetës kulturore të Elbasanit, duke e vendosur qytetin në vëmendjen e skenës teatrore shqiptare dhe ndërkombëtare. Edicioni i këtij viti zhvillohet nën moton “Të jesh / To Be”, një mesazh që lidhet me praninë, bashkëjetesën dhe forcën e artit për të bashkuar njerëzit përtej kufijve.
Në kuadër të festivalit, Elbasani do të mirëpresë trupa teatrore nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Italia, Tunizia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Moldavia dhe Turqia, të cilat do të sjellin 10 shfaqje, krahas një programi të pasur me performanca, punëtori, ekspozita dhe promovime librash.
Në urimin e tij për nisjen e festivalit, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vlerësoi traditën 28-vjeçare të “Skampës” dhe rolin e tij në jetën kulturore të qytetit. Llatja theksoi se Elbasani ka qenë dhe mbetet një qytet që e do teatrin, vlerëson artistin dhe e pret me dashuri skenën dhe kulturën.
Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Skampa” do të vijojë deri më 5 tetor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.