Manastiri i Kryeengjëjve në Derviçan, në fazën e parë të restaurimit
Në Manastirin e Kryeengjëjve në Derviçan, vijojnë punimet për restaurimin dhe rijetëzimin e kompleksit, me ndërhyrje në konakët lindorë e perëndimorë, për t’iu rikthyer funksionin pas dekadash degradimi.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ishte në këtë objekt kulti, një ndër 15 manastiret që dëshmojnë pasurinë e rrallë shpirtërore e kulturore të Qarkut të Gjirokastrës. Ministri inspektoi këtë fazë të parë të ndërhyrjes, e cila parashikon ringritjen, restaurimin dhe konservimin e konakëve, përmes konsolidimit të muraturave.
“Me kishën tashmë të shpallur “Monument Kulture” të kategorisë së parë, këto ndërhyrje i japin një të ardhme të re këtij kompleksi historik, si hapësirë e gjallë për komunitetin dhe pikë referimi për vizitorët e turizmin kulturor në Dropull”, u shpreh kreu i MTKS.
Manastiri i Kryeengjëjve është i pozicionuar në pllajën e Malit të Gjerë, mbi fshatin Derviçan. Manastiri është një ndërtim më i ri në krahasim me komplekset e tjera të kësaj lugine, por ka vlera të shumta dhe dëshmon për zhvillimin dhe larminë tipologjike të ndërtimeve të arkitekturës pasbizantine. Kompleksi i Manastirit të Kryeengjëjve përbëhet nga kisha dhe konakët, që e rrethojnë atë, kryesisht nga ana lindore dhe perëndimore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.