Është ora 19:30. Një pjesë e publikut veçse ka mbërritur për të zënë një vend. Gjysmë ore para fillimit të koncertit, ata që janë ulur në Sallën e Kuqe përjetojnë “live” përgatitjet finale. Shohin nga afër pjesëtarët e korit që enden nga salla deri në prapaskenë, instrumentistë që akordojnë instrumentet e veta e renditjen e karrigeve.
Në mungesë të një salle adekuate koncertale, relacioni midis publikut e atyre që do të performojnë duket të jetë krejtësisht transparent. Një ceremoni e shkurtër me fjalime e ndarje mirënjohjesh për kompozitorë shqiptarë, i paraprin performancës së korit të Filarmonisë së Kosovës në koncertin kur po shënohet 15-vjetori i themelimit të këtij institucioni. “Blegëron delja” e Vinçenc Gjinit, “Humoreska” e Zeqirja Ballatës, me Denik Prizrenin në tenor – bas, interpretohen njëra pas tjetrës. Frymën e muzikës shqiptare e vulos “Nji lule” e Rexho Mulliqit me soliste sopranon Adelina Paloja. Dirigjenti i korit, Rafet Rudi, i udhëheq ata edhe në veprën e shkruar prej tij “Sharaveli – sharavata”, që shënon edhe përfundimin e pjesës së parë të koncertit. Pjesa e dytë i takon orkestrës. Anëtarët e korit largohen nga skena për t’ua lëshuar vendin instrumentistëve. Salla e Kuqe, prej një hapësire për koncert koral – me gjithë mungesën e një akustike të mirë – shndërrohet në sallë koncerti për orkestër që udhëhiqet nga dirigjenti nga Kosova që jeton në Holandë, Arbër Dhomi.
Për nder të 80-vjetorit të lindjes së kompozitorit Vinçenc Gjini, vepra e parë që interpretohet është “Simfonia nr.4” e tij. “Melodi” e Trimor Dhomit për orkestër simfonike, është e dyta në program. Krejt në fund interpretohet “Impresione folklorike për orkestër simfonike” e kompozitorit Krist Lekaj. E shkruar para fiks një dekade, “Impresione…” është interpretuar për herë të parë nga orkestra e Filarmonisë së Kosovës në koncertin e së martës mbrëma që u organizua në bashkëpunim me festivalin “Ditët e muzikës kosovare” të Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës. Vepra të bazuara në folklorin shqiptar, tema e ritme shqipe, përbënë mozaikun e programit të koncertit që “ka përjashtuar” kompozitorët e huaj.
“Jam shumë i kënaqur. Vepra u ekzekutua me të vërtetë shumë mirë. Pak me vonesë, pasi që është shkruar para dhjetë vitesh, por pasi që arriti të ekzekutohej dhe arrita ta dëgjoj, jam i stërkënaqur”, ka thënë Lekaj, të cilit për nder të 80-vjetorit të lindjes iu nda mirënjohje për kontributin e dhënë për muzikën shqiptare.
Koncerti i së martës mbrëma nga kompozitori Arbër Dhomi u cilësua sfidë e madhe për orkestrën e Filarmonisë së Kosovës.
“Programi është shumë i vështirë. Posaçërisht vepra e Trimor Dhomit është vepër që edhe është kritikuar nga profesorët në Pragë, në Amsterdam, në Maqedoni. Dhe është kritikuar si vepër tepër luksoze e vështirë për një orkestër. Kërkon prej instrumentistëve maksimumin”, ka thënë Dhomi.
Dhomi e ka cilësuar veprën e Gjinit të bukur dhe harmonike, por ka shpjeguar që nuk është interpretuar e plotë.
“Kontrapunkti e harmonia, temat shqipe janë të ndërlidhura shumë në këtë vepër edhe pse s’mujtëm ta ekzekutojmë kohën e tretë, sepse partitura s’na ka ardhur me kohë. Por shpresoj që orkestra do ta ekzekutojë më vonë”, ka thënë ai.
Para koncertit Dhomi ka pasur rezerva nëse Filarmonia e Kosovës do t’ia dalë të realizojë programin që ai e ka cilësuar sfidë, por duartrokitjet nuk kanë munguar.
Kompozitori Valton Beqiri ka thënë se koncerti i së martës e ka pasur “dozën e protokollit”.
“Ky koncert e ka dozën e një promovimi të veprave të autorëve kosovarë dhe e ka realizuar këtë qasje. Dhe mendoj që jo me këtë koncert, por deri më tani Filarmonia e Kosovës për këto 15 vite ka arritur të ngrejë nivelin, cilësinë, anën profesionale dhe anën stilistike, pra të realizimit të veprave nga stile e kompozitorë të ndryshëm”, ka thënë Beqiri, i cili ka shtuar se ky institucion mund të zhvillohet edhe më tutje.
“Duke pasur parasysh edhe të gjitha ato që u thanë në fjalën hyrëse, duhet të ketë përkrahje më të madhe. Duhet një objekt më i përshtatshëm, dhe duhet edhe interes më të madh për kulturën në përgjithësi”, ka thënë ai.
Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, në fjalën e tij hyrëse para fillimit të koncertit, ka folur për rrugëtimin pesëmbëdhjetëvjeçar të këtij institucioni. Ai ka shtruar dhe është përgjigjur në pyetjen sesi qëndron ky institucion pas 15 vitesh.
“Në aspektin programor dukshëm më mirë, duke u bazuar në vëllimin dhe interpretimin kryesisht të veprave premierë nga literatura e gjerë botërore të epokave stilistike nga renesanca e deri te muzika bashkëkohore”, ka thënë Jashari.
Por sipas tij përkundër përparimit të dukshëm mbetet ende shumë punë në aspektin e kompletimit të Orkestrës Simfonike me kuadër adekuat.
“Brenga më e madhe mbetet padyshim mungesa e objektit vetjak për punë normale si dhe salla koncertale aq shumë e përfolur dhe tejet e nevojshme për zhvillimin e veprimtarisë koncertale”, ka përfunduar Jashari.